QSUT, mungesa e energjisë elektrike rrezikon pacientët
Emanuela Sako
Mungesa e energjisë elektrike në QSUT vë në rrezik jetën e pacientëve. Të afërmit e pacientëve në Spitalin Infektiv bëjnë të ditur se mungesa e energjisë elektrike mungon që prej një muaji dhe ka vënë në rrezik jetën e pacientëve që kuron në këtë spital. Sipas tyre, në këtë spital nuk kryhen as vizita në oraret e caktuara dhe sidomos për ata që mbahen me frymë artificialisht problemi bëhet edhe më i madh. E vetmja zgjidhje e gjetur nga personeli shëndetësor është vendosja e gjeneratorëve, por edhe ata në shumicën e rasteve nuk punojnë për shkak të vjetërsisë së tyre. Pas ankesave të bëra në Drejtorinë e QSUT-së, është dhënë premtimi se zgjidhja do të bëhet duke zëvendësuar gjeneratorët e vjetër me të rinjtë.
Rastet
Problemi i energjisë elektrike bën që shumica e pacientëve që kanë nevojë për ndërhyrje respiratore, apo për kryerjen e operacioneve, për kryerjen e vizitave nëpërmjet aparaturave, të pezullohen. Por ajo që është më emergjente është mbajtja në jetë e pacientëve që ndodhen nën varësinë e aparaturave të cilat punojnë nëpërmjet energjisë elektrike. Mungesa e energjisë elektrike në QSUT është një problem i përvitshëm dhe sidomos gjatë sezonit të dimrit. Duket se drejtoria nuk ka gjetur ende një zgjidhje konkrete për t’i dhënë fund këtij problemi që shfaqet çdo sezon dimri. Përveç këtyre problemeve, mungesa e energjisë bëhet shkak për përkeqësimin e situatës së pacientëve të tjerë që kurohen pa qenë në rrezik për jetën.
Pacientët
Ata mund të sëmuren nga të ftohtët në rast se nuk punojnë kaloriferët që marrin nga shtëpitë e tyre, pasi sistemi i ngrohjes me kaldaja nuk funksionon në çdo kohë. Kështu, pacientët rrezikojnë të marrin të ftohtë ndërkohë që kurohen nga sëmundje të tjera. E vetmja mënyrë që u mbetet pacientëve të kujdesen për veten e tyre është që të ngrohen nëpërmjet batanijeve që marrin nga familjet. Sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes në QSUT funksionon vetëm në sallat e operacioneve dhe në sallat e Reanimacionit. Këto janë dy shërbimet, ku asgjë nuk mund të funksionoje nëse nuk mundësohet një gjë e tillë. Ndërsa të gjitha pavijonet e tjera zgjidhja gjendet në mënyrë vetjake. Të afërmit marrin kaloriferë në dimër dhe ventilatorë në verë. Ndërsa gjatë kësaj periudhe ata marrin batanije me vete. Megjithëse rregullorja e QSUT-së e përjashton kategorikisht marrjen e materialeve dhe ushqimit nga familja, asnjë pacient nuk e respekton këtë rregullore. Sipas rregullores, të gjithë personat që kanë qese me ushqime dhe kanë materiale nëpër duar, nuk duhet të pranohen të hyjnë në ambientet e spitalit. Ky rregull gjendet i afishuar në të gjitha muret e spitaleve, por ende nuk është vënë në zbatim që nga dalja e tij dy vjet më parë. Ish- ministri i shëndetësisë, Nard Ndoka, vendosi këtë rregullore pas përmirësimit të ushqimit në spitale. Njëkohësisht mjekët kërkuan që ushqimi duhet të jetë i kontrolluar për çdo pacient, prandaj duhet të marrin ushqimin e spitalet. Gjithçka që u jepet pacientëve për të ngrënë bëhet në bazë të një diete rigoroze që duhet të jetë e drejtuar nga mjekët.
Spahia: “Grup inspektorësh në spitale për sistemin e referimit”
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur inspektorë për të parë ecurinë e sistemit të referimit që u vendos nga Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas rezultateve të para, të nxjerra nga inspektimet e kryera në të gjithë spitalet e vendit, thuhet se funksionimi i kësaj rregullore po ecën ashtu siç u kërkua. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia u shpreh se se ky sistem ka nisur të japë frutet e para duke sjellë në këtë mënyrë edhe uljen e fluksit të pacientëve në spitale. Rregulli është ndjerë në shërbimet e sistemit terciar dhe në të gjitha poliklinikat. “Ky sistem referimi parashikonte edhe një paketë shërbimesh, të cilat në rastin kur pacienti nuk ishte i siguruar dhe ishte jashtë grupmoshave që ishin parashikuar për të marrë shërbimin falas, disa shërbime duhej t‘i paguanin”, - u shpreh Spahia. Ai u shpreh se Ministria e Shëndetësisë po punon me intensitet të lartë për të eliminuar të gjitha barrierat në shkurtimin e marrjes së kohës së shërbimit nga qytetarët.
Greva për studimet, rëndohet gjendja shëndetësore e dy studentëve Rëndohet gjendja shëndetësore e studentëve grevistë të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Dy prej studentëve të Fakultetit Ekonomi-Agrobiznes kanë përfunduar dje në spital, pasi gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar si pasojë e “ngujimit” të tyre në grevën e urisë, e cila ka nisur që prej pesë ditësh. Studentët shprehen të indinjuar, pasi nuk kanë gjetur mbështetjen e personelit shëndetësor, të cilët nuk kanë dhënë asnjë koment mbi gjendjen e shokëve të tyre, ndërkohë që ata nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje nga dekani apo strukturat e tjera për kërkesën e tyre nëse do të futen në sistemin 2 vjeçar apo jo. Rreth 15 studentë të Fakultetit Ekonomi-Agrobiznes vendosën të futeshin në grevë urie pa afat, pasi kërkojnë të vazhdojnë dyvjeçarin, tani që kanë mbaruar ciklin trevjeçar. Studentët shprehen se i kanë marrë kreditet e kërkuara për vijuar sistemin dyvjeçar, por nuk plotësojnë kriterin e mesatares që ka vendosur fakulteti, i cili i ka lënë ata jashtë dyerve të auditorëve.
Gripi i derrit, mjekët të parët që do të vaksinohen
MSH-ja ka bërë të ditur se mjekët do të jenë ndër kategoritë e para që do të vaksinohen në dhjetor për shkak të rrezikshmërisë së lartë që ata kanë. Sipas specialistëve, mjekët kanë kontakte të vazhdueshme me pacientët dhe janë më të ekspozuar se të gjithë personat e tjerë. Më pas do të bëhet vaksinimi i kategorive të tjera të cilësuara nga MSH-ja si më emergjente. Ndërkohë edhe pacientët janë duke pritur ardhjen e vaksinës antigrip, e cila pak ditë më parë, u premtua nga Ministri i Shëndetësisë se do të vijë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili bëri të ditur se vaksina kundër gripit të derrit vjen në muajin dhjetor. Po në këtë periudhë do të bëhet edhe vaksinimi i popullatës, sipas kategorive të përcaktuara. Ata që do të përfitojnë të parët shërbimin dot jenë kategoritë e rrezikuara, si fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personeli shëndetësor, të moshuarit etj. Ndërkohë që Europa dhe vende të tjera të botës janë përfshirë nga paniku i përhapjes së virusit dhe nga një valë pacientësh që kanë humbur jetën Ministri Vasili është shprehur se në vendin tonë situata është e qetë dhe kjo falë masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, të zbatuara nga spitalet e vendit.
9 Nentor 2009