E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qafa e Thores, e bllokuar nga dëbora. Turistët e huaj kthehen mbrapsht

Shkodër Thethi, ende nën “pushtetin” e dëborës

Ndonëse ka ardhur stina e pranverës dhe në qytetet bregdetare po nisin përgatitjet për sezonin veror, në Shqipëri ka ende rrugë të bllokuara nga dëbora. Kështu ndodh në aksin rrugor që lidh zonën e Dukagjinit me Malësinë e Madhe, në vendin e quajtur Qafa e Thores. Në këtë vend, dëbora e rënë gjatë muajve të dimrit vazhdon të mbajë të bllokuar banorët e Komunës Shalë, të Dukagjinit, ku bën pjesë edhe fshati turistik i Thethit. Banorët nuk mund të kalojnë nëpër dëborën që vazhdon të jetë 2 metra dhe përdorin një tjetër rrugë kalimi për t’u lidhur me pjesën tjetër të vendit. Ky aks rrugor për çdo vit bllokohet i pari dhe zhbllokohet i fundit nga dëbora. Sipas drejtuesve të Ndërmarrjes së Rruga Urës, pavarësisht punëtorëve që punojnë aty, për vetë terrenin e thyer malor është tepër e vështirë të hapet rruga me mjete primitive. Sipas drejtuesve të kësaj ndërmarrjeje, mungesa e mjeteve të specializuara ka bërë që ky aks të qëndrojë i bllokuar për disa muaj. Për banorët e fshatit turistik të Thethit, bllokimi i kësaj rruge ka shkaktuar mjaft probleme, pasi turistët e huaj janë detyruar të kthehen mbrapsht, kur kanë parë rrugën e bllokuar. Një banor i Thethit, Gjon Deda, na thotë se: “Kemi investuar miliona lekë në shtëpitë tona për të krijuar kushte për të tërhequr turistët e huaj, por bllokimi i rrugës po na lë pa turizëm. Për ne është tepër e domosdoshme hapja e rrugës, madje është jetësore”.

Bukuritë natyrore, malet e larta, kanionet, ujëvarat dhe relievi i thyer ka bërë që zona e Thethit të jetë një nga vendet më të frekuentuara për turizëm malor, sidomos nga të huajt. Por fakti që për të shkuar në këtë zonë turistike duhet të kalosh nëpër Qafën e Thorës, që për 6 muaj qëndron e bllokuar nga dëbora, ka bërë që turizmi në këtë zonë të vihet në pikëpyetje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›