Drejtoria e QSUT-së: ”Mjekëve u rrezikohet jeta”
Drejtori i QSUT-së, Mati Pepa, reagoi menjëherë mbas plagosjes së shefit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Ali Rifatllari, se gjendja shëndetësore e mjekut është jashtë rrezikut për jetën, megjithëse plagët e marra nga goditja me thikë janë të thella. Ai e ka konsideruar këtë ngjarje një krim të shëmtuar kundër misionit human të mjekut. Pepa u shpreh se nga informacioni i marrë, agresori është arrestuar nga policia dhe presin që shumë shpejt të zbardhet akti i paprecedent. Pepa bën të ditur se ky nuk është rasti i parë që bluzat e bardha kërcënohen seriozisht për jetën.
“Në jo pak raste individë të papërgjegjshëm kanë sulmuar personelin mjekësor, i cili punon me përkushtim e profesionalizëm të lartë. Është e pafalshme që mjekëve t’u rrezikohet jeta në një mënyrë të tillë makabre dhe antinjerëzore”, - deklaroi Drejtori Pepa. Lidhur me shkakun e ngjarjes, Pepa tregoi se nga informacionet paraprake Prof. dr. Rifatllari, ka operuar dajën e agresorit, duke zbatuar të gjitha procedurat ligjore paraprake siç veprohet për çdo qytetar, duke marrë miratimin e personit dhe familjarëve të tij për ndërhyrjen kirurgjikale. Por, me sa duket, agresori e ka kërkuar pasojën te mjeku dhe kjo është e pafalshme. Ai u bëri thirrje opinionit publik, shoqërisë civile, organizatave joqeveritare dhe medias, që të dënojnë këtë akt, ndërkohë që organet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre, sipas ligjeve në fuqi.
12 Prill 2008