E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, përhapje më të madhe në kryeqytet

Instituti i Shëndetit Publik ka analizuar të gjitha të dhënat dhe shpërndarjen gjeografike të personave të prekur nga gripi i derrave AH1N1 deri të enjten e kaluar. Sipas të dhënave të para, shpërndarjen më të madhe gripi e ka në kryeqytet. Raste janë shënuar në Lushnjë, Sarandë, Durrës, pjesa tjetër të gjithë kanë qenë në Tiranë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, për 20 rastet e konfirmuara 3 prej tyre janë marinarë të huaj të moshës 30, 31 dhe 41 vjeç (spitali rajonal Durrës), të

cilët tashmë janë larguar nga vendi.

6 raste janë të lidhura me udhëtimin kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar. Për 11 raste të tjera nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit.

Rastet janë kryesisht në Tiranë dhe 4 raste në Durrës, tre marinarë të huaj dhe 1 rast në Sarandë.

Grupmoshat e prekura janë: 4 raste 15-24 vjeç, 10 raste 25-44 vjeç, 2 raste 45-59 vjeç. Sipas ISHP-së, vihet re se shumica e rasteve u përkasin moshave aktive dhe deri tani asnjë rast nuk është vënë re në moshat e vjetra apo ato nën 14 vjeç.

Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Laboratori i virologjisë në ISHP është pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit

dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti.

Aktualisht në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Në këtë laborator kryhet testi i imunofluoreshencës direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjen paraprake të identifikimit të virusit brenda 2 orësh. Më pas kryhet kultura në linja qelizore, nga ku izolohet virusi dhe kjo procedurë zgjat nga 24-72 orë dhe më pas deri në 1 javë.

Deri tani në vendin tonë janë regjistruar plot 20 raste të prekur me AH1N1, por të gjitha këto të fazave të lehta. Ajo që pritet nga Rumania me përparësi është konfirmimi i analizave për 2 raste fëmijësh, të cilët dyshohen të jenë prekur nga AH1N1.

Nga ana tjetër, në muajin shtator dhe tetor pritet të kemi një fluks pacientësh me virozë më të rëndë dhe me kombinim virozash, si AH1N1 dhe viruse të gripit të zakonshëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›