E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyll shkrimtarësh dhe shkretëtirë trajnerësh

Shkrimtarë sa të duash, trajnerë që mungojnë. Kjo është sinoptika shqiptare e këtyre ditëve, kur Panairi i Librit veç të tjerave na shpërfaqi një pyll të vërtetë shkrimtarësh, ku lisi i madh e i njohur ngatërrohej me të sapo mbirin dhe ku Kombëtarja jonë e futbollit, si asnjëherë tjetër më parë, nuk kishte dalë kurrë në fushë pa trajnerin e saj, sikur të ishim një shkretëtirë në të cilën vështirë të gjesh një pikë ujë dhe jo më një trajner!?
Nuk ishte parë e dëgjuar ndonjëherë që ekipi ynë përfaqësues të bojkotohej plotësisht prej tifozëve, siç ndodhi në stadiumin “Qemal Stafa”, që në grahmat e fundit të jetës së tij, në ndeshjen ndaj Azerbajxhanit, dukej më i mjerë se kurrë. Një ekip pa trajner përse del në fushë? Kujt strategjie apo ideje i shërben loja e një ekipi pa trajner?... Këto dhe pikëpyetje të tjera për fatin e kësaj Kombëtareje, ende në dyshim, janë “platforma” ku, mesa duket u mbështet bojkoti i tifozëve kuq e zi në ndeshjet miqësore, ndaj Azerbajxhanit në Tiranë dhe në atë ndaj Maqedonisë disa ditë më vonë. Po futbollistët, kushdoqofshin ata, për çfarë dhe për kë do të luanin, kur shihnin se mungonte koka dhe zemra e ekipit? Prandaj, gjatë lojës, sidomos ndaj azerbajxhanasve ata nuk dinin si të orientoheshin e si të vepronin, kur panë se as në stërvitje nuk ishin ndeshur me një shkretëtirë të tillë nëpër tribunat e spektatorëve. Gjithshka dukej e braktisur, madje edhe i mirënjohuri tenor Kastriot Tusha nuk ishte i pranishëm atë mbrëmje, si gjithmonë këto vitet e fundit, për të udhëhequr me zërin e tij brilant Himnin e Flamurit, ndërkohë që ishte zgjedhur një altoparlant për të shpërndarë shkallareve bosh të stadiumit tingujt e tij të incizuar.
Nga mjedisi-”shkretëtirë” i një Kombëtareje pa trajner dhe pa tifozë, rryma e jetës së përditshme më shtyu këtyre ditëve që të futem në një “pyll” librash pa fund të një panairi që si çdo vit u përpoq të paraqiste edhe këtë herë prurjet e tij më të mira. Dhe, ndërsa në stadium pashë të mungonte gjallëria dhe entuziazmi i zakonshëm për një aktivitet sportiv, përkundrazi në panairin e librit të mbyste zhurma dhe rrëmuja e krijuar nga ecejaket e pandërprera dhe të pafundme të dashamirësve ose jo të librit, që me këtë rast bënin edhe ndonjë xhiro e çmalleshin me njeri-tjetrin tek takoheshin stendave të shumta përhapur kudo n’atë ngrehinë gjigante të Pallatit të Kongreseve. Portrete shkrimtarësh-gjithfarësh të shfaqeshin kudo, disa prej të cilëve, edhe pse pa e merituar ende titullin fisnik, madje tepër larg këtij imazhi të ndritur, megjithatë duket se ishin interesuar që të binin më tepër në sy nëpërmjet përmasave më të mëdha të paraqitjes, apo kurimit më me kujdes të të gjithë pamjes së tyre, që i linte thuajse në hije ata, mjeshtrit e mëdhenj e të vërtetë të kësaj fushe! Dhe, si për të mos mjaftuar e gjithë kjo “dhunë portretesh”, televizione të ndryshme, sidomos ato kombëtarë, sikur të bëhej fjalë për një bursë aksionesh apo ankand a pazar i çfarëdoshëm e i rëndomtë dhe aspak një panair libri, hapnin emisionet e tyre të lajmeve ose i binin për çdo çast daulleve se si filan autori ju shitën aq dhe kaq copë libra në një orë apo në një ditë, dhe se si një “shkrimtar” ja kaloi në shitje një tjetri, po të këtij lloji, e të tjera reklama të kësaj natyre, ku vetëm për vlera e cilësi nuk flitej!? Protagonizmi i këtyre “shkrimtarëve” që na u shfaqën gati si kandidatë të çmimit Nobel(!?), nuk la rast pa u pompuar, natyrisht duke pasur mbështetjen e sponsorëve dhe pronarëve të tyre, që shpërbleheshin me sa duket kështu në kurriz të interesave dhe vlerave që në fakt gjenden tjetër kund, tek shkrimtarët e vërtetë, krejtësisht më cilësorë. Libri kryekëput është diçka që i përket artit, ndërkohë që gjatë panairit në fjalë, kjo fushë dukej si e huaj, nga që shit-blerja ishte termi më i përdorur dhe më i vlerësuar! E, ndërsa në një pyll të dendur është e vështirë të orientohesh, ndonjëherë e ndërlikuar mund të të paraqitet situata edhe në një vend të zbrazët, pa ide e fantazi, që i ngjanë një shkretëtire të vërtetë, siç është e ndodhet aktualisht futbolli ynë, përfaqësuesja e së cilës, si në asnjë vend tjetër të botës, vazhdon të jetë ende pa trajner! Dje në Zurih, për shortin e datave të ndeshjeve në grupe për eliminatoret e Botërorit të ardhshëm, delegacioni shqiptar i pranishëm atje, me siguri ka qenë i vetmi që është prezantuar pa trajner!?...
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›