E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, përurohet qendra Kombëtare e Hemofilisë

TIRANË- Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë u përurua sot Qendra Kombëtare e Hemofilisë, që do të funksionojë si pjesë e kësaj qendre. Qendra, e përuruar në Ditën Botërore të Hemofilisë, është e binjakëzuar me qendrën respektive në Varshavë për një periudhë 4-vjeçare.

“Objektivi kryesor i punës për personelin e këtij shërbimi do të jetë organizimi i depistimit, diagnostikimit, mjekimit dhe parandalimit, si edhe i edukimit të sëmurëve në bashkëpunim me shërbimet dhe institucionet përkatëse”, tha në ceremoninë e përurimit të kësaj qendre zv.ministri i Shëndetësisë, Albert Gajo. Qendra, sipas tij, do të krijojë mundësinë për përditësimin e regjistrit kombëtar të pacientëve me hemofili.

“Misioni ynë është përmirësimi i jetëgjatësisë dhe cilësië të jetës së këtyre të pacientëve, nëpërmjet trajtimit të sëmurëve me hemofili si edhe kujdesit ndaj familjeve te tyre nëpërmjet një mbikqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe psikologjike”, tha më tej Gajo.

Lidhur me koston financiare të lartë që ka trajtimi dhe ndjekja e hemofilisë, Gajo tha se “kemi marrë masat konkrete për të rritur cilësinë e shërbimit për këta paciente si dhe përballimin e kostove të mjekimit të kësaj sëmundje, deri sa kjo patollogji të jetë nën kontroll të plotë”.

Sa i takon bashkëpunimit me donatorë të ndryshëm për të përmirësuar trajtimin e kësaj kategorie të sëmurësh, Gajo tha se “në mbështetje të përpjekjeve tona është edhe nënshkrimi i marrëveshjes me rajonin e Toskanës, përmes së cilës sigurojmë 3 milion unite faktorë VIII të koagulimit, krahas 1 milion e 500 unite (me fonde te buxhetit te shtetit), sasi kjo e mjaftueshme për trajtimin e këtyre pacientëve për një vit”.

Bazuar në të dhënat e shërbimit të hematologjisë në QSUT, në vendin tonë kemi aktualisht 254 pacientë me hemofilia A (që trajtohen me faktorin 8 të koagulimit) dhe 40 me hemofili B (që trajtohen me faktorin 9 të koagulimit).
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›