E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 milion USD per kthimin e trurit

Kushtet Qeveria ofroi fonde, por vetëm 150 vetë pranuan. Sugjerimet e BB-së:

Eksodi i madh i stafeve universitare, natyrisht që ka dhënë ndikim në sektorin e arsimit shqiptar (edhe në ekonomi), pasi një pjesë ishin me grada të larta shkencore. Në këto kushte, qeveria shqiptare krijoi në korrik të vitit 2008, një buxhet fillestar prej 1 milion dollarësh, për të stimuluar “kthimin e trurit”. Programi garantonte mbështetje financiare ndaj individëve të kthyer të kualifikuar (të cilët plotësojnë një sërë kriteresh, p.sh. të paktën një diplomë masteri të kryer jashtë shtetit), si një stimul për të qëndruar dhe punuar në Shqipëri. Përmes iniciativës së “kthimit të trurit”, është krijuar një bazë të dhënash për studentët dhe akademikët jashtë vendit, e cila përmban aktualisht informacione të detajuara kontakti për rreth 400 persona. Deri tani, programi ka tërhequr rreth 150 individë për t’u kthyer, prej të cilëve 82 janë akademikë. Përveç kësaj, programi synon të krijojë rrjetet akademike me ata që ndodhen jashtë vendit.

Sipas BB-së, kthimi i emigrantëve me kualifikim të lartë mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për vendin tonë, pasi sjellin aftësitë e reja të përftuara prej tyre, burimet financiare dhe lidhjet e tyre me rrjetet mund të rrisin produktivitetin dhe zhvillimin ekonomik. Deri tani, vetëm 9.7% e emigrantëve të kualifikuar gjatë dy dekadave të fundit janë kthyer në Shqipëri. Një e treta e tyre punojnë në të njëjtat institucione akademike/shkencore në të cilat punonin përpara emigrimit, ndërsa pjesa tjetër punon kryesisht në sektorin privat. Në 2008, Universiteti i Tiranës pranoi, nëpërmjet konkurseve, 400 lektorë të rinj, por më pak se 5% e tyre kishin përfunduar Ph.D (Doktoraturë) jashtë shtetit.

Një parakusht për të mbajtur akademikët dhe për të nxitur kthimin e tyre nga jashtë, është reformimi i universiteteve në mënyrë që të përmirësohet cilësia e punës kërkimore. “Në shumë fusha kërkimore, cilësia është larg standardeve ndërkombëtare”, - thuhet në raport. BB përmend disa alternativat për nxitjen e “kthimit të trurit”. Ato janë: të ftohen akademikët shqiptarë që ndodhen jashtë për të mbajtur leksione në universitetet shqiptare, për të recensuar punët kërkimore të publikuara në Shqipëri, si dhe për të marrë pjesë në komisionet e reformave të universiteteve dhe të sigurimit të cilësisë; krijimi i mundësive të trajnimit dhe konsulencës, sidomos për qeverinë; dhe promovimit të projekteve të përbashkëta kërkimore midis kërkuesve lokalë dhe atyre jashtë vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›