E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen 12 trafikantë droge, mes tyre 4 shqiptarë

Itali

Policia e Bolonjës, gjatë një operacioni antidrogë, ka arrestuar 12 veta, të akuzuar si shpërndarës droge, midis të cilëve shumica ishin shqiptarë. Operacioni, i quajtur “White Mountain 2009", filloi gushtin e kaluar dhe është koordinuar nga prokurorët e Prokurorisë së Bolonjës, Lorenzo Gestri e Valter Giovannini. Si rezultat janë bërë 12 arrestime dhe janë kapur 8 kilogramë kokainë. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë mësohet se shqiptarët e ndaluar janë: Roland Turku, 26 vjeç dhe vëllai i tij, të cilët mendohet se ishin edhe krerët e grupit. Gjithashtu janë arrestuar Genti Gorica, 43 vjeç, me dokumente të rregulla qëndrimi në Itali dhe Ervin Leka, 23 vjeç, me profesion elektricist, në apartamentin e të cilit u gjetën 6 kg kokainë dhe 45 mijë euro. Kreu i bandës dyshohet se është Roland Turku, i cili në tentativë për t’i shpëtuar arrestimit ka dëmtuar një oficer policie. Dy arrestimet e para të operacionit “White Mountain 2009” janë kryer nëntorin e kaluar në Portin e Gjenovës, ku përfunduan në pranga një italian dhe një shqiptar, që sapo kishin zbritur nga një anije, e cila vinte prej Barcelonës. 5 kg drogë e fshehur në timonin e makinës kishte destinacion “Piazza di Bologna”. Në dhjetor përfunduan në pranga në “Via Bordon” të Bolonjës dy shqiptarë, duke përfshirë edhe një të mitur, si dhe u sekuestruan 1.6 kilogramë kokainë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›