QSUT, dy miliardë lekë në vit për ilaçe dhe aparatura
Onkologjiku, 500 milionë vetëm për citostatikët
Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza thith pjesën më të madhe të buxhetit të shëndetësisë. Nga 5 miliardë lekë që është financimi i spitaleve në total, 2 miliardë shkojnë vetëm për QSUT-në. Por pavarësisht kësaj deri në muajin gusht ky spital do vazhdoj të vuajë mungesën e ilaçeve. E njëjta situatë shfaqet edhe për aparaturat mjekësore, edhe pse ka përfunduar 6-mujori i parë QSUT-ja nuk ka blerë asnjë aparaturë të re. Në këtë spital e vetmja aparaturë e re e regjistruar është një respirator mekanik për shërbimin e Reanimacionit të Pediatrisë, e dhuruar nga Presidentja e Shoqatës franceze "Chempea", Znj Solange D'Angely.
Buxheti
Dje, në seancën parlamentare, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka qenë i thirrur në interpelancë nga deputeti i PS-së, Eltar Deda. Në fjalën e tij, Vasili ka prezantuar strategjinë e dikasterit që drejton si dhe ka detajuar investimet që do të kryhen gjatë këtij viti në shëndetësi. Vasili tha: Prioritet i është dhënë funksionimit sa më të mirë të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, si qendra spitalore e cila mban një peshë mjaft të madhe në shërbimin mjekësor në vendin tonë. Konkretisht, për këto spitale shkojnë 2.632.000.000 lekë, nga ku 394,421,008 lekë për aparatura e pajisje mjekësore të spitalit të ri të urgjencës, blerje pajisje mjekësore për disa shërbime, fonde shtesë për rikonstruksionin e shërbimit të Neurokirurgjisë dhe shërbimit Pediatrik, si dhe spitalit Infektiv. Po kështu plani i shpenzimeve operative për vitin 2010, për zërin 602 Mallra e shërbime është 2,632,000,000 lekë. Nga kjo shumë janë planifikuar për blerje barnash dhe materiale mjekësore për këtë vit, janë 1,470,038,131 lekë ose rreth 60% ndaj totalit. Shpenzimet më të shumta për ilaçet i marrin citostatikët të cilët kapin shumën 507,496,021 lekë, ndërsa paketa bazë e barnave kap shumën 621,503,979 lekë.
Ministri tha: Duke gjykuar nga gjendja e fundit të vitit të kaluar, për këtë vit prioritet iu dha këtyre dy grupeve, duke rritur planin e paketës bazë të barnave nga 420,000,000 lekë në vitin 2009 në 621,503,979 lekë, pra 67,57% rritje, si dhe citostatikëve nga 300,000,000 lekë në vitin 2009 në 507,496,021 lekë në vitin 2010 ose 59.11% më shumë. Në raportin e tij kreu i shëndetësisë deklaroi se procedurat e tenderimit të medikamenteve parashikohen të përfundojnë në fund të muajit gusht. Po kështu, ai shtoi se për materialet e mjekimit, të planifikuara me fondin aktual prej 341,038,131 lekësh, është e domosdoshme të ketë një rritje progresive.
Spitali
Aktualisht, në këtë spital është arritur që të kontraktohen mbi 60% e medikamenteve të hedhura në prokurim. Për pjesën tjetër të medikamenteve për të cilat nuk u arrit të nënshkruhen kontratat, për shkak të mungesës së konkurrencës ose për shkak të defekteve në dokumentacionin e kompanive gjatë konkurrimit, ka filluar rishpallja e procedurave dhe deri në fund të muajit gusht, pritet që të realizohet edhe kontraktimi i tyre, - deklarojnë burimet zyrtare në QSUT. Po kështu, vazhdojnë procedurat e prokurimit edhe për furnizimin e spitaleve me materiale konsumi mjekësor dhe me mbylljen e procedurave të prokurimit; janë marrë të gjitha masat për fillimin e lëvrimit të medikamenteve nëpër spitale.
Investime
Blerje pajisjesh mjekësore për të gjitha spitalet e Shqipërisë: 1.181 miliard lekë Rikonstruksione dhe ndërtime: 1.194 miliardë lekë Blerje pajisjesh mobilimi: 103 milionë lekë Blerje pajisjesh elektronike dhe elektrike: 89 milionë lekë Kosto lokale dhe TVSH për financimet e huaja: 586.450 milionë e lekëViti
6-mujori I
Pacientë të
shtruar
Ditë
qëndrimi
Ditë
shfrytëzimi në %
2009
29,782
6,68
81,68
2010
30,437
6,84
82,11