E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, urgjencat tejmbushen nga virozat dhe helmimet

Fundi i verës dhe temperaturat e larta konstante nuk po i lënë të marrin frymë as personelin shëndetësor e as "regjistrat" e urgjencave. Fundjava e shkuar, por edhe nisja e javës së re ka shënuar fluks të lartë pacientësh të sëmurë.

Urgjenca e pediatrisë, kardiologjisë dhe e infektivit kanë pritur më shumë se 500 pacientë brenda 24 orëve.

Fëmijë të sëmurë me temperaturë, me probleme e shqetësime gastro-intestinale, pacientë kronikë me zemër, tension, diabet kanë mbushur urgjencat, duke kërkuar ndihmë nga mjekët. Pothuajse 90 për qind e tyre nuk e respektojnë sistemin e referimit, kjo krijon edhe kaos e mbingarkesë në spitalin e nivelit terciar "Nënë Tereza". Rregulli është që pacientët për probleme të vogla duhet të paraqiten te mjeku i familjes apo në urgjencat e poliklinikave. Ndërkohë që ata me probleme të mëdha duhet të nisen në urgjencë, në rast se mjeku specialist rekomandon shërbim edhe më të specializuar. Urgjenca e Tiranës, e cila ka edhe mjete të posaçme të transportit, është më pak e frekuentuar se urgjencat e spitalit "Nënë Tereza".

Helmimet

Virozat e këtij viti kanë qenë në mënyrë të veçantë me shqetësime gastro-intestinale. Sipas mjekëve, diarreja apo problemet me stomakun kanë sjellë edhe alarmim të popullatës, pacientë të shqetësuar, të cilët kërkojnë ndihmë në urgjencën e infektivit. Por edhe ushqimet si akullorja, mishi, abuzimi me alkoolin, apo kombinime ushqimesh të cilat nuk mund të përballohen nga organizmi kanë sjellë mbi 50 raste helmimesh vetëm në urgjencën e infektivit, në QSUT.

Nga ana tjetër, edhe urgjenca e Tiranës pret nga 25-30 raste helmimesh çdo ditë. Mjekët e këtij sektori japin ndihmën e nevojshme, si ilaçe dhe serume, më pas pacientët dërgohen në shtëpi.

Të sëmurët kronikë

Ata të cilët e kanë në dorë të mos sëmuren, por në fakt nuk i ndjekin këshillat dhe më pas përfundojnë në urgjencë, janë të sëmurët kronikë. Mosha e tretë, pacientët me luhatje të tensionit dhe me probleme të zemrës janë ata që e "vizitojnë" më shumë shërbimin e urgjencës në kardiologji. Ndërsa mjeku i porosit që të mos dalin pas orës 10.00, të qëndrojnë në vende të freskëta, të mos përdorin transportin publik, autobusë, të mos qëndrojnë në vapë, të konsumojnë ushqime të lehta pa yndyrë dhe sheqer, përsëri mosha e tretë nuk bën kujdes. Disa për hall e të tjerë sepse nuk qëndrojnë dot të mbyllur në shtëpi. Çdo ditë në shërbimin e urgjencës së kardiologjisë paraqiten nga 160-180 raste.

Sakaq, shërbimi më i mbipopulluar me fluksin më të madh të pacientëve është urgjenca e pediatrisë, numri i fëmijëve të sëmurë që paraqiten çdo ditë shkon deri në 250 raste.

Ajo që këshillojnë mjekët deri në ulje të temperaturave është evitimi i daljes në diell, kujdesi me ushqimin, përdorimin e alkoolit. Konsumi i shumë lëngjeve dhe qëndrimi në vende të freskëta është një nga direktivat që duhet të zbatojmë për të pasur gjendje të mirë shëndetësore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›