E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qato: Ringu amerikan, një ëndërr e imja

Më 20 dhjetor, Kreshnik Qato do të rikthehet në ring për të mbrojtur titullin e kampionit të botës në versionin WBF për peshat e mesme. Këtë brez boksieri nga Durrësi e fitoi me pikë, pas 12 raundeve më 4 prill 2008, përballë portugezit Vitor Sa. Sfida e radhës është kundër boksierit guatemalo-meksikan, David Estrada, ku 30-vjeçari do të tentojë të rikonfirmohet për kurorën e "World Boxing Foundation". Ndeshja do të zhvillohet në kompleksin sportiv "Burr Arena" të universitetit "Hauard" në Uashington. Për Qaton ky është debutimi në ringun amerikan dhe boksieri nuk e fsheh faktin se në këtë mënyrë realizohet një prej ëndrrave të tij. "Karrierën si boksier profesionist e kam filluar në ringun anglez, e më pas edhe në atë shqiptar. Ndeshja e radhës është e para për mua në ringun amerikan. Nuk mund ta mohoj që ringu amerikan ka qenë gjithmonë në ëndrrat e mia. Nuk trembem nga ky duel, pasi kam besim në forcat e mia dhe në punën e trajnerëve", deklaroi ai. Përgatitjet për duelin me Estradan janë në fazën kulmore, ndërkohë që një prej kundërshtarëve në përgatitore është kampion i versionit WBA International, Antoni Smoll. "Po stërvitem me intensitet, pasi më ndajnë vetëm dy javë nga mbrëmja e madhe. Fakt pozitiv është se në stafin tim është shtuar edhe një këshilltar teknik, Spenser Firon, i cili punon edhe me të mirënjohurin Deni Uilliams".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›