QSUT, mungojnë korsitë e emergjencës dhe energjia
Sipas drejtorisë së QSUT-së në bashkëpunim me një kompani gjermane do të zgjidhin problemin e trafikut, energjisë dhe trajnimin e stafit
Qendra më e madhe Spitalore Universitare "Nënë Tereza" nuk ka një korsi për rastet emergjente dhe mungon personeli i kualifikuar për grumbullimin e mbetjeve të rrezikshme.
Gjithashtu, as energjia elektrike nuk është e mjaftueshme për këtë spital, vetëm 50 për qind të nevojave mbulohen me energji. Pikërisht, për këto probleme, drejtoria e QSUT-së bën të ditur se në bashkëpunim me kompaninë gjermane Konsorciumi COËI-IPF, ka kryer dy studime lidhur me mjedisin e këtij spitali dhe me furnizimin me energji elektrike. Qendra më e madhe spitalore në vend ka nevojë për 6 mijë kilovat orë nga 3500 kilovat/orë aq sa ç'merr sot.
"Studimi parashikon zbatimin e projektit me vlerë 2 milionë euro, i cili do të konsistojë në ndërtimin e 13 nënstacioneve elektrike me linjë 20 kw nga 6 kw që është aktualisht.
Është menduar që pas dhjetë viteve të menaxhohet furnizimi me energji elektrike, duke siguruar për çdo spital, një mbarëvajtje të shërbimit shëndetësor", u shpreh eksperti për energjinë, Gjergj Simaku.
Specialistët gjermanë rekomanduan që brenda dy vitesh edhe spitalet e vjetra në QSUT të kenë sistem qendror ngrohje e ftohje, njësoj si spitalet e reja që do të ndërtohen brenda territorit të QSUT. Studimi i mjedisit ka treguar se kërkohet ndërhyrje në hartimin e një plani për trajtimin e mbetjeve spitalore, por edhe trajnimin e stafit (sanitarëve) për seleksionimin e tyre.
Një tjetër pikë ku parashikohet të ketë ndërhyrje është menaxhimi i trafikut në spital, krijimi i një korsie të vçantë për lëvizjen e autoambulancave të emergjencës.