E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, të gjitha urgjencat do të kalojnë në një spital

Urgjencat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të vazhdojnë të jenë të mbipopulluara deri në hapjen zyrtare të spitalit të ri. Kreu i QSUT-së, Ilir Dashi, ka deklaruar dje për “standard” se problemi i urgjencave do të marrë zgjidhje vetëm me kalimin e tyre në mjediset e reja, ku edhe kapacitetet do të jenë më të mëdha dhe me shtretër të mjaftueshëm.
QSUT
Jo vetëm në kohën e shfaqjes së virozave stinore, por edhe në ditë normale urgjencat e QSUT-së janë të mbingarkuara. Një prej urgjencave që e “vuan” më shumë ngarkesën, është ajo e kardiologjisë, e cila të ofron gjithmonë të njëjtën pamje. Aty sheh pacientë që presin nëpër korridore me shpresë për të marrë shërbim mjekësor, të tjerë që marrin serumin në karrige dhe më “fatlumët” që shtrohen në një shtrat.
Mbipopullimi i urgjencave të QSUT-së është fakt tashmë i pranuar edhe nga krerët e këtij institucioni. Por nga pranimi i problemit nga krerët pritet dhe kërkohet si nga pacientët ashtu edhe nga mjekët një zgjidhje. Ilir Dashi, drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, thotë: “Problemi do të zgjidhet me një vendim kolegjial nga drejtoria e QSUT-së që së bashku me shërbimet përkatëse, duke përfshirë këtu dy pavijonet 1 dhe 2 si dhe urgjencën”.
Sipas tij, ky vendim ka të bëjë me një konsensus të plotë për procedurat që do të ndiqen. të cilat do të sjellin një lehtësim maksimal të problemit. “Ky vendim do të jetë disamujor, për vetë faktin se me hapjen e spitalit të ri të gjitha urgjencat do të përqendrohen aty me një kapacitet më të madh të shtretërve”, - tha Dashi.
Spitali i ri
Me kalimin e urgjencave në mjediset e spitalit të ri, pritet të ketë jo vetëm ngarkesë më të pakët, për shkak të kapaciteteve më të mëdha dhe shtimit të numrit të shtretërve në dispozicion. Aktualisht, situata është problematike, pasi QSUT-ja përballon jo vetëm urgjencat e Tiranës, por një pjesë e madhe e rasteve vijnë edhe nga rrethet. Ndërkohë, ajo që mësohet, është se përveç urgjencave, në spitalin e ri do të kalojnë edhe laboratorët dhe një pavijon i veçantë për traumatologjinë.
Shiriti i përurimit të godinës së re është prerë prej qershorit të vitit të kaluar nga ish-ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo; afati për hapjen zyrtare të tij ende nuk dihet. Gjatë kohës së përurimit ministrja Godo pati deklaruar se në spitalin universitar do të bëhet e mundur edhe ngritja e qendrës së re të traumatologjisë e cila do të kishte kapacitet deri në 30 shtretër. Pavijoni do të vendosej në spitalin e ri, një kat i së cilës do t’i përkasë kësaj qendre dhe një kat i veçantë do të jetë vetëm për këtë shërbim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›