Tafaj ndryshon rrënjësisht reformat e Pollos, shpërndarja e librave rikthehet në shkolla
Reforma e para pak viteve në arsim, e ish-ministrit të Arsimit Genc Pollo, përfundimisht është çarmatosur nga ministri aktual Myqerem Tafaj. Pas ndryshimeve që Tafaj i bëri Maturës Shtetërore, një tjetër ndryshim është ai i teksteve shkollore parauniversitare. Sipas Ministrisë të Arsimit, duke filluar që në shtator të këtij viti, tekstet nuk do të jepen më në librari, por në shkolla.
Pra, tekstet mësimore, pësojnë një sërë ndryshimesh, duke filluar nga përgatitja e tyre, por edhe shpërndarja e tyre, e cila do ti nënshtrohet një kontrolli të rreptë për të shmangur cilësinë e dobët të librave dhe rritjes së çmimeve në formë abuzive. Këto të dhëna bëhen të ditura nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili dje bëri publike reformën e thellë që do të ndërmerret për tekstet alternative në sistemin parauniversitar për vitin shkollor 2010-2011. Tafaj bëri me dije se gjatë këtyre viteve nuk janë respektuar standardet e cilësisë për një pjesë të librave që iu janë dhënë nxënësve dhe çmimet e fletoreve të punës dhe të ushtrimeve janë shitur me çmime 2 deri në 3 herë më të larta se vetë libri. Në Vitin 2010-2011 nuk do të hyjë asnjë libër apo fletorë pune e pa certifikuar. Kjo do të bëjë uljen e kostos së madhe për familjet që bënin blerjen nga shitësit abuzive, u shpreh Tafaj.
Ndryshimet
Ndryshimet dhe përmirësimet kryesore në Paketën Informuese Altertekst 2010-2011 do të vërehen së pari në procesin e shpërndarjes së librit, i cili këtë vit do të shitet direkt në shkollë. Shkollat do të vënë në dispozicion mjedise për të gjithë botuesit që kanë fituar të drejtën e çuarjes së librit në atë shkollë mbi bazën e përzgjedhjes. Kjo, masë do të eliminojë radhët e gjata dhe do të sigurojë një mbikëqyrje të drejtpërdrejtë nga drejtoria e shkollës për librat që shiten. Por, nuk do të kenë asnjë lidhje me tregtimin e tyre, shitësit do të paguhen nga vet shtëpitë botuese. Kjo është çështje krejtësisht e botuesit, e cila kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet, pasi vetë botuesit do ta çojnë librin në shkollë, por drejtoria e shkollës ka mundësinë të mbikëqyrë direkt procesin brenda saj, pohoj Tafaj. Një tjetër ndryshim është edhe certifikimi i librave. Në shkollat tona në vitin 2010-2011 nuk do të hyjë asnjë libër i pa certifikuar. Kjo do të bëjë që të ulet shpenzimi i madh që bënin familjet shqiptare për fletoret dhe librat e ushtrimeve që shiteshin në një mënyrë abuzive në shkolla, ka theksuar Tafaj. Një risi tjetër në Paketën informuese Altertekst 2010-2011 është shpallja, për herë të parë e tre teksteve, për fëmijët e emigrantëve shqiptare. Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare, një libër për ciklin e ulët nga klasa I-V, një për ciklin e lartë të shkollës 9-vjeçare nga klasa e VI-IX dhe një libër i tretë për shkollën e mesme.
Vlerësimi i autorëve
Ministri Tafaj, shpjegoi dje dhe procedurat e vlerësimit të autorëve. Kështu, grupi i autorëve vihet në fokus të vlerësimit të cilësisë së tekstit. Deri tani Alterteksti ka vënë në plan të parë botuesin. Këtë vit për herë të parë çdo shtëpi botuese, librin do ta dërgojë në komision me dy recenca anonime që nuk kanë emër, të cilat duhet të jenë nga dy personalitete të njohur në fushë që japin një vlerësim për tekstin që paraqitet në konkurrim. MASH i ka kushtuar rëndësi parësore punës së autorëve. Përvoja e kësaj reforme, po dikton rëndësinë e autorit, si pikë referimi i cilësisë së një teksti, cilësoi Tafaj, sipas të cilit këtë vit Alterteksti përfshin në formulën e vlerësimit, grupin e autorëve, ku autori zë 1/5 e pikëve. Unë i ftoj studiuesit, pedagogët dhe mësuesit më të talentuar të Shqipërisë të kontribuojnë në këtë proces kaq të rëndësishëm për shkollën, siç është teksti, u shpreh Tafaj. Në fund, ministri Tafaj u ndal dhe në procesin e subvencionimit të librit shkollor, duke shpjeguar se masa e rimbursimit për këtë vit do të jetë 100% për nxënësit e familjeve që marrin ndihmë ekonomike, 50% për nxënësit, kryefamiljarët e të cilëve kanë një pagë mujore nën 30 mijë lekë, dhe për nxënësit e minoriteteve librat do të jenë falas.
Çfarë synon paketa e re e Altertekstit 2010-2011
- Kushte të barabarta konkurrimi për të gjithë aktorët e tregut të librit shkollor
- Transparencë në procedurat e vlerësimit të teksteve, sidomos të autorit apo të grupit të autorëve
- Cilësi më të lartë të botimit dhe tregtimit të librit
- Kompensim përmes rimbursimit të nxënësve që vijnë nga familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe kategori të ulëta të pagës
- Botimin për herë të parë nëpërmjet konkurrimit të teksteve për fëmijët e emigrantëve shqiptarë
Liri Mëhalla