E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria nxjerr në shitje stadiumin Qemal Stafa dhe pallatin e sportit Asllan Rusi

Në kuadër të privatizimit në masë të aseteve shtetërore, qeveria do të shesë edhe stadiumet Qemal Stafa dhe Asllan Rusi në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës Dritan Prifti. Ai ka thënë se dje ka marrë dosjet e stadiumeve Qemal Stafa dhe Aslllan Rusi të ardhura nga Ministria e Kulturës. Sipas të njëjtave burime mësohet

se shitja e këtyre objekteve pritet të bëhet në kuadër të privatizimeve të shumta të pronave shtetërore, nismë kjo e deklaruar pak kohë më parë edhe nga kryeministri Sali Berisha. Në listën e privatizimeve janë 280 objekte dhe mbi 2 mijë asete shtetërore. "Ne kemi hapur për privatizim afërsisht 280 asete të ndryshme. Ne nga dita në ditë jemi duke marr nga dikasteret kryesore te vendit, nga ministritë apo institucionet e tjera asete të reja që do të hyjnë në proces privatizimi. Jo më larg se dje ka ardhur nga Ministria e Kulturës një listë tjetër ku përfshihej stadiumi 'Qemal Stafa', stadiumi 'Asllan Rusi'. Pra, asete të tjera me vlerë që i shtohen privatizimit. Nga ministria e Mbrojtjes më ka ardhur një listë asetesh të tjera të ministrisë së Mbrojtjes, pallate oficerash, reparte në zona shumë të mira, me vlera të rëndësishme", tha Dritan Prifti, ministër i Ekonomisë. Sipas ministrit, qeveria ka për qëllim të nxjerrë në shitje brenda vitit aksionet e saj tek Albpetrol dhe aksionet shtetërore të kompanive strategjike si Albtelekom, ARMO dhe INSIG. Procesi i privatizimeve sipas METE, parashikohet të përfundojë deri në fund të vitit 2011. Një pjesë e këtyre bazave ushtarake janë në zona turistike atraktive, veçanërisht në bregdetin e Jugut, i cili në kohën e komunizmit ishte konsideruar zonë kufitare e për rrjedhojë qe mbjellë me baza ushtarake. Para viteve 90, Shqipëria ka pasur rreth 5 mijë baza ushtarake të përhapura në të gjithë vendin. Të gjitha këto, vështirë se do të mund ti japin buxhetit 100 milionë euro. Duke e parë këtë situatë, Ministria e Financave i propozoi qeverisë uljen e shpenzimeve publike me 10 për qind të totalit të programuar këtë vit, ose 40 miliardë lekë. Kryeministri Sali Berisha pranoi vetëm një ulje prej 25 miliardë lekësh, gjë që konsiderohet e pamjaftueshme për të shpëtuar financat publike nga problemet serioze. Ministria e Financave mori kredi direkte nga Banka e Shqipërisë në muajin janar, një masë kjo e konsideruar ekstreme e që mund të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme. Vështirësitë vijuan edhe në muajin shkurt. Tani qeveria shpreson se do të zgjidhë problemin, duke marrë 350 milionë euro borxhe në tregun ndërkombëtar, ndërsa po nxiton të nxjerrë në shitje çdo gjë që ka mbetur shtetërore me synimin për të fituar ca para.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›