E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qafë Thanë, bllokohen 30 maune në doganë

KORÇË- 30 maune janë bllokuar nga e hëna në mbrëmje në doganën e Qafë Thanës. Mjetet nuk kanë mundur të ecin para për shkak të një defekti në sistemin kompjuterik të palës maqedonase.

Maunet kanë qëndruar të parkuara në tokën asnjë-anëse dhe në hyrje të doganës shqiptare të Qafë Thanës. Bëhet e ditur se maune të tjera qëndrojnë tek hyrja e doganës maqedonase.

Prishja e sistemit kompjuterik ka bllokuar edhe kalimin në të dyja anët e kufirit të mjeteve e vogla, por këto ndryshe nga maunet janë kthyer prapa, mbasi nuk lejohen të qëndrojnë ne mjediset doganore apo në tokën asnjë-anëse.

Reshjet e borës, era e fortë dhe e ftohtë dhe temperaturat e ulëta janë një kërcënim serioz për shëndetin e drejtuesve dhe pasagjerëve të këtyre mjeteve që po qëndrojnë në temperature disa gradë nën zero.

Sipas burimeve maqedonase po punohet që të rregullohet sistemi për t`u zhbllokuar ky ngërç me pasoja të rënda edhe për jetën e drejtuesve të këtyre mjeteve.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›