E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, sot operacioni i parë i transplantit të veshkave

Pacientja e parë që do ti nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale të transplantim të veshkave është një një vajzë 20 vjeçare, ndërsa dhuruese është nëna e saj. Operacioni do të kryhet sot në QSUT me asistencën e mjekëve italianë. 

TIRANE- Do të realizohet sot për herë të parë transplanti për veshkat në QendrënSpitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë. Mjekët e këtij spitali do të asistohen nga mjekë italianë, ndërsa pacientja e parë fatlume do të jetë një vajzë 20 vjeçare, ku dhuruese është nëna e saj.

Lajmi është konfirmuar nga Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia i cili shton se në varësi të kryerjes së kësaj ndërhyrjeje, ekipi i mjekëve parashikon të realizojë dhe një ndërhyrje tjetër transplanti, ku pacientja është po një vajzë e re, me dhurues babain e saj.

Ekipi i mjekëve shqiptarë, do të përbëhet nga 6 neurologë, 3 imunologë dhe 5 nefrologë, dhe do të asistohet nga 3 mjekë italianë të klinikës së Barit (Itali). Transplanti i veshkave, do të ofrohet falas për qytetarët, dhe ndërhyrja kirurgjikale realizohet në kuadër të Programit INTERREG III, financuar nga Komuniteti Europian.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›