Kurrë mos i beso një ujku
“Kurrë mos i beso një ujku”, ishte përralla e shndërruar në një festë skenike interpretuar nga fëmijët e cirkut, nën drejtimin e koreografit Llaqi Nako dhe muzikë të Saimir Çilit, ku kjo e fundit na ka ardhur paksa e çuditshme. Ishte vetë ideja e koreografit, që edhe pse me një përvojë të gjatë pune mbi skenë, për të shënohet hera e parë që na zbardh një fabul të njohur popullore në trajtën e një shfaqjeje. Kush e mendonte uverturën e berberit të Seviljes, vepër e Rosinit, në një skenë të tillë, në një ndërthurje me një përrallë kaq universale?! Kjo ndodhi në shfaqen e koreografit Nako
Kurrë mos i beso një ujku
Intervistoi: Suela Furriku
Një portret i rreptë, kërkues në dukje, sikur nuk njeh as buzëqeshjen. Kjo është pamja që na jep koreografi Llaqi Nako në sytë e shumë fëmijëve që punojnë çdo ditë me të. Sepse kështu e tregon edhe punën e tij me fëmijët, por në të vërtetë nuk është i tillë, ai është shumë i butë. Puna me skenën është një ligj, e saktë, korrekte, koncize. Një bindje të tillë koreografi prej rreth 15 vjetësh ka kërkuar t’ua injektojë këtyre të vegjëlve, të cilët nën kujdesin e njëri-tjetrit para disa ditësh kanë dhënë një shfaqje në Teatrin e Metropolit. “Kurrë mos i beso një ujku”, ishte përralla e shndërruar në një festë skenike interpretuar nga fëmijët e cirkut, nën drejtimin e koreografit Llaqi Nako dhe muzikë të Saimir Çilit, ku kjo e fundit na ka ardhur paksa e çuditshme. Ishte vetë ideja e koreografit, që edhe pse me një përvojë të gjatë pune mbi skenë, për të shënohet hera e parë që na zbardh një fabul të njohur popullore në trajtën e një shfaqjeje. Kush e mendonte uverturën e berberit të Seviljes, vepër e Rosinit, në një skenë të tillë, në një ndërthurje me një përrallë kaq universale?! Kjo ndodhi në shfaqen e koreografit Nako. “Ky ishte projekti i radhës, i atashuar në Teatrin e Metropolit, ndërkohë ai na rrëfen se pas kësaj, në ballë i është shtuar një rrudhë më shumë. Ja ç’do të thotë të punosh me fëmijë”.
Kemi parë një shfaqje për fëmijë, ku ju kishit disa role në përgatitjen e saj...
Jemi shumë të pasur në shpirt, kemi shumë ambicie, dëshira për t’i ofruar më të mirën spektatorit, por nga ana tjetër jemi shumë mjeranë, gjë që po t’i përmendim është shumë e dhimbshme. Megjithatë, kemi provuar që nga imazhi që kemi marrë në botë të sjellim diçka që ka pak erë Shqipërie brenda, por edhe frymë perëndimore. Në këtë mënyrë, duke dalë jashtë kuadrit të kësaj specifike që ka ky zhanër, unë mora një fabul popullore, “Kecat dhe ujku”, duke e sjellë në versionin që pamë para disa ditësh, “Kurrë mos i beso një ujku”.
Ju kishit ndërhyrë në të, pse?
Po, kam vënë dorë mbi këtë fabul për ta afruar dhe për ta bërë sa më të natyrshme atë çfarë zhvillohej në këtë fabul. Ajo ishte një vepër që kishte një dramaturgji letrare, skenike, mbi bazën e libretit letrar, si dhe koreografinë. Të gjitha këto drejtime kanë qenë të mbuluara nga vetë unë.
Cila ishte risia që sollët me gjithë këtë ndërhyrje?
Risia qëndronte në konceptin e veprës. Aty, kishte elemente të muzikës holl, kishte ndërthurje të baletit dhe gjinive të tjera, danc teatër etj., por mënyra se si janë servirur tek publiku, mendoj se ishin shumë unike në stilin e tyre. Vinin shumë natyrshëm. Të gjithë fëmijët e cirkut duke qenë në një përrallë, ishin të veshur nën lëkurën e një kafshe të caktuar. Kjo ishte një tjetër risi e fabulës, gjë që e bënte edhe më interesante. Gjatë shfaqjes kishte akrobaci, aktrim, pantomima dhe kërcima të harmonizuara me njëra-tjetrën.
Si e testoni punën tuaj. Si arrini ta kuptoni se ajo çka bëni është e pranueshme?
Pavarësisht se unë rri dhe testoj veten në shumë mënyra për të kuptuar nëse jam në rrugën e duhur, apo jo, në rastin konkret shikoja se reagonin vetë fëmijët. Kur ata kanë shumë dëshirë të luajnë, kjo tregon se unë qenkam në rrugë të drejtë. Janë ata vetë që teksa luajnë, ose të korrigjojnë, ose të mbështesin. Në këtë këndvështrim, jam në kufijtë e bindjes, se gjithçka që ndodh mbart me vete edhe suksesin.
Kjo ishte një përrallë në skenë e vënë nga ju. Në karrierën tuaj shënonte herën e parë që merreshit me një përrallë?
Jo, sepse përralla kam vënë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, para shumë vitesh, flas për fushën e letrave, ndërsa si koreograf kjo është hera e parë për mua. Për mua ishte shumë interesante, pasi çdo gjë e re është dhe mbetet e tillë.
Ky ishte një projekt i ri për ju. Në këtë mënyrë edhe vështirësitë ju kanë shoqëruar besoj. Cilat kanë qenë ato?
Vështirësi ka pasur, kanë qenë nga më të ndryshmet që kam ndeshur. Nëse unë si autor jam i qartë në logjikën time artistike, mendoj se gjithçka vjen natyrshëm në shtratin e vet. Kështu unë kam bashkëpunuar shumë ngushtë me kompozitorin Saimir Çili dhe e gjithë kjo kërkonte një shtrat specifik muzikor. Muzika ishte shumë interesante, sepse nuk ishte enkas e shkruar për këtë fabul. Ishte një montim i muzikës, ku me kërkesën time është përshtatur me gjithçka që zhvillohet në ngjarje. Kështu, në rastin kur në skenë ishin dy personazhe negative bashkë me kecat e gjitha kjo mbështet në uverturën e berberit të Seviljes, një vepër e Rosinit. Në vështrim të parë mund të duket një çmenduri, por ata që e kanë parë janë mrekulluar.
Pse erdhi kjo zgjedhje?
E mendova kështu, sepse ka shumë dialog, ka sens humori, dhe në përgjithësi muzika e Rosinit ka shumë dritë, shumë thyerje dhe plastikë. Në këtë mënyrë, e gjitha kjo i ngjan një gurgullime pa fund të qeshure, sepse edhe vetë Rosini dallohej për dy veçori. Ishte një grykës i madh, por ishte edhe një humorist i jashtëzakonshëm. Të dyja këto veçori reflektoheshin në kompozimet e tij.
A ishte e vështirë të punoje me fëmijë?
Përkundrazi. Unë kam rreth 15 vjet që punoj me fëmijët. Janë disa aspekte që duhen theksuar. Së pari duhet të dish të njohësh psikologjinë e tyre, të dish të rrëzosh vitet e tëra mbi supe dhe të zbresësh në nivelin e një fëmije. Duhet të harrosh problemet dhe gjëra të tjera të kësaj natyre e të bëhesh edhe vetë fëmijë, vetëm për ta kuptuar atë me mendjen e një të rrituri dhe të hysh në botën e tij. Në këtë mënyrë, këtë botë e merr dhe e zgjeron, në atë formë që dua unë. Kjo është punë shumë delikate, aq e brishtë dhe pa dashur edhe mund ta shpërbësh, ta dëmtosh atë. Në këtë kontekst jam treguar shumë i kujdesshëm.
A është më shumë e lodhshme apo e rrezikshme?
Pa dyshim që lodhja është ajo që më shoqëron në gjithë praktikën e punës sime. Fëmijët siç dihet kanë karaktere dhe temperamente të ndryshme e jo gjithmonë në mënyrë të menjëhershme vijnë aty ku dua unë. Më ka ndodhur që jashtë natyrës sime e kam ngritur edhe dorën, por kjo dorë ka përfunduar në një ledhatim, përqafim mbi atë fëmijë. Unë mund të jem i ashpër edhe në portret, por në të vërtetë me fëmijët kam një marrëdhënie të shkëlqyer. Edhe ata më duan, e më respektojnë gjë, që më jep forcë dhe më obligon më tepër në punën me ta. Nëse në një projekt me fëmijët shpenzon shumë energji, kërkon shumë mundim dhe durim, aq rrudha janë shtruar tek unë.
Ju keni qenë edhe pjesë e TKOB, ndërkohë s’ju kemi parë më aktiv në skenën e saj?
Jam shkëputur, sepse arti i skenën ka ligjet e saj dhe baza e tyre është mosha. Skena e Teatrit të Operës është një art që kërkon rininë më së shumti. Edhe pse jam larguar, marrëdhëniet me institucioni nuk i kam shkëputur. Unë nuk pres asnjëherë që të lavdëroj punën time, duke e prezantuar atë me superlativa si “sa e bukur është pjesa ime”, e të tjera si këto. Kjo, sepse artisti kur lavdëron vetveten do të thotë se ai ka filluar të degradohet. Ishin edhe rrethana të tjera, por kjo ishte një prej kryesoreve.