E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, pranga për dy nga pesë grabitësit e emigrantit

Dokumentimi

Dy nga grabitësit, të cilët sulmuan një emigrant, kanë përfunduar në prangat e Policisë së Lezhës. Në kuadrin e operacionit “Shqiponja e Artë”, rreth orës 02.00 të natës së djeshme u arrestuan 27-vjeçari Alfred Beleshi dhe 18-vjeçari Adi Margjini. Arrestimi i tyre ka ardhur nga një punë intensive operative e policisë së këtij rrethi, pas një grabitje që kishte ndodhur në qytetin e Lezhës, pikërisht më 10 shkurt 2010. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Lezhës, A. Margjini ishte kthyer nga emigracioni në Lezhë. Rreth orës 23.30 minuta të 10 shkurtit, ka dalë nga një lokal në qytetin e Lezhës për t’u larguar me makinën e tij tip fuoristradë për në banesën e tij. Me të hapur derën e mjetit, pesë persona të cilët duket se e kanë ndjekur që më përpara, duke planifikuar me detaje edhe grabitjen, pasi njëri nga autorët ishte edhe i afërm i Margjinit, kanë rrethuar makinën dhe nën kërcënimin e pistoletave dhe pasi kishin mbuluar kokën me maska, e kanë detyruar me forcë të largohej nga makina, duke mos lënë madje edhe ta ndizte atë. Pasi e kanë zbritur nga makina, sipas burimeve zyrtare të policisë, të pesë personat i kanë grabitur makinën, si dhe një varëse floriri që kushtonte 50 mijë euro. Gjithashtu, atij i kanë marrë edhe paratë që kishte nëpër xhepa, si edhe dy celularët. Sapo kanë marrë gjithçka kanë mundur, të pesë personat kanë hipur në makinën e Margjinit, duke u larguar në drejtim të Shkodrës, veprim ky që ka ardhur duke përfituar nga errësira dhe nga mungesa e qarkullimit. Pas grabitjes, A. Margjini ka kryer denoncimin në polici, ndërkohë që uniformat blu të Lezhës kanë nisur menjëherë hetimet dhe analizuar me kujdes mënyrën e grabitjes dhe vendin, ku kishte ndodhur grabitja. Pas ngritjes së shumë pistave hetimore, policia ka mundur të orientohet shumë shpejt në drejtimin e duhur, ku si i dyshuar kryesor në këtë grabitje, duhet të kishte qenë edhe një person që e njihte mirë Margjinin, pasi e dinte se kishte para dhe njëkohësisht që kishte dy muaj i kthyer nga Italia. Kjo ka bërë që policia të përgjojë personat, të cilët dyshoheshin për grabitje. Falë komunikimit të tyre dhe tentativës për të fshehur mjetin, si dhe ndarjes së lekëve e tentativës për të shitur varësen e floririt, policia ka rritur të identifikojë shumë shpejt grabitësit. Por nuk ka ndërhyrë për arrestimin e tyre për arsye të dokumentimit shkencor të provave të gjetura gjatë hetimeve. Kjo ka bërë që vetëm dje në orën 02.00 të mëngjesit, policia të arrestojë në qytetin e Lezhës, teksa dilnin nga një lokal, Alfred Beleshin 27 vjeç dhe Adi Margjinin 18 vjeç, që të dy me origjinë nga Mirdita dhe banim në Lezhë. Marrja në pyetje e tyre, pranimi i grabitjes dhe hetimet intensive të policisë kanë bërë që dy të arrestuarit të tregojnë edhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët kanë marrë pjesë në grabitjen e emigrantit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›