E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia sfidon Bashkimin Evropian

Presidenti rus, Dimitri Medvedev, sfidoi liderët e Bashkimit Evropian gjatë një samiti, duke u kërkuar të ndihmonin Ukrainën për të shlyer borxhet në mos donin të përballeshin me ndërprerje të tjera të furnizimit me gaz. Bashkimi Evropian dhe Rusia po kërkojnë të rindërtojnë raportet e dëmtuara prej një viti me mosmarrëveshje të shumta. Por ecuria e Samitit u vu në diskutim në masë të madhe nga kërcënimi për ndërprerjen e furnizimit me gaz, marrëdhëniet tregtare dhe shqetësimeve të Moskës për përpjekjet e Bashkimit Evropian për të forcuar lidhjet me ish-vendet e Bashkimit Sovjetik.

Pamundësia e Kievit për të shlyer pagesat e furnizimit me gaz nga Rusia rrezikon të përsërisë situatën e janarit të këtij viti, ku konsumatorëve evropianë iu ndërpre furnizimi me gaz në mes të dimrit. "Ne kemi dyshime mbi aftësinë e Ukrainës për të paguar", tha Dimitri Medvedev gjatë një konference shtypi të dhënë bashkë me liderë evropianë në qytetin Khabarovsk. "Lipsen masa që Ukraina të paguajë shumat e duhura. Por nuk i takon Rusisë ta bëjë këtë. Pasi, në fund të fundit, nuk jemi ne ata që kemi probleme me pagesat. Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë shtetin ukrainas, por duam që një pjesë e mirë e përpjekjeve të bëhen nga Bashkimi Evropian", shtoi Medvedev.

Presidenti i Komisionit Evropian, Manuel Barrozo, tha se besimi mes palëve duhej rikthyer, por se nuk duhet të ketë më ndërprerje të furnizimit nga ana e Rusisë, e cila është furnitori për më shumë se një të katërtën e gazit për të cilin ka nevojë blloku i përbërë nga 27 vende. "Ndërprerja e eksportit dhe transportit të gazit nuk duhet të ndodhë më", u tha reporterëve Barrozo. "I kërkojmë Rusisë dhe Ukrainës të bëjnë gjithçka duhet për të parandaluar përsëritjen e një krize si ajo e vitit të shkuar".

I pyetur nga një reporter se ç‘garanci jepte se kriza e gazit me Ukrainën nuk do të përsëritej më, Medvedev tha: "Rusia nuk ka dhënë garanci dhe as ka ndër mend të japë. Përse duhet ta bëjë"? Mosmarrëveshjet e dimrit të shkuar ngritën mosbesimin e Evropës mbi besueshmërisë së "Gazprom"-it rus, prodhuesi më i madh i gazit në rang global, si dhe monopolin shtetëror rus në këtë industri. Kryeministri rus, Vladimir Putin, dhe analogia e tij ruse, Julia Timoshenko, nuk arritën të binin në ujdi gjatë një takimi në kryeqytetin e Kazakistanit për furnizimin e Evropës me gaz këtë dimër.

Disa liderë të Bashkimit Evropian shpresuan një fillim të ri të marrëdhënieve me shtetin rus, pasi Putin përfundoi mandatin e dytë presidencial, por një pjesë e mirë e mosmarrëveshjeve mbetën. Komisionerja e Raporteve të Jashtme të Evropës, Benita Ferrero-Ualdner, pranoi se raportet qenë dëmtuar nga lufta mes Rusisë e Gjeorgjisë, si dhe nga ndërprerja e furnizimit me gaz. "Ka ndodhur vërtet një ashpërsim i raporteve tona", tha komisionerja për agjencinë "Reuters", duke shtuar se marrëdhëniet kishin shënuar përmirësime, gjë që u pranua edhe nga zyrtarët rusë. "Atmosfera në sallë nuk qe e rënduar", tha një zyrtar i lartë evropian lidhur me bisedimet.

Gjithsesi, liderët evropianë e patën të vështirë të bindnin Dimitri Medvedevin se Nisma për Partneritet me Lindjen për të përmirësuar raportet me Bjellorusinë, Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin, nuk do të thoshte se këto shtete do të ktheheshin kundër Moskës. "Nuk duam që partneriteti me lindjen të kthehet në një partneritet kundër Rusisë", tha Medvedev.

Tregtia zinte një vend parësor në axhendën e bisedimeve dhe një këshilltar rus për politikat e jashtme paralajmëroi se Kremlini po humbiste durimin prej mohimit të përfshirjes në Organizatën Botërore të Tregtisë, gjë që Moska e kërkon prej dhjetë vjetësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›