E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Nuk votojmë asnjë ligj në Kuvend

Opozita radikalizon luftën politike. Debatet ë mbledhjen e grupit

Partia Socialiste vendos të bojkotojë vendimmarrjen parlamentare për të gjitha ligjet që pritet të diskutohen në seancat plenare të mbetura deri në mbyllje të këtij sesioni. I mbledhur dje në mbledhjen e zakonshme javore, grupi parlamentar i saj, ka diskutuar situatën e tanishme politike duke dalë në konkluzionin se përshkallëzimi i sjelljes së qeverisë dikton kalimin në marrëdhënie të kushtëzuara me Parlamentin, e cila kësaj radhe do të manifestohet përmes refuzimit të miratimit të ligjeve përmes mospjesëmarrjes në votime. Kjo është bërë publike nga kreu i tij, Gramoz Ruçi, i cili në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes ka shpalosur atë që mund të quhet kursi i ri opozitar në Parlament. “Duke filluar që nga dita e nesërme, grupi parlamentar socialist përshkallëzon marrëdhënien me Parlamentin shqiptar, duke kushtëzuar marrëdhëniet ndaj këtij Parlamenti, duke mos votuar asnjë ligj, as me shumicë të thjeshtë e as me shumicë të cilësuar”, deklaroi Ruçi. Thënë ndryshe, opozita bojkoton reformat në vend, duke refuzuar të japë konsensusin e nevojshëm për to, i kërkuar edhe para disa ditësh nga Kryeministri Sali Berisha. Në një plan më të gjerë, qëndrimi i adoptuar nga selia rozë, që pason shurdhërinë e qeverisë për sa i përket kërkesës për transparencën e 28 qershorit, e mban të gjallë krizën politike, e cila me afrimin e vjeshtës ripërmasohet në kufijtë e kriterit të integrimit të vendit. Për këtë arsye edhe dalja e PS me këtë axhendë të re parlamentare, që e rrit presionin politik përmes formalizmit të prezencës në sallë, është një taktikë e fundit e saj përballë shumicës në pushtet, e cila nuk pranon asnjë prej kërkesave opozitare. Në kontekstin e klimës elektorale që pritet të mbërrijë me sesionin e ri parlamentar në shtator, Ruçi nuk ka munguar të paralajmërojë përshkallëzim të ri të aksionit opozitar, i cili nuk neglizhon as rifillimin e protestave. “Grupi parlamentar do të përgatisë gjatë ditëve në vazhdim axhendën e tij opozitare në marrëdhënie me Parlamentin. Lidhur me hapat e mëtejshëm, grupi parlamentar socialist në sesionin e ardhshëm, apo të ri parlamentar që fillon në shtator, do të bëjë publikë hapat e mëtejshëm lidhur me marrëdhëniet dhe me qëndrimin ndaj Parlamentit shqiptar”, tha Ruçi. Nga këto fjalë kuptohet se kriza politike edhe pse do të pushojë mediatikisht së bashku me pushimet e verës, do të rishfaqet në vjeshtë për t’u futur në një gjatësi vale me emocionet e zgjedhjeve lokale që mbahen në fillim të vitit tjetër. Artikulimi i këtij qëndrimi në fakt ka kaluar përmes diskutimeve të ndryshme në mbledhjen e djeshme, e cila ka pasur si pikë qendrore të vetën adaptimin ose jo të bojkotit. Të pajtuar në idenë e mbajtjes në axhendë të protestave, deputetët socialistë në përgjithësi kanë pasur mendime të ndryshme për sa i përket braktisjes së punimeve të Parlamentit, që me deklarimin e Ruçit duket të ketë gjetur një rrugë më të ekuilibruar. Kështu, burime nga mbledhja bënë të ditur se ekipi i deputetëve më të rinj, kanë shprehur idenë e radikalizmit të menjëhershëm, me të njëjtën gjuhë me atë të shprehur pak ditë më parë nga Blendi Klosi. Por nuk ka munguar as ideja e një politike të kombinuar të shprehur në pjesëmarrje parlamentare dhe protesta, çka do të maksimalizonte rezultatin politik të PS dhe opozitës në tërësi. Protagonist i forcimit të rrugës parlamentare ka qenë nënkryetari Erjon Braçe, i cili ka kërkuar që politika e bojkotit të braktiset për t’i lënë vend angazhimit në debatin institucional dhe ndoshta ndërthurjes me protesta. Qëndrimit të tij i janë bashkuar shumica e deputetëve të cilët kanë mbështetur një kurs të tillë, i cili më së shumti duhet thënë se kundërshtohet nga protagonistët e grevës së urisë, që u regjistrua si aksioni më radikal i opozitës socialiste.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›