Në Ballkan do të krijohen shtete kombëtare
Ajo që do të përcaktojë fatin e Kosovës, vazhdon të mbetet shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Pavarësisht mendimeve ndryshe, ky proces nuk ka përfunduar, madje është larg përfundimit. Zgjidhjet e mundshme të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë nuk kanë ndryshuar fare: njëra zgjidhje është e mbështetur në parimin politik (ish-republikat e krahinat autonome bëhen shtete të pavarura) dhe tjetra është e mbështetur në parimin etnik (kombet e ish-Jugosllavisë i krijojnë shtetet e tyre duke i shpërbërë republikat e krahinat autonome). Zgjidhja që synonin disa struktura politike ishte shpërbërja e Jugosllavisë në bazat nacionale. Të huajt arritën të impononin “zgjidhje politike” në Bosnjë, Kosovë e Maqedoni. Herët a vonë, nacionalizmi i parive politike ka me nxjerrë krye e me dalë si forca kryesore mobilizuese e grupeve të ndryshme të pakënaqura me gjendjen dhe do të afirmohet si parimi i ndërtimit të shteteve kombëtare.
Mund të themi se çdo ditë që kalon, patosi nacionalist vazhdon të jetë shumë i fuqishëm ndër paritë serbe, boshnjake dhe maqedonase. Në veçanti, serbët, malazezët e maqedonasit janë shumë të vetëdijshëm për lojën ndërkombëtare e vendin që ato zënë në skemat e mëdha e në lojën e madhe politike. Ata e kanë kuptuar se mund të përfitojnë diçka, duke u mbështetur tek rusët, kinezët, evropianët etj. për të gjetur avokatë për variantin e tyre respektiv të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë e për të rritur pazarin e kërkesave të tyre. Përpjekja e pandërprerë dhe e përqendruar e parive sunduese serbe, malazeze e maqedonase për të thyer, asimiluar apo dobësuar vetëdijen politike të shqiptarëve ka pasur sukses. Në arritjen e këtij objektivi ato kanë përdoruar me shumë efikasitet institucionet shtetërore. Edhe pse në dukje e kontrolluar nga jashtë, përplasja etnike në hapësirën e ish-Jugosllavisë vazhdon të jetë e fuqishme, por vendosmërisht e përcaktuar nga nacionalizmi etnik, duke qenë se shteti shqiptar dhe paria e Tiranës janë të instrumentalizuar deri në palcë nga faktori ndërkombëtar.
Si shoqëria shqiptare në Kosovë, ashtu edhe shoqëritë e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, në veçanti në Maqedoni, në Preshevë e në Mal të Zi, po përballen e do të vazhdojnë të përballen me trysni shumë të fuqishme që mund të çojnë edhe në rivlerësimin e gjendjes aktuale. Këto mund të imponojnë zgjidhje të tjera, të cilat shkojnë nga njëri ekstrem i zgjidhjes politike (rikrijimi në një formë tjetër i Jugosllavisë, kinse si një seri protektoratesh politike evropianoperëndimore, të cilat janë të dallueshme edhe tash). Mund të imponohet edhe një seri përplasjesh të ardhshme që me etapa do të çojnë në krijimin e shteteve kombëtare, ani pse do të mungojë përputhshmëria e grupit etnik ose kombit me kufijtë e shteteve. Shoqëria shqiptare e Kosovës e në veçanti paria politike është e papërgatitur për me u përballë me problemet e shumta që do të lindin nga secila rrugë që mund të merret pavarësisht besimit tejet të përhapur, por të pabazuar se pavarësimi i Kosovës ka qenë zgjidhja e të gjitha problemeve. Pavarësimi formal i Kosovës ka zgjidhur njëqind probleme, por edhe ka krijuar shumë të tjera, të cilat nuk po zgjidhen si duhet. Mbi të gjitha, as paria politike e Kosovës, amatore në politikë dhe tejet e korruptuar dhe as shoqëria shqiptare atje, që e ka humbur përqendrimin në objektivat politikë themelorë e afatgjatë, nuk duken të përgatitura për të rivlerësuar krizën afatgjatë të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, shpërbërje të cilën pavarësimi i Kosovës as nuk e zgjidhi e as nuk mundi që ta shmangte. Paaftësia për të vlerësuar si duhet gjendjen politike dhe për me peshue rrugëzgjidhjet e mundshme, në një kohë jo të largët, do të çojë edhe në një rivlerësim të vetë pavarësisë së Kosovës nga ana e popullit, që do të lodhet nga fjalët boshe dhe që mandej mund të ndjekë rrugën e parisë së Kosovës, e cila e ka shkëmbye objektin real të ndërtimit të shtetit me nevojën e ruajtjes së pushtetit për vete e për klanet e taborët e tyre personalë.
*Profesor në Universitetin e Nju Jorkut në SHBA dhe drejtor i programit “Master” në departamentin e Shkencave Politike