E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qasje mbi propozimet për taksat

Genc Burimi

-Prej disa ditësh, Partia Socialiste ka vënë në dispozicion të shtetasve një link në internet, ku ata mund të llogarisin vetë taksat mbi rrogën që do të paguajnë, nëse PS-ja qeveris vendin. Testimi që i bëra kësaj “makine llogaritëse” socialiste, më çon në tre konkluzione mbi taksën progresive, e tillë siç parashikohet të aplikohet. 

Konkluzioni i parë: taksë e padrejtë ndërmjet rrogave të ulëta

Te rrogat e ulëta, taksa dyfishohet e trefishohet sa herë shtetasi merr vetëm një mijë lekë më shumë rrogë në muaj. A është normale për një “taksë të ndershme”? Shikoni shembullin e mëposhtëm, marrë nga llogaritësi elektronik i PS-së. Taksa kalon nga 0,16%, në 0,32% dhe 0,45% vetëm me një mijë lekë shtesë rroge! 

Të ardhura mujore Taksë progresive mujore% mbi të ardhura

31000 leke 500.16%    

32000 leke1000.31%

33000 leke1500.45%

Konkluzioni i dytë: nxitje për hile.

Sigurisht që PS-ja ka të drejtë kur pretendon se regjimi i saj fiskal është mjaft i arsyeshëm. Me më pak se 1% taksë mbi rrogë, siç është rasti tek shembulli i mësipërm, taksa është thuaj e papërfillshme për xhepin e qytetarit. Por pyetja që shtrohet është: a nuk rrezikon PS-ja që me këtë nivel qesharak takse në rrogat e ulëta, t’i hapë rrugën hiles më të madhe fiskale në historinë e kapitalizmit shqiptar? Si punëdhënësi, ashtu edhe punëmarrësi, do të kenë interes ta bëjnë rrogën “zyrtare” sa më të ulët, ku paguhet fare pak taksë progresive dhe pjesën tjetër të rrogës ta qarkullojnë në të zezë. Nëse kjo taksë zbatohet një ditë dhe nëse statistikat do të na tregojnë se ka rritje të pazakontë të rrogave të ulëta, ta kemi të qartë se njerëzit e kanë kuptuar hilen. I takon kokave të PS-së të mendojnë për antidotin.

Konkluzioni i tretë: taksa anormalisht të ulëta.

Po në këtë llogaritës elektronik të PS-së, bëra një provë me nivelin më të lartë të rrogës që ai të lejon, 120 mije lekë (të reja) në muaj.

Rezultati : 

E ardhur mujore :120000 lekë

Taksë progresive mujore: 6450 lekë

% mbi të ardhura: 5,375%

Vërehet se një goxha rrogë për Shqipërinë, më shumë se një mijë dollarë në muaj, do të paguajë vetëm 5% taksë. Pyetja shtrohet se si do t’ia bëjnë financat publike? 1 mijë dollarë rrogë mujore në Shqipëri, janë baras në kosto jete, me 4 mijë dollarë rroge në Perëndim, të paktën në një vend si Franca, ku vetëm për t’u strehuar të nevojiten 1500 euro në muaj. Por rrogat e mesme e të larta në Perëndim, nuk i shpëtojnë kurrë një taksimi progresiv minimal 20 a 25%. Përndryshe shteti falimenton. Në Shqipëri, rrogat mbi mesataren do të taksohen vetëm 5% ! Dy alternativa: ose PS-ja ka identifikuar vendburime nafte në Shqipëri dhe do t’ia dalë me taksa të ulëta si Arabia Saudite, ose ajo ka plan ta bëjë Shqipërinë parajsë fiskale si Monako, ku banorët paguajnë fare pak taksa si kompensim të llogarive bankare që hapin të huajt. Përndryshe, një ekonomisti serioz nuk i del llogaria me këtë nivel anormalisht të ulët taksash që propozon PS-ja. Për të mos rënë viktimë e demagogjisë, ajo do të jetë e detyruar, nëse vjen në pushtet, të presë në ndihma sociale dhe investime publike. Ose do të hyjë në borxh. Gjë që do të thotë që ato taksa që s’do të paguhen sot, do të paguhen shumëfish nesër nga fëmijët tanë. Pak a shumë ajo që po i ndodh Greqisë. Nuk është thjesht debat elektoral. Është debat më serioz se kaq. Problemi i Shqipërisë sot nuk është taksa. Problemi i Shqipërisë është se s’ka punë, pasi ndërmarrjet nuk investojnë, pasi bankat nuk japin kredi, ose i japin me interesa shumë të larta. Në një ekonomi, mund ta bësh taksen edhe zero. Por investitori, po pati 0 lekë në arkë për të investuar, ai nuk do të investojë kurrë. Jo për faj të taksës, por të mungesës së akumulimit të kapitalit. Debat i gjatë që PD-ja, tetë vjet në pushtet nuk e kuptoi. PS-ja duhet patjetër ta rrokë sa më shpejt këtë.  problematike.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›