Pak Shqipëri në Azerbajxhan
Azerbajxhani është shumë larg nga Shqipëria, por në ish-republikën sovjetike, të njohur edhe si një nga superfuqitë e shahut, në futbollin vendas ka dhe gjurmë nga vendi ynë, madje aty luajnë tre lojtarë të Kombëtares shqiptare. Admir Teli, Ansi Agolli, Elvin Beqiri dhe Leandro Pema formojnë komunitetin kuqezi në vendin ku mundja e lirë konsiderohet një sport kombëtar. Mbrojtësi Elvin Beqiri është një nga 12 lojtarët e huaj që aktivizohen me Khazar Lankaranin, skuadrën që për momentin mban vendin e dytë në kampionatin azerbajxhanas. Një sukses që trajneri rumun Mirçea Redniç duhet ta ndajë para së gjithash edhe me shkroanin. Për Elvin Beqirin, statistikat e këtij sezoni janë shum të mira me Khazar Lankaranin. Mbrojtësi 30-vjeçar ka luajtur 18 ndeshje (1436 minuta në total). Me pesë gola, kostarikani Uinston Tifet është golashënuesi më i mirë i skuadrës, dhe menjëherë pas tij vjen shkodrani Elvin Beqiri, 4 gola, e që e ka shënuar tri herë golin e parë të skuadrës së tij. Beqiri shënoi të dy golat në fitoren 2-0 ndaj Moikut në transfertë, një gol kundër Azalit dhe nëj tjetër Qabalasë. Beqiri është një nga lojtarët që ka luajtur edhe Ukrainë, Izrael dhe Rusi, e sigurisht edhe në Shqipëri, me Vllazninë e qytetit të tij. Në Izrael ai ka luajtur për Makabi Tel-Avivin, ndërkohë që në kampionatin hebre kanë luajtur edhe Adrian Aliaj, Viktor Paço dhe Amarildo Zela. Në kampionatin rus ka luajtur edhe Ilion Lika. Te Karabaku aktivizohen me sukses dy lojtarë të tjerë të Kombëtares shqiptare, mbrojtësi Admir Teli dhe mesfushori i majtë, Ansi Agolli. Pikërisht me Karabakun humbi 2-1 ndeshjen e fundit, Khazar Lankaranin, me të tre lojtarët shqiptarë si titullarë, një ndeshje që përkoi me fitoren e tretë rresht të Karabakut dhe humbjen e parë pas katër fitoreve të Khazarit. Gjithsesi, Khazar, me 40 pikë renditet i dyti, me shtatë pikë më shumë se Karabaku i vendit të pestë, 33. 29-vjeçari Admir Teli është një nga lojtarët titullarë të skuadrës së tij: ka luajtur 17 nga 19 ndeshjet e fazës së parë të kampionatit azerbajxhanas. 28-vjeçari Ansi Agolli, i huazuar nga ukrainasit e Kribvasit te Karabaku, ka luajtur 18 ndeshje (1620 minuta), në skuadrën ku dushja shqiptare përbën edhe numrin më të madh të huajve, e ku bëjnë pjesë edhe një turk, një gjeorgjian dhe një letonez. Agolli ka “bredhur” paksa, pasi tiranasi ka luajtur edhe në Zvicër, Finlandë dhe në Ukrainë. Lojtari i katërt shqiptar është sulmuesi Elenadro Pema. Tiranasi luan në radhët e Azalit të vendit të tretë, 34 pikë. Ish-lojtari e Tiranës, Flamurtarit, Dinamos e Kastriotit, por dhe me një të kaluar në Turqi te Samsunspori, është aktivizuar në 11 ndeshje, por pa mundur të shënojë.
Lorik Cana, lojtari më i shtrenjtë shqiptar, luan në Turqi në një prej ekipeve më të mëdha të këtij vendi, Gallatasaraji të Stambollit. Në Turqi, aty ky dikur ka luajtur edhe Vioresin Sinani, Klodian Duro, Alban Bushi, Redi Jupi, tani japin kontributin e tyre te Genshlerbirlixhi edhe Debatik Curri, Labinot Harbuzi dhe talenti Bekim Balaj, por dhe Gilman Lika. Në Austri, Shqipëria ka 2 përfaqësues të spikatur të saj, Hamdi Salihin te Rapidi i Vjenës dhe Klodian Duron te Lask Linci. Te Rapidi luan edhe kosovari Atdhe Nuhiu. Në Arabinë Saudite luan sulmuesi i njohur Migen Memelli, me skuadrën Al-Fajsali, ku pogradecari është dhe shënuesi më i mirë i ekipit. Edhe ish-futbollisti i njohur shkodran Hysen Zmijani, ka luajtur me Al-Nasr Ryadh, në Arabinë Saudite, madje ka dalë kampion me këtë skuadër. Në Ukrainë luajnë Armend Dallku, Ahmed Jonuzi dhe Parid Xhihanit. Në Kroaci janë Arbër Abialiaj dhe Xhevair Sukaj. Shifrat e transferimeve të lojtarëve shqiptarë nuk mund të konkurrojnë kurrsesi me ato të “yjeve” të përmasave botërore, megjithatë janë të respektuara.
Stafsula në Kazakistan
Dritan Stafsula, i cili aktualisht aktivizohet te Bodens BK në Suedi, ka luajtur më parë në Kazakistan me Astanën.
Zela, 14 ekipe në 5 vende të ndryshme
Ish-lojtari i Partizanit, Amarildo Zela, ka luajtur në pesë vende të ndryshme duke veshur fanellën e 14 ekipeve. Gjeografia e tij përfshin Shqipërinë, Gjermaninë, Kroacinë, Austrinë dhe Izraelin. Karriera e Zelës nisi në vitin 1991 për tu mbyllur në vitin 2008. Alban Bushi, golashënuesi më i mirë i Kombëtares shqiptare, ka luajtur në 6 vende me fanellat e 12 ekipeve të ndryshme.
Lorik Cana: “E kaluam më të vështirën”
Mesfushori shqiptar Lorik Cana tha për mediat turke se Gallatasaraji është një ekip që gjithmonë ka luftuar për të qenë në tre vendet e parë. “Kaluam një periudhë të vështirë. Megithatë nuk është e lehtë të jesh në majë, por ne duhet të jemi atje. Faza e parë ka qenë për ne me të vërtetë e vështirë. Kemi pasur shumë dëmtime. Ne shpresojmë se në pjesën e dytë të sezonit të bëjmë më mirë. E ardhmja? Mendoj se do të ngjitemi akoma më shumë”. Lorik Cana është futbollisti shqiptar për të cilin është paguar më shumë. Për të marrë Canën nga Paris Sën Zhermeni, Marseja pagoi 4 milionë euro, Sanderlendi pagoi 6 milionë euro për ta marrë nga Marseja, dhe Gallatasaraji 4.5 milionë euro për ta marrë nga klubi anglez. Për talentin e Kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka, drejtuesit e klubit të Mainz në Bundesligën 2 gjermane gjatë merkatos së verës 2008 paguan 3.7 milionë euro, rekord për një futbollist shqiptar vetëm 20 vjeç.
Foto-lajm
Adelina Tahiri, e dashura e Lorik Canës
Mediat turke po i bëjnë i kushtojnë vëmendje këngëtares 23-vjeçare Adelina Tahirit, që sipas tyre është e dashura e Lorik Canës. Të dy janë parë shpesh në rrugët e Stambollit, ku ajo ka qëndruar për rreth 1-2 javë. Tahiri është një nga këngëtaret më të njohura në Kosovë, madje albumi i saj ka qenë ndër më të shiturit për vitin 2010.
Bajerni: “Besojmë ende te titulli”
Rekordemni i Gjermanisë, Bajerni i Munihut, beson ende te titulli kampion dhe do të luftojë fort në fazën e dytë të Bundesligës për të përmbushur këtë objektiv, pavarësisht dominimit të qartë të Borusias së Dortmundit në pjesën e parë të sezonit.
Filipo Lahm beson akoma te titulli, dhe po kështu edhe drejtori sportiv, Kristian Nerlinger, teksa thekson se edhe ndonjë tensioni në marrëdhëniet midis presidentit Uli Hënes dhe trajnerit Luis van Gal i ka ardhur fundi.
Lojtari i Kombëtares gjermane, Filip Lahm, tha gjatë një interviste për “Bild”, se Bajerni është në ndjekje të kryesuesit të Bundesligës, Borusias së Dortmundit. “Ne do të përpiqemi të bëjmë gjithçka në ndeshjet e kthimit, për ta bërë sezonin edhe më tërheqës”, - premtoi Lahm. “Nëse ka ndonjë ekip që shpreson më shumë në fazën e dytë, ai jemi ne”.
Edhe pse diferenca me Borusian e Dortmundit është 14 pikë, Lahm ashtu si dhe bosi i Bajernit, Karl-Hajnc Rumenige, është i bindur se rekordmenët gjermanë janë ende në garën për titull. “Ne dëshirojmë që të pamundurën ta bëjmë të mundur. Ne besojmë gjithmonë te vetja jonë”, - theksoi mbrojtësi.
Bajerni do të ketë në dispozicion për pjesën e dytë të sezonit dhe anësorin holandez, Arjen Roben. “Unë nuk luajta për një gjysmë viti. Kjo nuk do të thotë automatikisht, që nëse unë do të luaj, gjithçka do të shkojë mirë”, - tha Roben në faqen zyrtare të klubit. 14 pikë diferencë nuk është një gjë e lehtë për t’u arritur, mendon lojtari i Kombëtares holandeze. 26-vjeçari për shkak të një problemi muskulor në pjesën e sipërme të kofshës nuk ka luajtur ende këtë sezon. Gjatë grumbullimit të skuadrës nga 2 deri më 9 janar në Katar, ai do të përpiqet të jetë plotësisht gati për ndeshjet e kthimit.
Lahm foli edhe për sfidën kundër Interit në Ligën e Kampioneve, duke theksuar se skuadra e tij ka shanse të mira për të zënë një vend në çerekfinalet e kompeticionit. “Ne i gëzohemi një revanshi dhe unë shoh se ne kemi një përparësi të lehtë”, - tha mbrojtësi Lahm. “Kur Bajerni luan kundër Interit, Barçës, Realit apo Çelsit, atëherë shanset janë 50:50, gjithçka vendoset nga forma e asaj dite”.
Tuhel: “Barcelona, shembulli i Maincit”
Trajneri i suksesshëm Tomas Tuhel dëshiron që Mainc 05 të jetë një nga adresat e para për rritjen e talenteve të rinj. 37-vjeçari, trajneri më i ri në moshë gjatë këtij sezoni në Bundesligë, ka si shembull fituesen e Ligës së Kampioneve, Barcelonën, për ta pasur si model për një klub të vogël. “Me filozofinë e klubit dhe zbatimin e saj Barcelona mund të jetë një shembull i mirë”, - tha 37-vjeçari për agjencinë gjermane të lajmeve, Dpa.
Ashtu si spanjollët, edhe Tuhel e ka akademinë e lojtarëve si prioritetin më të lartë. “50 për qind e grupit të lojtarëve duhet të vijnë nga akademia e klubit. Ashtu, si dhe trajneri”, - theksoi ai. “Identiteti i klubit është më i rëndësishëm se personat që e përbëjnë atë”.
Objektivi madhor i Tuhelit: “Ne dëshirojmë që në Gjermani të jemi adresa për rritjen e lojtarëve deri në moshën 23 vjeç. Mainci ka në Gjermani një qendër shumë të mirë. Këtë duam të shfrytëzojmë dhe ne për qëllimet tona”.
Mainci është duke bërë një sezon të shkëlqyer, duke e mbyllur fazën e parë në vendin e dytë në Bundesligë, me 33 pikë, 10 më pak se Borusia e Dortmundit që mban dhe vendin e parë. Sa për kujtesë, sezonin e kaluar pjesë e Maincit ishte dhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka, përpara se ai të transferohej te Panionosi në Greqi.
29 Dhjetor 2010