E Diel, 1 Nëntor 2026

QKR i “fal” bizneset

Pas ndryshimit të ligjit për shoqëritë tregtare, që përcakton se  “bizneset, persona juridik kanë detyrim të paraqesin statutin  e ri të tyre pranë zyrave të QKR-së brenda datës 20 Maj 2011”, u vërejt fluks i shtuar nga bizneset, ç’ka ka krijuar rrezik të bllokimit të sistemit elektronik në sportelet.

 “Në zyrat e QKR-së ka pasur një fluks të tejskajshëm të bizneseve që kërkonin të kryenin detyrimin e tyre ligjor. Ky fluks ka krijuar probleme në administratë, pasi rrezikohet bllokimi i sistemit, për rregullimin e të cilit ka një kosto shumë të lartë”, tha drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tomi Kola.

Ai sqaroi se “të gjithë bizneset që i prek kjo pikë e ligjit, të mos shqetësohen për sa i përket kapjes së afatave (pavarësisht se ky ka kaluar) dhe afateve të tjerë që mund të vihen, nuk është e nevojshme të vinë enkas në QKR për depozitimin e statutit të ri”.

Kola tha, “mos respektimi i afatit të paracaktuar nuk do te shoqërohet me penalitete, gjoba”. Sipas tij kështu do të përfitojnë të dy palët: bizneset nuk do të humbasin kohë në radhë, por do të kryenin njëherësh dy veprime, ndërsa QKR nuk rrezikon avari në sistem. Kreu i QKR-së, kërkon nga bizneset që kur të paraqiten në sportelet e këtij institucioni duhet të kenë me vete edhe statusin e tyre. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-06-01 17:03
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›