E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtja e të dhënave personale, sfidë e çdo shteti

Dita europiane
Pollo: “Revolucioni i TIK duhet të ndiqet nga një sërë masash sigurie”

Mbrojtja e të dhënave personale konsiderohet në ditët e sotme si një sfidë për të gjitha shoqëritë. Në ditën europiane të mbrojtjes së të dhënave personale ministri i Shtetit, Genc Pollo, u shpreh se: “E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare përbën dhe sot një nga sfidat e shteteve të lira e demokratike, veçanërisht të demokracive të reja. Garantimi i kësaj të drejte themelore është një reflektim ndaj përvojës negative të regjimeve totalitare e diktatoriale, tendenca e të cilave ka qenë ndërhyrja ekstreme edhe në çështjet apo vendimet intime personale apo familjare”. Mes të tjerash, Pollo theksoi se “revolucioni i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është unik për nga shpejtësia e ndryshimit. Këtë ndryshim po e përjeton dhe shoqëria shqiptare, si dhe ekonomia e saj. Mjafton të përmend që sektori i komunikimeve elektronike ishte ai që shënoi rritjen më të madhe këtë vit. Probabiiliteti i numrit të celularit, përdorimi i standardit 3G, ( gjenerata e tretë) licensat e WIMAX etj., që synojmë t’i realizojmë këtë vit, do nxisin më shumë zhvillimin teknologjik, profesionalizimin e burimeve njerëzore, rritjen ekonomike dhe me të rëndësishmen transformimin e mënyrës së jetesës duke rritur oportunitetet e personit”.
Shqipëria është ndër vendet që ka miratuar ligjin “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” që shtjellon edhe mbrojtjen e privatësisë së personit, duke përfshirë këtu të dhënat personale të individit, të cilat kanë të bëjnë me: çdo të dhënë dhe informacion që lidhet me personin, me jetën e tij private, të drejtat, pronën, mjedisin që lidhet me pronën, banesën dhe pjesët e saj, veprimtarinë dhe interesat vetjake, çështjet e brendshme familjare, të dhënat sensitive, origjinën racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësimin në sindikata, besimin fetar ose filozofik, dënimin penal, si dhe të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale, tiparet biologjike unike, të drejtën e votës, të dhëna biometrike, karakteristikat gjenetike etj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›