Përplasen dy mjete, katër të plagosur
FUSHË-KRUJË - Në orët e mbrëmjes së të enjtes një aksident rrugor ka ndodhur në aksin Laç - Fushë-Krujë. Sipas të dhënave të konfirmuara nga policia e qarkut të Durrësit, aksidenti ka ndodhur në afërsi të një pike karburanti.
Dy makina janë përplasur në ecje në momentin që kanë qenë në ndërrim. Shpejtësia e madhe e automjeteve nuk i ka lejuar shoferët që të përcaktojnë qartë korsinë e duhur dhe distancën që duhej të mbanin nga aksi kryesor i mesit të rrugës dhe kështu janë përplasur.
Policia ka deklaruar se një mjet fuoristradë BMV me targa TR 3555 T është përplasur me një makinë e tipit "Benz" me targa KU 35 01 A që drejtohej nga 40-vjeçari L. Deda dhe si pasojë kanë mbetur të lënduar të katër personat që ndodheshin në to. Makina e markes BMV udhëtonte drejt Tiranës. Nga fërkimi i mjeteve fuoristrada ka dalë nga korsia e rrugës dhe ka rënë poshtë trasesë së saj.
Pas rënies kanë ndaluar mjete që ishin në kalim e sipër dhe nga personat e rastit është thirrur policia në vendngjarje, si dhe janë marrë dy personat që ishin në të dhe janë dërguar për ndihmë në Spitalin Ushtarak te Tiranës, pasi gjendja e tyre ishte e rëndë.
Ndërsa 2 personat që ndodheshin në mjetin me targa të Kukësit janë lënduar lehtë. Policia ka njoftuar se të plagosurit janë 27-vjeçari E.Qoli dhe bashkëmoshatari i tij E.Dukagjini, banorë të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:25.