QKK, edhe këtë vit në mbështetje të regjisorëve e rinj
Projektet më të mira artistike, suport financiar nga Qendra Kombëtare Kinematografike
Qendra Kombëtare Kinematografike premton mbështetje për regjisorët e rinj. Ashtu si dhe vitin që lamë pas, edhe këtë vit do të vazhdojë të jetë prezent mbështetja për emrat e rinj të fushës së kinematografisë. Nëse do të ketë projekte cilësore dhe që janë me vlera artistike, ata do të përfitojnë një suport financiar nga QKK. Vjet kanë qenë gjashtë filma artistikë, të cilët mbanin firmën e kineastëve të rinj shqiptarë. Nga ky institucion bëhet e ditur se pjesë
e krijimtarisë së kinematografisë shqiptare do të jenë dhe filmat e realizuar nga kineastët e rinj. Ky projekt, i cili u konsiderua si i suksesshëm një vit më parë, duke ndihmuar disa kineastë të rinj pritet të marri jetë dhe gjatë këtij viti. Do të jetë një pjesë e buxhetit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë që do të shkojë për këta kineastë. Këtë gjë e ka pohuar dhe vetë drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike, regjisori Artan Minarolli. Në detyrën e sapomarrë drejtori Minarolli thotë se do të forcojë më shumë marrëdhëniet me vendet e rajonit dhe sigurisht bashkëpunimin me regjisorët e huaj, por do të ketë një mbështetje për kienastët e rinj nëse ato do të sjellin projekte cilësore. Kam një propozim nga studentët për të financuar diplomat e tyre dhe kjo nuk e di se sa mund të arrihet me buxhetin që ne kemi këtë vit, dhe në radhë të dytë ne do të shohim dhe konceptin e këtij lloj financimi. Në radhë të parë duhet parë se cili është ky projekt. Nëse ky është një projekt shumë interesant, dhe unë i kam bërë ftesë që ata të paraqiten me datë 1 gusht, ai duhet të jetë një projekt i mbledhur dhe të ketë një shtëpi produksioni. Në këtë projekt të marrin pjesë të gjithë studentët dhe secili të bëjë pjesërisht diçka në atë projekt dhe mundësisht të jetë i menaxhueshëm me një shifër sa më të vogël parash, atëherë vetëm në këtë rast mundet që Qendra Kombëtare e Kinematografisë ti ndihmojë, pohon Minarolli drejtor i QKK. I pyetur për regjisorët e rinj që diplomohen këtë vit ai pohon se: Për kineastët e rinj do të aplikohet më vete. Do të jetë një shumë më vete, për filmat e shkurtër nga regjisorët e rinj dhe ky nuk do të ketë lidhje me atë që thamë pak më sipër sa i takon diplomave të studentëve. Rritja e buxhetit është një synim tjetër që Minarolli kërkon ta arrijë gjatë mandatit të tij. Sipas drejtorit Minarolli, buxheti i QKK është një buxhet, i cili pas shpall fituesit vetëm një pjesë shumë e vogël e kineastëve kanë privilegjin që të përdorin këto fonde, sepse midis morisë të projekteve që paraqiten për filmin artistik nuk mund të aprovohen më shumë se dy-tre projekte, ndërkohë që prurjet janë. Mendoj se do të jenë dy filma artistik me metrazh të gjatë duke u mbështetur dhe në buxhetin që ka ky vit, por duke marrë parasysh edhe buxhetin e vitit tjetër, i cili do të ketë sërish projekte të tjera gjatë vitit tjetër. Pra mesatarja duhet të jetë 2-3 projekte në vit sa i takon filmit artistik me metrazh të gjatë, ndërsa për filmin me metrazh të shkurtër duhet të shkojë tek 3-4 filma po ashtu dhe për dokumentarin, dhe për filmin e animuar. Të gjithë këto prodhime kinematografike ne mund ti përfshijmë me një menaxhim shumë të kujdesshëm. Nëse ne duhet të rrisim prodhimin e filmave dhe plotësimin sa më të madh të dëshirave të kineastëve për të punuar sa më shumë dhe për të punësuar sa më shumë njerëz, atëherë ky fond duhet rritur, pohon Minarolli. E ndërkohë për një prej pjesëtarëve të bordit, aktorin Ndriçim Xhepa, mbështetja për regjisorët e rinj është diçka e mirë. Unë e mbështes idenë për të mbështetur regjisorët e rinj, pasi kjo do tu shërbejë shumë atyre. Nuk ka asgjë të keqe nëse bëhet kjo, pasia ashtu si mbështeten regjisorët e rinj në Teatrin Kombëtar, ashtu të kenë mbështetje dhe në kinema, pohon aktori Xhepa. Ky projekt pritet që të sjelli tematika, të cilat do të kenë në fokus problematikat e të rinjve shqiptarë. Një vit më parë për këtë nismë janë akorduar rreth 50 milionë lekë të vjetra, të cilat shkuar për disa prodhime kinematografike. Ndërkohë që në Qendrën Kombëtare Kinematografike pritet dhe mbledhja e bordit të ri që do të vendosë për projektet kinematografike.Nga Julia Vrapi