Shqyhet dera e kioskës së gazetave me hellin e mishit
Në axhendën e grupeve të vjedhësve, që nuk mbarojnë në Sarandë, një natë më parë është vënë pika e shitjes së gazetave në qendër të qytetit, me pronar Fredi Abazin. Edhe pse ndodhet në sheshin kryesor të qytetit, atje ku shihet çdo natë prania e patrullës së policisë së rendit, si dhe e shërbimit të qarkullimit rrugor, kjo nuk i ka bërë vjedhësit të heqin dorë nga plani i tyre. Në mëngjesin e së shtunës kioska është gjetur e shqyer dhe e bastisur. Pronari Abazi tha se janë marrë nga raftet librat më të shtrenjtë, koka të gazetash dhe karta të telefonisë fikse e asaj celulare, me vlerë mbi 500 mijë lekë të vjetra. Grupi hetimor që ka shkuar në vendngjarje ka konstatuar se hyrja në kioskë është realizuar duke shqyer portën me leva. Disa orë më vonë pronari i tavernës “Leo”, që ndodhet vetëm disa metra larg kioskës së gazetave, poshtë shkallëve që zbresin prej saj, ka konstatuar se mungonte helli i pajisjes pjekëse të mishit, që me sa duket u ka shërbyer grabitësve si levë për hapjen me shqyerje të portës. Mendohet se grabitja ka ndodhur pas orës 03.00 të mëngjesit të së shtunës, pasi deri në atë orë ka funksionuar taverna “Leo”.
#