E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qato: Jam i kënaqur me fitoren,tani drejt mbrojtjes së Gjerdanit të Artë

Pasi është rikonfirmuar Kampion Bote në versionin "WBF", Kreshnik Qato duke u shprehur i kënaqur për fitoren kërkon të mos i vendosë limite vetes. Në një intervistë telefonike për "Ora News", boksieri që ngriti sërish lart flamurin e Shqipërisë tha se së shpejti do të bëjë të ditur planet e tij dhe menaxherit, Ylli Ndroqi për ndeshje të reja, më e emocionante, dhe sigurisht rimbrojtjen e Gjerdanit të Artë. "Së shpejti, unë dhe menaxheri im, Ndoqi, do të zbardhim një plan të ri, ku do të bëjmë të ditura edhe lëvizjet tona të ardhshme për të mbrojtur titullin e Kampionit të Botës", tha Qato, por preferoi të mos bënte të ditura detaje nga ky projekt i ri i cili siç theksoi edhe vetë 'do të bëhet publik së shpejti'. Boksieri, i cili duke u gdhirë e diela, u rikonfirmua Kampion Bote, pas fitores me nokaut teknik, ndaj boksierit amerikan, David Estrada, nuk harroi për asnjë çast të falenderonte për mbështetjen promotorin e tij, Ylli Ndroqi, dhe ata qindra tifozë shqiptarë të cilët i dhanë zemër gjatë përballjes së zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Jam ndier si në shtëpinë time. Nuk dalloja dot ndryshim. Më dukej sikur ishim në Shqipëri', tha i emocionuar Qato. Fitorja e Qatos ishte një ogur i mirë për atë personalisht dhe boksin shqiptar, pasi kjo ishte hera e parë që një boksier shqiptar ngjitej në ring në Shtetet e Bashkuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›