E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti i merr jetën burrit e gruas

Tropojë

Një aksident i rëndë ditën e djeshme u ka marrë jetën dy bashkëshortëve. Tragjedia rrugore ka ndodhur në Tropojë, pasi një furgon me pasagjerë doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Valbonë. Policia tha se bëhet fjalë për një rënie prej afro 100 metra lartësi dhe ka dyshime të forta për një tragjedi me viktima në njerëz, ku është raportuar për dy persona të konstatuar mbi ujë, sipas dëshmive të banorëve në vendngjarje. Nga policia konsiderohen të zhdukur drejtuesi i fugonit, Sali Kurmeka, rreth 50 vjeç nga fshati Begaj i rrethit Tropojë, i cili dyshohet të ketë gjetur vdekjen, bashkëshortja e tij, Fatmira Kurmeka, rreth 45 vjeçe, që gjithashtu gjendej në furgon, kurse zyrtarisht nuk konfirmohet për persona të tjerë të zhdukur. Ngjarja ndodhi rreth orës 16.30 të ditës së djeshme në vendin e quajtur “Ura e Kolgecajt” rreth tre kilometra në afërsi të Tropojës, kur një furgon pasagjerësh, për të cilin ende nuk është saktësuar sa persona mbarte, po udhëtonte dhe në një moment shoferi ka humbur kontrollin dhe mjeti ka rënë në afro 100 metra lartësi. Furgoni ishte nisur nga qyteti i Bajram-Currit për në fshatrat e rrethit Tropojë, por nuk ka detaje për destinacionet e plota. Në vendngjarje mësohet se sapo kanë mbërritur forca speciale dhe disa palombarë, kanë kryer zhytje për kërkimet në ujin e ftohtë të lumit Valbonë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›