QSUT, Vasili: Spitali i ri, një strukturë moderne
“Brenda muajve mars-prill të vitit të ardhshëm, spitali i ri në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, një strukturë spitalore moderne nga shumë pikëpamje, do të presë pacientët e parë”, - tha dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e këtij spitali.
Sipas tij, spitali i ri është një strukturë moderne në të gjitha llojet e pikëpamjeve, si për sa i përket mënyrës së konstruktimit dhe shërbimeve që ofron dhe do të jetë gati brenda muajit mars-prill 2010.
Projekti për ndërtimin e spitalit të ri në QSUT është financuar (nga Banka për Zhvillimin e Këshillit të Evropës në vlerën 14 milionë dollarë dhe nga qeveria shqiptare me 7.4 milionë dollarë, vetëm për ndërtimin e godinës.). Për pajisjet mjekësore, investimi do të financohet nga qeveria shqiptare në masën 8 milionë euro.
Nga 7 fazat e parashikuara në masterplanin e zhvillimit të kësaj qendre, kjo është faza e parë e tij, ku po realizohet ndërtesa e re spitalore me 5 kate.
Në këtë ndërtesë do të vendosen ekzaminimet e imazherisë dhe diagnostikimit; urgjenca 1 dhe 2 me 18 shtretër observimi (kati përdhe); mjekësi e përgjithshme, 30 shtretër, dhe kirurgji e përgjithshme, 30 shtretër (kati i parë), reanimacioni me 15 shtretër dhe laboratorët kimikë (kati i dytë); departamenti i hematologjisë, me 16 shtretër standard, 6 të specializuar dhe 14 për pacientët ambulatorë (kati i tretë); si dhe 7 salla operacioni 8 shtretër post operator dhe laboratori histologjik (kati i katërt). Gjithsej, spitali i ri do të ketë 115 shtretër.
Blerja e pajisjeve mjekësore do të bëhet në 2-3 lote, nga të cilat loti kryesor do të jetë ai ku do të përfshihen pajisjet e imazherisë, diagnostikës dhe laboratorëve. Kjo fazë e projektit parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2009.