Tri sfidat e Gjirokastrës që të mos dalë nga UNESCO
Në korrik të këtij viti mbushen pesë vjet nga koha kur Gjirokastra është bërë pjesë e UNESCO-s. Komiteti i Trashëgimisë Botërore, i mbledhur në sesionin e 29 të tij në Durban të Afrikës së Jugut, nga datat 10-17 korrik 2005, e konsideroi qytetin shqiptar si një rast i rrallë, ku ruhen vlerat unikale arkitekturore dhe muzeore. Prej asaj kohe, Gjirokastra është pasuri e trashëgimisë botërore dhe një destinacion i padiskutueshëm turistik. Nga ana tjetër, pesë vjet në UNESCO lexohet edhe si një sfidë për ta ruajtur e zhvilluar më tej Gjirokastrën. Në këtë përvjetor, specialistët janë ulur në një tryezë për të bërë bilancet. “Gjirokastra në UNESCO, Sfidë dhe privilegj” ka qenë konferenca ku janë takuar përfaqësues të fondacionit “Butrinti”, Bashkisë së Gjirokastrës dhe Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO). Në këtë veprimtari mbështetur nga Komisioni Europian përmes programit “Kulturë 2007-2010”, është folur për sfidat dhe përgjegjësitë që u takojnë institucioneve dhe administratës qendrore dhe lokale për ruajtjen dhe rijetëzimin e pjesës historike të qytetit, përfshirë në UNESCO, krahas Butrintit si trashëgimi kulturore materiale dhe iso-polifonisë labe, si trashëgimi kulturore shpirtërore. Duke e bërë edhe një herë të qartë faktin se UNESCO nuk garanton ruajtjen e Gjirokastrës, por veçse një mbështetje teknike, në këtë përvjetor, specialistët kanë ngritur zërin për përmbushjen e kritereve. Në të kundërt, Gjirokastra mund të rrezikojë përjashtimin nga UNESCO. Salvatore Messina, rektor i Universitetit Europian të Turizmit, theksoi se kërkohet impenjim dhe rigorozitet shkencor në ruajtjen e vlerave autentike nga faktorët dhe strukturat vendase, pasi nuk është UNESCO që mbron Gjirokastrën nga ndërhyrjet në vlerat autentike të saj. Ajo vetëm mund të ndihmojë me ekspertizë, rekomandime dhe projekte restauruese deri në atë pikë sa e lejon konventa e nënshkruar dhe ratifikuar nga vendet anëtare të OKB-së. Nëse nga faktorët vendas nuk respektohen standardet dhe rekomandimet, nëse vlerat autentike zbehen, atëherë nuk ka më logjikë që një monument i pranuar më parë të mbetet në këtë listë vlerash të trashëgimisë botërore”. Deklaratës së Messina-s i është bashkuar edhe specialisti gjerman, Stephan Doempke. Në referatin e tij me temë “Sfidat dhe oportunitetet e të qenit qytet i trashëgimisë botërore”, përfaqësuesi i Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO), solli rastin e qytetit gjerman të Drejzenit, për qytetet që përjashtohen nga lista për mosruajtjen e autenticitetit. “Ky qytet u përjashtua nga lista e objekteve të mbrojtura, sepse qeverisja vendore miratoi një ndërtim të ri në vend të një objekti monumental e të mbrojtur”, tha ai. Përfaqësues të organizatës ndërkombëtare “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, prezantuan në konferencë përvojat e tyre rreth organizimit të përvitshëm të kampeve ndërkombëtare të restauruesve të rinj në Gjirokastër dhe eksperiencat e Bashkimit Europian në rijetëzimin e qyteteve të trashëgimisë botërore. Ndërkohë, drejtori i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, Aleksandër Pesha, ngriti një tjetër problem madhor për qytetin: mosregjistrimi si pronësi private i monumenteve të kulturës që janë të vendosura në pjesën historike të Gjirokastrës. Në fjalën e tij, drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore Kombëtare në MTKRS, Olsi Lafe, theksoi se nuk është UNESCO ai që do të ruajë dhe konservojë vlerat monumentale dhe kulturore që trashëgon Gjirokastra. “është shteti shqiptar, strukturat dhe institucionet qendrore dhe lokale shqiptare, komuniteti gjirokastrit dhe shoqëria shqiptare që do të ruajnë dhe rijetëzojnë këtë qytet”, është shprehur Lafe. Lidhur me problemet e procesit të restaurimit dhe konservimit të një numri monumentesh të rrezikuara, specialisti i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, Dorian Celibashi prezantoi disa nga raportet dhe marrëdhëniet me ekspertët e UNESCO-s për realizimin e projekteve restauruese në Pazarin Mesjetar dhe në disa banesa monument të kategorisë së parë si ato të Hankonatëve, Omaratëve, Babametove, Zekatëve, Kadareve, Babaramëve etj. Në përfundim të punimeve të konferencës, tri probleme u konsideruan si alarmante për të ardhmen e Gjirokastrës, të cilat do të rrezikonin edhe përjashtimin e saj nga UNESCO. Së pari, nga rreth 300 objekte monumentale të kategorisë së parë dhe të dytë të zonës historike, vetëm 3-4 prej tyre janë të regjistruara aktualisht në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si prona private dhe publike. Kjo pengon ecurinë e projekteve të financuara nga shteti dhe donatorët vendas dhe të huaj. Së dyti, vazhdojnë ndërhyrjet ndërtimore të paligjshme që prekin autenticitetin e monumenteve, si në aspektin urban, arkitekturor dhe ndërtimor, duke zëvendësuar elementët dhe materialet ndërtimore autentike, origjinale dhe tradicionale me tjegulla, tulla dhe beton. Strukturat e specializuara kanë evidentuar rreth 200 a më shumë ndërhyrje të paligjshme të këtij lloji. Së treti është mungesa e një strategjie të përbashkët dhe e koordinimit mes strukturave të qeverisjes vendore, qendrore, institucioneve të specializuara dhe donatorëve të huaj në realizimin e projekteve restauruese, konservuese dhe rijetëzuese. Procesi i rijetëzimit të godinave të pjesës historike mbetet i pazgjidhur. Në pjesën e Pazarit të Vjetër mesjetar dhe në lagjet më pranë tij janë restauruar me fondet e qeverisë një numër i madh banesash, të cilat qëndrojnë të mbyllura dhe nuk kanë aktualisht asnjë lloj funksioni. Kjo do të thotë që brenda disa vitesh të rikthehen në rrënoja, që kërkojnë restaurim dhe miliona të tjera që të ringrihen.
#