QKUK do zbatimin e partneritetit publiko-privat

Qendra Klinike Universitare do të fillojë zbatimin e partneritetit publiko-privat. Drejtori i kësaj qendre, Njazi Gashi, ka deklaruar se Klinika e Biokimisë do të jetë e para, për shkak të pamundësisë për të funksionalizuar si duhet punën në të.
Gashi ka theksuar se operatori, i cili do ta fitojë këtë projekt është i kushtëzuar që shërbimet për pacientët ambulatorë të jenë 50 % më lirë sesa çmimi në treg, kurse shërbimet për pacientët e shtrirë në QKUK do t’i blejë kjo e fundit. Por, ushtruesi i detyrës së kësaj klinike, Bislim Bislimi, ka shprehur mëdyshjen se si do të funksionojë gjithë kjo, transmeton KTV.
Për punën që po bëhet tani, Bislimi thotë se realizimi i kërkesave arrihet 100 % në raport me kushtet dhe reagjentët që QKUK-ja i siguron, por pranon se nuk kryhen analiza të thella, që janë më të kushtueshme.
Në këtë klinikë, përveç tejzgjatjes së renovimeve, shpeshherë mungojnë edhe reagjentët për t’i realizuar analizat. Ndërkaq, ekipi i mjekëve, i cili punon në këtë klinikë, ka thënë se po mundohen t’i përmbushin kërkesat për aq sa QKUK-ja siguron reagentë./Indeksonline/