Teuta luan titullin me Laçin
Teuta luan më shumë se 50 për qind të titullit sot në ndeshjen me Laçin. Duke qenë se Laçi është 4 pikë larg zonës së rrezikshme, parashikohet se skuadra kurbinase nuk do të tolerojë aspak. Madje, referuar edhe kalendarit të kësaj skuadre, një humbje sot me kryesuesit mund të komplikonte jashtëzakonisht shumë arritjen e qëndrimit direkt në Superiore. Nga ana tjetër, Teutës i duhet minimalisht një barazim që të besojnë ende se mund ta fitojë titullin, gjithnjë nëse fiton tri takimet e mëpasshme. Sakaq, Skënderbeu do të kërkojë të rikthehet te fitorja pas disfatës së fundjavës në Vlorë, duke i mbajtur sytë nga Kruja, ku do të luhet Laçi-Teuta (kurbinasit janë të dënuar të luajnë të gjitha ndeshjet në fushë asnjanëse). Korçarët humbën kreun, por besojnë akoma se mund të mbrojnë titullin, teksa sot do të presin një Vllazni shumë larg asaj që rivalizonte dikur për titull. Ndërkohë, në Qemal Stafa do të konsumohet ndoshta derbi i fundit, pasi me gjasa Dinamo do të bjerë nga kategoria, ndaj duhet pritur minimalisht një sezon për të parë një tjetër ndeshje derbi në kryeqytet në elitën e futbollit tonë. Me interes pritet dhe ndeshja Kamza-Pogradeci, me të dyja skuadrat që luajnë për mbijetesë. Takimet e tjera janë Tomori-Flamurtari dhe Apolonia-Bylis.
Java e 23-të
Sot, ora 16:00
Kamza-Pogradeci
Laçi-Teuta
Shkumbini-Kastrioti
Dinamo-Tirana
Tomori-Flamurtari
Skënderbeu-Vllaznia
Apolonia-Bylis