E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucion në transportin publik

Premtimi / Rreth 155 autobusë të nëntë linjave në qytetin e Tiranës do të pajisen me kondicionerë


Kreu i Bashkisë Rama: Kurorëzuam një punë disavjçare, drejt një sistemi urban europian


Deri një verë më parë të gjithë kemi ëndërruar pak freski në autobusët e linjave urbane në kryeqytet, por askush nuk e mendonte se një ditë në rrugët e Tiranës do të lëviznin autobusë tepër komodë, të cilët nuk do të mbanin më hapur dyert për pak freski, por thjesht do të shtypnin butonin e kondicionerit.


Pak muaj më parë, Bashkia e Kryeqytetit lajmëroi qytetarët se transporti urban do të pësonte ndryshime të mëdha, mes të tjerave urbanët e rinj dhe bileta elektronike për udhëtimin.


Gjithkush mund ta ketë dëgjuar me skepticizëm këtë lajm, por përballë faktit të kryer pak vend ka për mosbesim. Gjatë ditës së djeshme, Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, ka inauguruar zyrtarisht funksionimin e autobusëve të rinj në një nga linjat më të ngarkuara, "Tiranë e Re" - "Stacion i trenit".


Autobusët e rinj janë sipas të gjitha standardeve europiane dhe me të gjitha kushtet e një shërbimi cilësor urban (prej gati dy javësh qytetarët e kanë parë nga afër këtë duke udhëtuar më autobusët e linjës së Unazës).


Ashtu siç edhe kishte premtuar disa muaj më parë, Bashkia e Tiranës filloi dje ndërhyrjen në mjetet e transportit publik si pjesë e paketës së masave të përmirësimit të shërbimit, hartuar në kuadër të strategjisë së transportit, në të cilën u konsiderua parësore përmirësimi i kushteve të komoditetit dhe të lëvizjes në shërbimin e Transportit Publik.


Linja "Tirana e Re", filloi dje fazën e parë të rinovimit të të gjithë mjeteve, duke vënë në punë 11 mjete të reja, me kilometrazh zero, me standarde të Bashkimit Europian, si pjesë e projektit të një rinovimi të Parkut të mjeteve, ku do të vihen në shërbim të qytetarëve mjete të reja në 50 % të inventarit, si dhe mjete të viteve të fundit, në një investim që konsideron tashmë si të domosdoshëm ato që quhen "kushtet e komfortit dhe aksesibilitetit të shërbimit".


Kështu Bashkia premton se brenda vitit 2011, të gjithë autobusët e linjave urbane në Tiranë, që janë rreth 155, do të jenë të pajisur me ajër të kondicionuar, hyrje e lehtë në mjete bus, nëpërmjet platformës së sheshtë, autobusë të pajisur me platformën për njerëzit me aftësi të kufizuar, sisteme kamerash.


Kryebashkiaku Rama, i pranishëm në prezantimin e kësaj pune disavjçare të Bashkisë së Tiranës, u shpreh: "Të gjithë e kujtojmë Tiranën e transportit të stërmundimshëm me furgona, në të gjitha linjat e kryeqytetit dhe më pas transformimin rrënjësor me linjat e reja dhe me standardet e reja.


Sot është në fakt përmbyllja e këtij revolucioni të madh në standardet e transportit të Tiranës, kur fillojmë të fusim autobusë të niveleve më të larta bashkëkohore, me të gjithë kushtet për t'u ndierë udhëtarë në sistemin urban europian".


Rama u shpreh i kënaqur që ripërtëritja 100% e të gjithë inventarëve të linjave urbane të kryeqytetit, e cila, sipas tij, nisi dje falë edhe kontributit të të gjithë qytetarëve që i paguajnë këto linja.


"Uroj që këta autobusë të kenë udhëtarë të ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në mirëmbajtje, në mënyrë që këto linja të kenë një sukses të plotë", përfundoi ai.

Fatorino disiplinon udhëtarët


Autobusët e rinj kanë kërkesat e tyre, për sa i përket qarkullimit brenda tyre. Tashmë qytetarët duhet të bëjnë kujdes, që të hyjnë në autobus nga dera që lexon "hyrje" dhe jo aty ku lexon "dalje".


Por, edhe në rast se forca e zakonit do ta çojë ndonjë qytetar për të hyrë në autobus, në derën që lexon "dalje" është fatorino, i cili nuk e lejon të hipë nga dera e gabuar. Madje, është po fatorino që në bordin e autobusit drejton udhëtarët ende të habitur me këto ndryshime në monotoninë e të udhëtarit me urban. Me këtë guidë të "rreptë" të shpresojmë që pas pak kohësh europianë nuk do të jenë vetëm automjetet, por edhe sjellja e udhëtarëve.


Përfundon ankimi i nxënësve për notën e maturës


Maturantët kanë pasur në dispozicion plotë shtatë ditë kohë për të kërkuar shpjegime mbi rezultatin në provimin e Gjuhës Shqipe.


Procesi i ankimimit ka përfunduar tri ditë më parë dhe tashmë maturantët janë në pritje të rezultateve të provimit të dytë, atij të matematikës, të cilat, sipas MASH, do të publikohen pas datës 30 qershor.


Një ditë pas publikimit të rezultateve të provimit të Letërsisë, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës vuri në dispozicion 7 ditë kohë për ata nxënës që mendonin se nuk ishin vlerësuar me notën që meritonin.


Kaq kohë ka pasur në dispozicion për të paraqitur pranë drejtorisë së shkollës fotokopjen e testit të provimit të parë të detyruar të Maturës Shtetërore çdo maturant që nuk besonte se testi i tij ishte vlerësuar në mënyrë korrekte.


Nxënësi, pasi ka marrë në dorë fotokopjen, ka shqyrtuar me kujdes vlerësimin që i është bërë secilës përgjigje dhe ata maturantë, të cilët nuk kanë qenë dakord me rezultatin ka paraqitur në drejtorinë e shkollës një letër me shkrim, ku ka kërkuar rivlerësim të provimit.


Më tej, kjo kërkesë është nisur në drejtoritë arsimore rajonale ose në zyrat arsimore, të cilat i kanë dërguar më pas në Agjencinë Qendrore të Arritjeve të Nxënësit, e cila do të japë edhe rezultatin përfundimtar. MASH u kujton nxënësve se e njëjta procedurë do të ndiqet edhe për përgjigjet e provimit të Letërsisë.


Bashkia i kthen përgjigje prefektit


Bashkia e Tiranës ka reaguar ditën e djeshme ndaj deklaratave të Prefektit Keltis Kruja mbi pengesën e auditimit për një fond të vçantë.


Në deklaratën zyrtare të Bashkisë thuhet se Auditimi për fondin e vçantë i kërkuar nga Prefekti i Qarkut Tiranë është në kapërcim të kompetencave që i burojnë Prefektit nga kuadri ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, një situatë kjo në kundërshtim të plotë me dispozitat e legjislacionit për kontrollin e jashtëm të njësive vendore.


"Si i tillë, dokumenti i miratuar nga ana juaj (i cilësuar si "Program - Auditimi"), është i papranueshëm, sepse është tërësisht i pambështetur në ligj. Ndaj, Bashkia e Tiranës ka refuzuar të auditohet nga ana e Prefektit të Qarkut Tiranë për fondin e vçantë, duke iu komunikuar zyrtarisht se nuk do të njohë asnjë grup pune të ngritur për këtë qëllim", thuhet në deklaratën e Bashkisë.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›