Qarku i Vlores me strategji zhvillimi
Këshilli i Qarkut të Vlorës, i mbështetur nga Programi i PNUD-it “ART GOLD 2” dhe Agjencia për Zhvillimin Lokal Ekonomik, “AULEDA”, prezantuan dje tek aktorët vendorë draft- strategjinë e zhvillimit të qarkut në kuadër të procesit të planifikimit strategjik: ”Drejt zhvillimit të qëndrueshëm”. Ky dokument është prodhuar si rezultat i konsultimeve publike me të gjithë aktorët vendorë. Gjatë takimit që u zhvillua ditën e mërkurë në mjediset e Këshillit të Qarkut Vlorë, u prezantuan skenarët e mundshëm për zbatimin e kësaj strategjie. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Ylli Piro ftoi të gjithë aktorët vendorë të kontribuojnë në hartimin e këtij plani strategjik. Drejtuesi i projektit “Art GOLD 2”, Luigi Cafiero theksoi se ky është plani i Qarkut Vlorë, ndaj është domosdoshmëri pjesëmarrja dhe kontributi i aktorëve vendorë. Draft- strategjia përcakton udhëzime dhe veprime konkrete për t’u ndjekur e zbatuar dhe që fokusohen në mbrojtjen e mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe turizmit, çështjet sociale dhe prodhimi agro-ushqimor e zhvillimi rural. Programi i PNUD-it, “ART GOLD 2” financohet nga qeveria italiane dhe po ofron asistencë teknike në dy rajonet Vlorë e Shkodër.