Pyetjet për tri vite qeverisje
Kryeministri i Shqipërisë premtoi një analizë të gjatë, pak javë më vonë, për të bërë bilancin e 3 viteve qeverisje. Konferenca e shtypit e dy ditëve më parë, përpos dhënies së këtij lajmi, ishte një monolog i gjatë për 7 muajt e shkuar të këtij viti sipas një praktike të panjohur në punën e Ekzekutivit shqiptar, për të cilin ekziston në letër të paktën llogaridhënia për 100 ditët e para, apo vitet kalendarikë. Por gjetja e Kryeministrit i shkon për shtat të drejtës zakonore shqiptare, e cila përdor numërimin e ditëve, si të tretat apo të shtatat, për të përkujtuar largimin e dikujt nga jeta.
Dhe kabineti “Berisha” i ngjan një krijese që ka ndërruar jetë, ende pa hedhur shtat, sepse ka vdekur filozofia që e lindi atë në shtator 2005, vullneti politik që përfaqësoi votën e zgjedhjeve të 3 korrikut dhe ajo është formalisht në këmbë, sipas një filozofie “shtyje ta shtyjmë” deri në rotacionin e pushtetit në vitin 2009.
Në konferencën me median, Berisha e motivoi daljen me parapërgatitjen për trevjetorin e qeverisë, takim që sipas tij “do të më shërbejë mua për vrullin e ri në vitin e fundit”. Kryeministri Berisha është i shquar për demagogjinë bombastike, të tipit “fshati digjet, kurva krihet” dhe këtë e ka demonstruar edhe në ditët më të zeza të vendit. Ndaj, për të qëndruar brenda “temës”, gazeta po orienton Kryeministrin me pyetjet që do t’i jepnin një sërë përgjigjesh publikut, vendas dhe të huaj, se çfarë ka bërë qeveria në 3 vitet e shkuara, rezultate që do të përfaqësonin normalisht realizimin e dy të tretave të premtimeve të dhëna, tre vite më parë:
Zgjedhjet e lira e të ndershme do të ishin burimi i vërtetë i legjitimitetit të institucioneve demokratike dhe manipulimi me votën e qytetarëve do të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Si është e mundur që qeveria juaj mbajti zgjedhje të manipuluara dhe të përgjakshme vendore në 18 shkurt 2007, autorët nuk janë ndëshkuar dhe, kështu parashikohen edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare? Përse është zgjedhur përmes një tenderi të dyshimtë, një firmë e denoncuar nga Zimbabve në Kosovë, për të prodhuar kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, kur do të shpërndahen ato dhe sa të sigurta do të jenë të dhënat personale të shtetasve shqiptarë? Dhe a ka lidhje mes planit tuaj për të prishur zgjedhjet e ardhshme parlamentare, me tentativat për kufizimin e mandatit të Prezencës së OSBE-së në Tiranë?
Përse Kuvendi i Shqipërisë nuk u shndërrua në tempull të demokracisë parlamentare dhe shprehës i vullnetit të zgjedhësve, por në një garnizon ushtarak të komanduar prej jush, duke dhunuar opozitën dhe publikun e gjerë? Përse ka dështuar reforma në sistemin e drejtësisë dhe publiku vijon të perceptojë gjyqësorin si më të korruptuarin në vend?
Qeveria kishte premtuar se do të kryente një reformë të thellë të administratës publike për krijimin e një rrjeti institucional efektiv dhe efecient, si dhe të një administrate të qëndrueshme, dhe se do të ishte një qeveri e vogël njëherazi në diete. Si shpjegohet që shpenzimet qeveritare të natyrës jo-produktive e të luksit vijojnë të jenë në të njëjtën masë sa në qeverisjen e kaluar dhe Ministritë dhe institucionet mbajnë të fshehta shpenzimet buxhetore? Përse pronat nuk po kthehen fizikisht kudo ku është e mundur apo të kompensohen në natyrë me troje turistike dhe në vlerën e tregut, por pronarët vijojnë të mashtrohen nga fondi prej 5 milionë dollarësh që jepet në vit, ndërsa pushtetarët vijojnë të grabitin tokat? Ku janë zyrtarët e lartë që janë burgosur dhe dënuar sipas moralit qeverisës të mazhorancës së re ”Qeverisje me Duar të Pastra”, përveç atyre pak “kokave të turkut”, që përfaqësojnë segmente të parëndësishme të korrupsionit qeveritar? Përse Shqipëria vijon të mbetet vendi lider në Ballkan për korrupsionin qeveritar, po aq sa kur në pushtet ishte qeveria e shkuar?
Tre vite më parë fajësuat reformat e munguara të qeverisjes socialiste, shkallën e lartë të korrupsionit dhe e konfliktit të interesave dhe kapjen e ekonomisë nga monopolet e pushtetarëve për varfërinë e shqiptarëve, stanjacionin në krijimin e vendeve të reja të punës dhe nivelin e lartë të papunësisë, që sipas Organizatës Botërore të Punës ishte më shumë se 38%. Kush është fajtori që tre vite më pas, varfëria është shtrirë te gjysma e popullsisë dhe papunësia është sa dyfishi i asaj që raporton INSTAT-i, siç raportojnë edhe agjenci të huaja si CIA?
Përse dështoi rivendosja e sistemit të tregut të lirë e të konkurrencës së ndershme dhe përse Shqipëria është vendi me klimën më të rëndë për zhvillimin e biznesit në rajon? Sa është norma e inflacionit të fshehur dhe sa u kushton ai buxheteve të familjarëve shqiptarë? Përse nuk u ul TVSH në nivelin 17 për qind siç ishte premtuar dhe sa ka fituar qeveria nga Taksa e Sheshtë, e aplikuar prej korrikut 2007, mbi pagat e ulëta? Përse ka mbetur në vend vazhdimi i korridoreve Lindje-Perëndim dhe Veri-Jug, segmenti i rrugës Lushnjë-Vlorë dhe sa ka ndikuar në këto projekte shkuarja e fondeve kolosale për ndërtimin e autostradës Durrës-Prishtinë, pas ndërtimit të së cilës fshihet edhe një korrupsion qindra-milionë euro? Sipas premtimit, duhej të ishin 3 mijë kilometra shtrim dhe asfaltim i rrugëve rurale. A mund t’i tregojë Kryeministri këto rrugë të reja në hartën rrugore të Shqipërisë, sipas të cilit, ato do të kishin efekte të shumëfishuara në uljen e varfërisë dhe rritjen e mundësive për zhvillim të zonave rurale e malore të vendit? Çfarë ka bërë qeveria për të gjeneruar burime të reja energjie në vend, dhe pse nuk u mbajt premtimi për energji të vazhdueshme, të lirë, politikë popullore ndaj konsumatorëve familjarë dhe bizneseve dhe pse ka dalë në shitje Shpërndarja e Energjisë Elektrike, kur KESH-i është në ditët më të zeza të tij? Përse sot shqiptarët kanë shërbimin shëndetësor apo arsimor më të kushtueshëm dhe më të përkeqësuar në rajon, dhe pse janë lënë jashtë kontrollit të qeverisë edhe pse ligjërisht janë shërbime që i jepen falas publikut?
Kur do të përfundojë procesi i garantimit të të drejtave të pronësisë mbi token dhe regjistrimi, përse tregu i tokës është i mbyllur dhe pse, ashtu siç akuzonit qeverinë e kaluar, konkurrenca e pandershme e monopoleve qeveritare po frenon komercializimin e produktit vendas? Ku është karburanti për konsum bujqësor me një çmim prej jo më shumë se 40 lekë për litër, për të gjithë fermerët shqiptarë, aksesi në sistemin e kredisë nëpërmjet zgjerimit të skemave të mikrokredisë, aplikimi i politikave lehtësuese fiskale, si: përjashtimi 3-vjeçar nga tatimet për bizneset e reja agrare dhe agro-industriale; ulje me 20% më pak të Tatimit mbi Fitimin për bizneset, të orientuara në eksportin e produkteve ushqimore e të mallrave të tjera bujqësore e blegtorale?
Sipas një studimi të financuar për qeverinë tuaj, informaliteti në ekonominë dhe jetën shqiptare është rreth 85 për qind. Ishte premtuar që në veçanti në zonat urbane me ardhje popullsie nga zona të tjera të vendit, do të mbyllej brenda vitit të parë të qeverisjes, procesi i legalizimit të banesave, por ende nuk ka nisur ai proces. Sa lidhje ka me fushatën elektorale shtyrja e procesit të legalizimeve dhe sa ligjorë do të jenë realisht shqiptarët pas marrjes së certifikatës së pronësisë?
Gazeta mund të vijonte pafund me pyetje për shefin e qeverisë shqiptare. Ajo, ashtu si dhe publiku, i di përgjigjet sepse ato përfaqësojnë Shqipërinë e sotme të varfërisë, mjerimit, qeveritarëve të korruptuar dhe të paskrupullt, krimit të organizuar dhe kontrabandës, arkitektëve të Gërdecit dhe vendin ku drejtësinë e komandojnë të inkriminuarit. Ajo shpreson që këto përgjigje t’i dëgjojë nga goja e atij që deri më sot ka prodhuar këtë realitet, ndërsa nëpër monologë flet për një vend imagjinar me rritjen më të madhe ekonomike, me perspektivën më të shkëlqyer europiane dhe kombin më të lumtur në botë.