E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qato mbron me sukses titullin botëror

Kreshnik Qato mbron me sukses titullin e kampionit të botës për peshat e mesme në versionin WBF. Boksieri shqiptar fitoi bindshëm përballë sfidantit amerikan David Estrada dhe mban brezin, të cilin e fitoi më 4 prill 2008 në Tiranë. 30-vjeçarit të lindur në Durrës, që banon në Angli, i mjaftuan gjashtë raunde për të thyer kundërshtarin, i cili doli jashtë loje pas një "knock out"-i teknik. Ky rezultat është i rëndësishëm edhe për faktin se Qato debutoi me sukses në ringun amerikan, ku ishte protagonisti kryesor i mbrëmjes sportive të organizuara në pallatin e sportit "Burr Arena" të Universitetit të Houardit, në kryeqytetin e SHBA-së, Uashington DC. Një tjetër fakt interesant i këtij dueli ishte se, për të mbështetur Qaton, tribunat e ringut ishin mbushur me disa dhjetëra shqiptarë që jetojnë përtej Atlantikut. Shqiptarët dhe ngjyrat kuqezi, si dhe brohorimat në gjuhën tonë, dominonin në arenën sportive me kapacitet 3000 vende dhe kampioni i botës në fuqi nuk i ka zhgënjyer tifozët. Boksieri shqiptar ishte mjaft i saktë teknikisht, duke shpalosur një mbrojtje të qëndrueshme dhe duke sulmuar mjaft mirë. Estrada u përpoq në maksimum, por nuk mundi ta përballonte paraqitjen gjithnjë në rritje të Qatos. Raundi i pestë ka paralajmëruar epërsinë në rritje të boksierit shqiptar, i cili e dominoi plotësisht, ndërsa raundi i gjashtë ishte thjesht një formalitet. Duke parë gjendjen e vështirë të boksierit të tij, trajneri i Estradës u detyrua të hidhte peshqirin në ring, duke pranuar dorëzimin pas 2 minutash dhe 18 sekondash në këtë raund. I pranishëm në këtë eveniment ishte edhe një ekip i televizionit lokal të komunitetit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe byroja shqiptare e "Zërit të Amerikës". Për të festuar triumfin e Qatos, tifozët dhe zv/ambasadori Kreshnik Çollaku, si dhe sekretari i dytë i ambasadës, Dritan Mishta, janë spostuar në një lokal me pronarë shqiptarë, ku qëndruan deri në orët e para të mëngjesit. Pas rikonfirmimit si kampion në WBF, 30-vjeçari deklaroi: "Jam ndier si në shtëpinë time. Nuk dalloja dot ndryshim nëse ishim në Uashington, apo në Shqipëri".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›