E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISO 9001 dhe biznesi i ndërtimit



Në ditët e sotme ekonomia botërore krijon një mjedis ku plotësimi i standardeve nuk është një opsion, por një kërkesë. Mundesitë që ofron tregtia globale kanë shtuar kërkesat konstante të bizneseve për të realizuar kontrata të mëdha. Megjithatë, shumë kompani shqiptare ndërtimi po e humbasin këtë shans, jo sepse ato janë të vogla, por sepse nuk kanë një element vital që klientët e tyre potencialë kërkojnë - Standardin ISO 9001:2008. Numri i kompanive tona të ndërtimit të çertifikuara me standardin e mësipërm mbetet ende i ulët krahasuar me fushat e tjera të biznesit. Deri tani, rreth 35 kompani janë çertifikuar apo janë në process çertifikimi në sektorin e ndërtimit, pra me pak se 2 përqind. (Në gjithë vëndin operojnë rreth 2,350 kompani ndërtimi, nga të cilat rreth 800 kompani në Tiranë, 234 në Durrës, 148 në Vlorë, 123 në Shkodër, 121 në Fier etj.). Përdorimi i standardeve ndërkombëtare ISO është një domosdoshmëri për cilindo biznes ndërtimi që synon të krijojë një pozitë të qëndrueshme në treg. Standardet përfshijnë metoda analizash të sigurta të cilat orientojnë prodhimin drejt një cilësie në rritje që siguron konkurrueshmëri të lartë. Për të kuptuar se sa larg qëndrojmë nga ai produkt ose shërbim që është cilësuar i standardizuar duhet patjetër të njohim standardet. Po çfarë është ISO? Nënkupton “International Organization for Standardization”(në anglisht: “Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin” e lidhur me nje rrjet të instituteve të standardeve kombëtare të më shumë se 157 vëndeve të botës, ku dhe Shqipëria është anëtare. ISO përgatit standardet ndërkombetare pothuajse për të gjitha llojet e teknologjisë dhe është zhvilluesja më e madhe botërore e standardeve, të cilat shërbejnë si një gjuhë e përbashkët teknologjike mes furnitorëve dhe klientëve te tyre. Standardet e serisë ISO 9000 janë standardet me të njohura ndër gjithë standardet e tjera të ISO-s. ISO 9001:2008 është “Standardi i Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë (QMS)” më i përhapur dhe përdorur në gjithë botën, i cili është i lidhur me “Menaxhimin e Cilësisë”. Kjo do të thotë që kompanitë që aspirojnë cilësi në produktet dhe shërbimet e tyre duhet të plotësojnë kërkesat që kanë konsumatorët për cilësinë, kërkesat në zbatim të legjislacionit, duke synuar rritjen e kënaqësisë së konsumatorit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të të gjithë performancës së kompanisë. Në ditët e sotme, kur klienti është mbret dhe dinamika e ndryshimit të mjedisit të biznesit kërkon që kompanite e ndërtimit të kenë një sistem menaxhimi të përcaktuar mirë, të qëndrueshëm dhe të orientuar nga rezultatet, këto kompanitë do të gjejnë tek çertifikimi me standardin ISO 9001 çelesin e suksesit për të rritur efektivitetin dhe efikasitetin e aktivitetit, duke siguruar besueshmeri te larte ndaj produktit te tyre. Ky standard ofron shumë përfitime për biznesin e ndërtimit, të cilat përfshijnë një gamë të gjërë nga planifikimi më i mirë i burimeve tek monitorimi efektiv dhe kontrolli i projektit, nga përmirësimi i efiçiences së punonjësve dhe pakësimit të ankesave të klientëve tek rritja e produktivitetit dhe përmirësimi i imazhit në treg. Ai i jep një rëndësi të vecantë kërkesave të klientit dhe përmirësimit të performacës së biznesit nëpërmjet rritjes së kënaqësisë së klientit. Menaxhimi i kompanisë me sistemin ISO 9001:2008 i zbatuar mirë ofron përfitime të shumta për biznesin e ndërtimit, të tilla si rritja e shitjeve, klientë dhe furnitorë më të kënaqur, ulje e kostove dhe humbjeve, përparësi në konkurim, plotësim i kërkesave për pjesëmarrje në tender dhe mundësi për t’u lidhur me kompani ndërkombëtare me reputacion. Nga sondazhet e kryera tek kompanitë e ndërtimit të certifikuara me ISO 9001 në Shqipëri, janë vërejtur rezultate, si 30 përqind reduktim i ankesave të konsumatorëve, 95 përqind përmirësim në afatet kohore të shpërndarjes së mallrave dhe shërbimeve, 40 përqind reduktim në ciklin kohor të produktit si dhe ulje të difekteve nga 3 në 0.5 përqind. Për kompanitë e interesuara të realizojnë këto përmirësime, projekti për zhvillimin dhe çertifikimin e Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë sipas Standardit ISO 9001:2008 do të përshkojë disa faza, si kontrata (marrëveshja) me klientin, ku pёrfshihen ne menyre te detajuar marrëdhëniet midis Konsulentit dhe Klientit si dhe Fazat në të cilat do të kalojë procesi i standartizimit, struktura e Sistemit të rekomanduar të cilësise, i cili do të adoptohet nga Klienti me asistencën e Konsulentit, konsultimi dhe implementimi i sistemit, kontrolli i brëndshëm “auditim” dhe dhënia me sukses e Çertifikatёs ISO 9001 nga një Trup Çertifikues Ndërkombëtar. Procesi i Konsultimit për Kompanitë e Ndërtimit për të marrë Çertifikatën ISO 9001 zgjat nga 3 deri në 6 muaj. Mёnyra e pёrcaktimit tё kohёs dhe çmimit bëhet duke u bazuar në objektin e veprimtarisë së kompanisë, numrin e të punësuarve, kantiereve qё do tё pёrfshihen në proces, shumëllojshmërinë e proceseve, kompleksitetin e aktiviteteve tregtare etj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›