Një nga mesazhet fisnikërues të Nënë Terezës
Nuk ka njeri që s’ka dëshirë të lartësojë shpirtin, të përsosë virtytet e veta. Secili, sipas mënyrës së tij, zgjedh dhe një model për ta imituar. ( Përjashtohen ata që janë shndërruar në kafshë dhe nuk njohin gëzimet morale! ). Nuk ka njerí që të mos ndodhet ngushtë në jetë, që nuk trishtohet, që nuk mbetet bosh, që nuk ka nevojë për ndihmë. Të gjithë i kërkojnë një kuptim jetës së tyre. Kurse shtresat që u detyruan të mbijetonin në diktaturë përpiqen të gjejnë forcat që i bënë të duronin aq gjatë. Të gjithë njerëzit fisnikë e kanë zbuluar që energjia që i bëri të përballojnë fisnikërisht terrorin komunist, ishte brenda shpirtit të tyre fisnik. E, megjithatë, ata përsërí çuditen me veten se si mbetën njerëz nën terrorin e atij sistemi mizor. Habiten me veten si përballuan me dinjitet një jetë që nuk durohej. Mirpo ja ku del përpara figura e madhërishme e Nënë Terezës, bijës së kësaj toke, që fton gjithkënd të lumturohet për energjitë e pashtershme, që i ka falur secilit Zoti. Ja ku del kjo Nënë trupvogël e shpirtmadhe, që u thotë njerëzve se sa të pasur janë dhe ç’lumturí të paarritshme mund të gëzojnë në saje të forcës mahnitëse të dashurísë për njeriun. Ne të gjithë kemi ndierë në zemrat e nënave tona shkëndia të shpirtit të madh të nënë Terezës. Kemi parë si kanë kontribuar ato në përballimin e vuajtjeve njerëzore. Të gjithë jemi mallëngjyer me gjestet e tyre madhore, që na kanë bërë krenarë, edhe pse të përbuzur nga një diktaturë aq çnjerëzore. Të gjithë jemi lumturuar me gëzimet, që na ka dhënë shpirti i mbushur me dashurí për të afërmin, për atë që lëngon, për të penduarin, por dhe për ndonjë që nuk dinte se ç’bënte kundër nesh. Dhe është kjo Nënë e mbarë njerëzimit, kjo Nënë me origjinë shqiptare, që na bind përfundimisht se sa të fuqishëm bëhemi, kur duam t’i japim kuptim jetës sonë. Ndaj, duke medituar për bukurinë e sakrificës së Nënë Terezës, duke u kënaqur me vlerat që i jep ajo çdo përkushtimi për ata që kanë nevojë, duke soditur gëzimet morale të shpirtit të saj paqësor dhe duke e vendosur veten nën hijen e atij qielli lumturie, që Nënë Tereza arriti të krijonte nga thellësía e vetes, ne nuk mund të mos ndihemi të lumtur dhe krenarë, kur kemi shpalosur diçka nga misteri i atyre energjive, që na janë dhuruar për të realizuar veten në mënyrën më fisnike. Se Nënë Tereza nuk është vetëm një shenjtore, një ikonë që frymëzon dashurí, dhembshurí dhe ngushëllim pa fund për të pashpresët; nuk është ajo vetëm burim ekzaltimi moral, shkaktuar nga përkushtimi ndaj dhimbjes njerëzore, nuk është vetëm modeli i thjeshtësísë dhe madhështisë së sakrifícës. Jo! Nëna jonë Terezë është një pasqyrë e gjallë, ku njeriu, çdo njerí, i rënë në dëshpërim, mund të ringjallet, duke u çliruar nga egoizmi, nga ambicia për pushtet, a për pará, nga tundimi i pasioneve, nga cmira, nga vesi, nga përtacía dhe lakmia për që qenë me çdo kusht më lart se të tjerët. Se çdo njeri i rrëzuar gjen në modelin e Nënë Terezës hapësírat e pafundme të lirísë dhe gëzimit, të ringjalljes shpirtërore, të krenarísë së humbur, madjé, të asaj madhështie të thjeshtësisë mallëngjenjëse, që njerí ka brenda vetes. Mjafton vullneti për t’i vënë në veprim këto energjí të shpirtit, mjafton të kesh dëshirë të sinqertë për t’i dhënë kuptim vetes dhe menjëherë ndihesh i çliruar nga vargonjtë e ambicieve të vogla, e cmirave meskine. Ndihesh i çliruar nga krenaria boshe, nga mania për t’u dukur, nga shpirti i hakmarrjes, nga urrejtja e paarsyeshme, nga adhurími pacak i vetes, nga babëzia për pasurim të paligjshëm, e tj.
Nënë Tereza nuk ka vdekur! Ajo është gjallë, madjé, brenda nesh. Ajo na frymëzon me dashurí për jetën, me dashurí për të afërmit, për ata që vuajnë. Ajo na mëson se sa të fortë jemi, po të ndjekim rrugën e Zotit, atë të mirësísë, të ngushëllimit, të ringjalljes së shpresës tek të pashpresët, të përtëritjes tek të rrëzuarit, të dinjitetit tek të poshtëruarit pa të drejtë. është kjo Nënë shqiptare, që porosit njerëzimin t’u japë bukë atyre që s’kanë, dashurí të braktisurve, dritë atyre që nuk shohin, kënaqësí të dëshpëruarve, shoqërí të vetmuarve, dhimbshurí të përbuzurve pa meritë, hapësíra liríe të pashpresëve, e tj. Nëna Terezë është këtu, midis nesh dhe na frymëzon, na ngjall besim, na tregon rrugën e shpëtimit nga rreziqet, që shpesh na krijon vetja, a një shoqërí e padrejtë. Kush tha që njeriu është i pafuqishëm përballë fatit të vet ? Kush e predikon pesimizmin, fatalitetin, nihilizmin e mosbesímin në një të ardhme, apo paaftësínë e njeriut për të arritur aty ku do, kur shembulli i Nënë Terezës tregon të kundërtën ? Kur njeriu dhe që nga hiçi mund të fitojë vlera dhe autoritete morale, të denja për personalitete të papërsëritshme, kur blaton mirësí e dashuri për ata që lëngojnë nga mjerime të padëshiruara ? A nuk detyroi Nëna jonë Terezë t’u binden urdhrave të saj gjeneralë të gjithpushtetshëm dhe, madjé, edhe konstruktorë të së keqes ? Mesazhi i Nënë Terezës i ka dhënë forcë përtëritëse botës mbarë vetëm me forcën e dashurísë së saj të pakufishme për gjithë ata, ndaj të cilëve të tjerët kthenin kokën në anën tjetër. Ky mesazh prej shenjtoreje ka bërë të neveritshëme çdo egërsí njerëzore, çdo mohím vlerash njerëzore, gjithë përbuzjet shtazarake, që poshtërojnë krijesat e Perëndísë. është ky mesazh fisnik, që ka detyruar të mendohen xhelatët, a të ulin kokat mbretërit, ka bërë të ndihen borxhlinj edhe milionerët. Ky i ka bërë dhe i bën të gjithëpushtetshmit e kësaj bote madjé të vajtojnë fshehurazi për fatin e tyre të zí, nëse s’kanë menduar një herë për të mjerët, për të sëmurët, për të braktisurit, për gjithë ata që shpresojnë se Zoti i ka krijuar me të gjitha virtytet për t’i shërbyer së mirës. Nëna Terezë vrapoi gjithë jetën nga frika se po i ikte koha për të bërë mirë. Ajo edhe sot duket sikur vrapon se mos ndonjëri nga ne harron ta gjejë sa më heret kuptimin e jetës dhe se mos padashur pastaj bie në dëshpërim. Jo ! - thotë Nëna jonë, nëna e gjithë njerëzimit.- Kurrë mos e humbni shpresën dhe besimin në forcën e dashurísë suaj ! Ju jeni shumë më të pasur nga ç’e kujtoni veten tuaj !...Vraponi ta kapni kohën, që pret prej jush të bëni vepra, me të cilat të lumturoni të pashpresët e të braktisurit, të sëmurët e të dëshpëruarit dhe keni për të parë se sa të pasur do të jeni shpirtërisht, sa të pushtetshëm do të jeni mbi mjerimin, sa të madhërishëm do të bëheni, pa kërkuar kurrë t’i arrini këto duke mos e kthyer kokën nga ata që vuajnë ! çudi ! Dhe konstruktorët e mëdhenj të shpirtrave njerëzorë, gjithë ata korifej të përsosjes, që e mësojnë njeriun të njohë veten, nxitojnë t’i vijnë në ndihmë Nënës Terezë, duke klithur : ”O Zot! Shpëtona nga vetja jonë!”!...