E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, përcaktohen 4 çiftet kandidatë për transplantin e dytë të veshkave

Mjekët shqiptarë, të asistuar nga ekipi i mjekëve italianë, do të realizojnë transplantin e dytë të veshkës në shërbimin publik në periudhën fundi i muajit prill-fillim i muajit maj. Kjo ndërhyrje kirurgjikale u realizua për herë të parë në shërbimin shëndetësor publik në 26 mars, duke u konsideruar dhe një arritje dhe një kthesë në shëndetësinë shqiptare. "Tashmë, janë përcaktuar 4 çiftet kandidatë për transplantin e radhës të veshkës në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë, ndërkohë kandidate më potenciale është një paciente 21 vjeçare", u shpreh koordinatori i Programit INTERREG III për palën shqiptare, Bardh Spahia.  Sipas tij, transplanti në QSUT ofrohet falas për të gjithë pacientët, ndërkohë që medikamentet për periudhën post-transplant janë të përshirë në skemën e rimbursueshme. Transplanti i veshkës u realizua në kuadër të Programit INTERREG III, të financuar nga Komuniteti Europain dhe të zbatuar nga rajoni i Puglias (Itali). Numri i të sëmurëve që kanë nevojë për transplant të veshkës në vendin është i madh, ndërsa, për vetë natyrën e sëmundjes, pacientët vuajnë dhe janë janë të limituar në jetën e përditshme. Përveç kostove të larta që ka për pacientin dhe shtetin shqiptar, i cili pasi mbulon shpenzimet për trajtimin e pacientëve me dializë për vite të tëra, ka dhe kosto sekondare në përditshmërinë e tyre. Kjo ndërhyrje kirurgjikale kushton në vende pranë nesh, si Turqia, rreth 20-25 mijë euro, ndërsa në vendet e Europës Perëndimore, si Italia, varion deri në 55- 60 mijë euro, ndërkohë, MSH po punon për nxjerrjen e kostos reale të këtij shërbimi në QSUT. "Këto kosto janë të larta, për vetë faktin se janë pacientë që kërkojnë trajtim preoperator, operator dhe postoperator të rëndësishëm, të specializuar", thotë z. Spahiu. Sipas tij, pala shqiptare parashikon realizimin dhe të 3-4 transplanteve gjatë këtij viti, ndërsa objektivat do të jenë gjithmonë në rritje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›