E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, Ilir Dashi bën gati pushimin nga puna për 100 mjekë

Lista e zezë, ankohen mjekët: Ku duhet ta fitojmë eksperiencën në punë, përveçse në spital

Reforma në qendrën më të madhe spitalore këtë herë do të bie mbi personelin shëndetësor, mjekët. Drejtori i Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, Ilir Dashi pritet të marrë një reformë të thellë për këtë kategori, që do të thotë se Dashi po bën gati listën e atyre mjekëve që do të largohen nga vendi i punës. Burime pranë spitalit bëjnë me dije për gazetën se do të ketë shkurtime vendi pune dhe aty ku duhet edhe zëvendësime. Një gjë e tillë është

pohuar nga mjekët e këtij spitali, të cilët tepër të shqetësuar për këtë reformë që po ndërmerr drejtori kanë pohuar për gazetën se në mënyra indirekte u është komunikuar se do të këtë pushime nga puna në rreth 100 mjekë. Po sipas mjekëve, që për arsye sigurie gazeta nuk po i përmend me emra, mësohet se drejtori i kësaj qendre kërkon të bëjë largime të këtyre mjekëve, por përveç pushimeve nga punë të 100 mjekëve, do të ketë edhe zëvendësime. Nga ajo çka na është thënë, asnjëri nga ne nuk e ka të sigurt vendin e punës, çdo ditë vijmë në punë përballemi me shumë vështirësi dhe nuk e dimë në do rikthehemi sërish të nesërmen. Kolegët tanë që punojnë në drejtorinë e QSUT, na kanë komunikuar në mënyrë jo zyrtare se së shpejti drejtori Dashi do të largojë nga puna mbi 100 mësues, pohojnë mjekët e QSUT. E gjithë kjo bëhet për arsye se është fryrë aq shumë organika për numër shtretërish që ka QSUT-ja, që nëse i mbledh, rrezik raporti mjek- pacient del i njëjtë. Në bazë të një përllogaritje që ne kemi bërë, rezulton se numri i mjekëve shkon rreth 382, ndërsa shtretër janë 1400 copë në të gjithë spitalin, plus 139 pedagogë dhe sipas përllogaritjeve i bie që rreth 100 mjekë janë tepër organikës së spitalit, pasi një mjek, sipas rregullores duhet të ketë rreth 5 shtretër, pohojnë mjekët.

Mjekët
Të kontaktuar nga gazeta, mjekët kanë pohuar se nuk është aspak e drejtë nëse kjo reformë do të vihet në zbatim nga drejtori Dashi. Nga njëra ana ministri na premton se personeli shëndetësor është më i rëndësishëm dhe nuk do të preket, ndërsa nga ana tjetër marrim vesh se në drejtori po bëhet gati përzgjedhja e mjekëve. Mirë ata që kanë krijuar një emër dhe janë të vjetër në profesion mund të mos largohen, po unë që vetëm 4 vite kam që punoj, kush me siguron se nuk do të pushohem nga puna, ka pohuar një mjeke pran QSUT. Të tjera reagime vijnë nga të tjerë mjekë dhe infermierë. Jam 4 persona në shtëpi dhe jetojmë me këtë rrogë. Kuptohet që këta nëse do largojnë nga puna po e bëjnë për të hequr disa dhe për të sjellë njerëzit e njohur të tyre, pasi nuk është e vërtetë që janë 100 mjekë tepër në spitale ashtu si na është thënë ne, pohon një tjetër mjeke.

Reforma në QSUT
Qendrën Universitare Spitalore Nënë Tereza e pret një reformim gjatë gjithë vitit 2010. Drejtuesit e kësaj qendre spitalore kanë pohuar se gjatë këtij viti pritet të bëhen shumë ndryshime si në shërbimet ndaj pacientit, ashtu edhe në kontrollet për abuzimin nga ana e mjekëve. Kështu, për të shmangur korrupsionin e mjekëve ndaj pacientëve, drejtuesit e QSUT-së kanë menduar që të bëhet regjistrimi kompjuterik i vizitave, duke u koordinuar me dokumentacionin, për të kontrolluar lëvizjet e të gjithë pacientëve. Në këtë mënyrë pritet të dixhitalizohen për herë të parë, të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë jo vetëm me vizitat, por edhe me shërbimet e tjera që ofrohen në këtë qendër spitalore. Pritet që këtë vit të vihet në funksion edhe Spitali i Ri, në të cilin do jetë e përfshirë e gjithë Urgjenca, duke shmangur kështu mbipopullimin e madh të saj gjatë muajve të fundit. Regjistrimi kompjuterik Prioritet madhor për 2010-ën dhe për reformën në QSUT, do të jetë regjistrimi kompjuterik i të dhënave. Veprimtaria e të gjitha shërbimeve, e çdo reparti, e çdo pacienti do të regjistrohet në kompjuter, duke bërë koordinimin e informacionit të dokumentuar dhe atij kompjuterik, në mënyrë që të mos u lihet hapësirë mjekëve dhe infermierëve që tu marrin lekë nën dorë pacientëve.

Liri Mëhalla

Last Updated on E Enjte, 18 Shkurt 2010 21:51

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›