QSUT burim infeksionesh, pacientët dalin nga spitali me disa sëmundje
Qendra Spitalore Universitare, mbetet sërish burim infeksionesh për pjesën më të madhe të pacientëve. Por përveç kësaj të vërtete të hidhur që lidhet direkt me shëndetin e të sëmurëve në spital, një problem që ndikon së tepërmi në përhapjen e infeksioneve të ndryshëm është edhe papastërtia në pavijone e cila është katastrofike dhe burim direkt i mikrobeve që
përhapin infeksionet e ndryshme. Në lidhje me këtë janë vetë mjekët që e pranojnë haptazi se pacientët janë tepër të rrezikuar nga infeksionet në tërësi dhe se këta të fundit për ti shpëtuar ndonjë infeksioni të mundshëm duhet të kurohen në shtëpitë e tyre. Nga një vëzhgim i kryer nga gazeta SOT në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në disa prej pavijoneve ku infeksionet paraqesin edhe rrezikshmëri për jetën e pacientëve vetë mjekët janë ata që ju rekomandojnë pacientëve të tyre të largohen nga spitali sepse ky i fundit është dhe do të mbetet burim infeksionesh. Sipas vetë mjekëve edhe në rastet kur pacientët kanë nevojë për gjak apo mjekim të specializuar dhe ky mjekim është jo i përditshëm atëherë pacientët duhet të largohen në shtëpi dhe të paraqiten në spital vetëm për të marre mjekimin. Premtimet boshe të Ministrit Vasili për lëshimin e një fondi që do të shkonte për infeksionet spitalore. Rreth një vit më parë vetë kreu i Ministrisë së Shëndetësisë ka deklaruar se një nga masat që do të merren në parandalimin e infeksioneve spitalore është edhe lëshimi i një fondi që do shkonte për infeksionet spitalore. Spitalet marrin një pjesë të caktuar parash, të cilën e përdorin për shumë punë, por sot ne shkojmë drejt specifikimit të buxhetit për zëra të caktuar ka theksuar Vasili kohë më parë. Lidhur me përqindjen e infeksioneve spitalore, ai pohoi se kjo shkon sipas klinikave të caktuara dhe infrastruktura jo e mirë e spitaleve është një nga shkaktarët kryesorë të infeksioneve. Por lidhur me këtë Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, deklaroi edhe në fillim të këtij vitit se nga Ministria e Shëndetësisë do të kemi planin e detajuar, së bashku dhe me buxhetin përkatës për të pasur një përballim të përditshëm të luftës ndaj infeksioneve spitalore. Por asnjë masë nuk është marrë deri më tani dhe infeksionet në pavijonet e spitalit sa vijnë edhe shtohen. Kjo do të thotë që përveç mashtrimit dhe korrupsionit asgjë tjetër nuk është shtuar në QSUT, pasi fondet edhe sikur të miratohen e kanë tjetërkund destinacionin. Por sipas studimeve të kryera një nga shkaktarët kryesorë të infeksioneve në spital është edhe papastërtia ose mbetja e plehrave në ambientet e ndryshme të spitalit sidomos në dhoma e në tualete ku higjiena duhet të jetë një nga gjërat primare për përmirësimin e shëndetit të pacientit. Por në dhomat e pavijoneve në QSUT ndodh e kundërta. Dhomat në të shumtën e rasteve pastrohen vetëm me leckë e merimangat në mure tregojnë se në to jo vetëm që nuk është vënë bojë prej disa kohësh por pluhurat kanë krijuar tashmë një masë të madhe mikrobesh. Por më problematike shfaqet gjëndja në tualetet e spitalit ku era e keqe kundërmon ngado e plehrat e mbetjet janë të përhapura ngado. Për të mos përmendur më pas dyert pa doreza e dritaret që nuk pastrohen kurrë. Infeksionet spitalore përkeqësojnë gjendjen e të sëmurëve, madje sipas specialistëve, përcaktuesit kryesorë të infeksioneve spitalore janë infeksionet e plagëve kirurgjikale, të akseseve onoze, infeksionet respitalore dhe ato urinare. Të dhënat e fundit tregojnë për një rritje në vazhdim të treguesve përsa u takon këtyre infeksioneve në QSUT
Statistika të frikshme në QSUT, 1 në 3 pacientë merr infeksione
Në bazë të statistikave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Cilësisë dhe sigurisë dhe akreditimit disa kohë më parë 38% e rasteve të operacioneve që kryhen në QSUT, preken nga infeksionet spitalore. Por përveç kësaj edhe kushtet skandaloze në pothuajse të gjitha pavijonet mbeten përherë një burim i sigurt infeksionesh. Ndërsa një problem tepër shqetësues mbeten edhe spitalet e rretheve në të cilët mungojnë të dhënat. Por nga studimet e deritanishme mësohet se në katër vdekje një mund të ketë shkak infektimin në ambientet e spitali . Sipas një qytetareje nga Tirana ditën e djeshme ka qenë vetë një prej mjekeve të pavijonit ku ajo ishte shtruar i cili i kishte propozuar të kthehej në shtëpi se në spital rrezikonte të merrte ndonjë infeksion. Por edhe pse pacientja i kishte thënë se ajo kishte nevojë për tu mjekuar në spital mjekja kishte këmbëngulur duke i thënë që të kthehej në spital vetëm për të marrë mjekimin sepse spitali kishte vetëm infeksione dhe ky fakt ishte një problem për thellimin e problemeve tek e sëmura. Më pas pacientja tregon që pasi kishte marrë një flakon gjak kishte mbledhur teshat dhe ishte kthyer në shtëpi me rekomandimin e vetë mjekes sipas së cilës edhe vetë stafi mjekësor rrezikon të marrë ndonjë infeksion të mundshëm nga papastërtitë dhe shumë llojshmëria e sëmundjeve të ndryshme në atë pavijon. Infeksionet spitalore në vendin tonë janë një problem jo i vogël. t. Drejtori i kësaj qendre, Isuf Kalo ka deklaruar kohë më parë se ky është një problem global, por në Shqipëri mbetet më i theksuar dhe paraqet rrezikshmëri në shumë raste për pacientët. Në botë 1 në 25 njerëz operohet dhe 10% e mortalitetit i faturohet infeksioneve. Mbi 7 milionë njerëz mbeten të invalidizuar dhe në 50% të rasteve kjo mund të evitohej. Por në vendin tonë statistikat tregojnë një fakt që për të gjithë ne mbetet një problem i madh. Sipas Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, një në tre pacientë që kryejnë operacione në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza preken nga infeksionet spitalore. Të dhënat tregojnë se faktorët kryesorë të infeksioneve janë mungesa e infrastrukturës dhe hyrja e dalja e parekomanduar e të afërmeve të pacientëve. Studimet evidentojnë gjithashtu se pavijonet më të rrezikuara janë ato ku paraqiten të sëmurët më të rëndë, tek të cilët bien forcat imunitare dhe rritet risku për shfaqjen e infeksioneve. Faktorët e infeksioneve spitalore janë të shumtë, si ambientalë, infrastrukturorë etj. Sipas të dhënave, infeksionet spitalore përbëjnë 1/4 e shkaqeve të vdekjeve
Arta AGOLLI
Last Updated on E Marte, 06 Prill 2010 20:43