E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Bujqësisë zbardh dëmin dhe masat për kafshët pas përmbytjeve

Drejtoria e Shëndetit të Kafshëve dhe Mbrojtjes së Bimëve ka qenë pjesë e grupeve të punës të urdhëruara nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, për dhënien e ndihmës teknike në qarkun e Shkodrës. Është punuar së bashku me specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes Konsumatorit, qarku Shkodër. Kryesisht ndihma ka qenë në vlerësimin e situatës për gjendjen shëndetësore dhe nevojat për ushqim të kafshëve në zonat e përmbytura në tri komunat e këtij qarku. Grupet janë përbërë nga drejtori i Shëndetit të Kafshëve dhe Mbrojtjes së Bimëve, shefi i sektorit të Shëndetit të Kafshëve dhe specialistë të kësaj drejtorie. Është mbajtur kontakt i përhershëm me kryeinspektorin e veterinarisë së këtij qarku si dhe inspektorët që operojnë nëpër komuna. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes Konsumatorit, qarku Shkodër është bërë vlerësimi i numrit të krerëve të gjedhit, ruminateve të vegjël, derrave, pulave dhe kafshëve të tjera të kërcënuara nga rreziku i mungesës së ushqimit, infeksioneve të mundshme dhe aksidenteve të tjera që mund të ndodhin si pasojë e qëndrimit nën ujë.
Janë llogaritur nevojat ushqimore për koncentrate dhe sanë për një periudhë 15-ditore dhe janë hartuar grafikët e furnizimit javor dhe ditor, të cilat i janë dorëzuar Shtabit të Emergjencës në prefekturën e Shkodrës. Gjatë kësaj kohe ka vazhduar shpërndarja e bazës ushqimore (koncentrat, bar, jonxhë, sanë) në komunat Guri i Zi, Dajç, Ana e Malit dhe Velipojë, Bërdicë, Bushat, Bashkia Shkodër dhe tufat e bagëtive të imta të shtegtuara nga qarku Kukës. Për mbarëvajtjen e shëndetit të kafshëve në zonat e përmbytura janë organizuar shërbimet veterinare 24-orëshe për monitorimin, njoftimin dhe marrjen e masave në lidhje me infeksionet e mundshme. Nga informacionet e marra nga shërbimi veterinar, DRBUMK, qarku Shkodër rezultojnë të dëmtuara kafshët e mëposhtme:
Gjedhe 19, të imta 169, derra 9, shpendë 4695, kuaj 2 dhe koshere bletë 226. Për të ruajtur nga infeksionet kafshët në këtë zonë është hartuar programi i nevojave për medikamente veterinare dhe biopreparate profilatike veterinare. Situata ndiqet çdo ditë duke marrë informacion të vazhdueshëm dhe njëkohësisht bashkëpunohet me qarqet e tjera për sigurimin e bazës ushqimore dhe medikamente veterinare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›