QSUT, shërbimi i higjienës, drejt privatizimit
Shërbimi i higjienës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shumë shpejt do të privatizohet. Pas hotelerisë dhe kuzhinës, edhe higjiena do t’i jepet për administrim një firme private. Vendimi pritet të merret nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, para futjes së këtij spitali në skemën e sigurimeve shëndetësore.
Spitali
Ky shërbim aktualisht rezulton të jetë ndër më problematikët në QSUT. Mungesa e cilësisë është e qartë që në hyrje të spitalit. Madje të shumtë janë pacientët e shtruar në spital që detyrohen të mbajnë vetë higjienën. Higjiena e spitaleve të QSUT-së lë shumë për të dëshiruar. Jo vetëm në korridore dhe pavijone, por problematike shumë herë kanë qenë edhe sallat e operacioneve.
Ndërkohë që as bëhet fjalë që mjediset jashtë spitalit të pastrohen ndonjëherë, pasi sanitaret mjaftohen duke fshirë atë copa pllakash që u ndodhen nëpër pavijone. Në fakt, kjo nuk ndodh për shkak të mungesës së personelit, sepse rezulton se për çdo kat të jenë 3-4 sanitare, por si shkak i mungesës së mirorganizimit të këtij shërbimi. Ndaj dhe për t’i dhënë tjetër cilësi këtij shërbimi, por edhe paraqitje të re spitaleve, higjiena do të privatizohet.
Struktura
Ky shërbim vuan edhe nga fryrja e strukturës. Ashtu siç edhe u pohua nga drejtorja Gjeorgjina Kuli, menjëherë pas ardhjes së saj në krye të QSUT-së deklaroi se në këtë spital ka fryrje të strukturës, pjesë e së cilës ishte edhe shërbimi i higjienës. Prandaj, duhej gjetur mënyra për ta rregulluar. Por në të vërtetë, projekti për privatizimin e shërbimit të higjienës ishte nisur fillimisht nga ish-drejtori Mati Pepa. Asokohe, Pepa u shpreh se qëllimi i privatizimit të higjienës do të ndërmerrej për të përmirësuar më tej cilësinë. Kështu, ai po ndiqte një praktikë që u ndoq edhe me dy shërbimet e tjera, atë të hotelerisë dhe të kuzhinës.
Menjëherë pas kësaj deklarate, ai madje nënshkroi edhe pushimin nga puna për 120 punonjëse sanitare. Ndërkohë që me nënshkrimin e privatizimit, projekt ky shumë i shpejtë nga ana e ministres Godo, nuk dihet se cili do të jetë fati i këtyre punonjëseve, pasi dihet që aktualisht në spitalet universitare ka më shumë se ç’duhet sanitare, madje burimet pohojnë se për çdo kat ka 3-4 sanitare.