E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rigrupimi i aktivistëve në Rusi

14-03-2012 / “Foreign Affairs”

Shpërthimi ekonomik që ndodhi në kohën kur Vladimir Putin ishte kryeministër, bëri që të krijohej në Rusi klasa e mesme. Por, tashmë, pas zgjedhjeve presidenciale të së dielës, pikërisht ky grup është kthyer kundër tij dhe ka dalë nëpër rrugë për protesta.
Vladimir Putin nuk priti gjatë për të festuar. Në orën 11 të natës së ditës së dielë, pikërisht 3 orë pasi u mbyllën votimet në Moskë, ai qëndronte jashtë portave në Sheshin e Kuq dhe rrethohej nga një turmë prej 100,000 njerëzish – shumë prej të cilëve ishin paguar prej 300 rublash (10 dollarë) për të ndenjur atje. Ditët e fundit të fushatës së tij, Putin nisi të bënte të ditur përpjekjen e tij për t’u kthyer në Kremlin, duke e quajtur këtë si një betejë ushtarake për të ardhmen e vendit. “Ne jemi një popull ngjadhënjimtar! E kemi në gen, në kodin tonë genetik!” u shpreh ai në stadiumin e Moskës më 23 shkurt. Gjatë fjalimit të tij të së dielës, bëri të njëjtën retorikë duke thënë “Ju premtova se do fitonim dhe fituam”. Më pas shtoi “Ne provuam se askush nuk na imponon asgjë”.
Ashtu siç është shprehur edhe vetë, zgjedhja nuk ka qenë kurrë e tij; pati si rival Gennady Zyuganovin, për një kohë të gjatë kreu i Partisë Komuniste, i cili kandidoi për president më 1996 dhe Mikhail Prokhorov, bilioneri i Rrjetit të New Jersey, i cili hyri në garë në dhjetor. Zgjedhja ka qenë midis Putinit dhe kaosit, midis Putinit dhe humnerës. Me fjalë të tjera, Putini është një politikan mbi politikën.
Ajo që e bëri interesante jetën politike në Rusi ishte se kjo fasadë e plotfuqishmërisë ka nisur të plasaritet. Pas zgjedhjeve parlamentare në dhjetor, klasa profesionale qytetëse përjetoi një rizgjim politik dhe qytetar, një proces për të cilin bëra një kronikë te “foreign affairs” javës që shkoi. Për herë të parë brenda një dekade, dukej se kishte shpresa – edhe pse amorfe. Ngjarjet e ditëve të fundit në Moskë duket se shërbyen si pengesë për këto shpresa. Në fillim ia behu fitorja e Putinit – 6% zyrtarisht – dhe triumfi i tij e nxiti të mbante fjalim natën e fitores. Putini dukej si një njeri që besonte te morali i fitores së tij, një shenjë shqetësuese për ata që shpresonin se ai duhej të kishte bërë reforma koncesionare. Më pas, ditën tjetër, nisi një protestë në Sheshin Pushkin në Moskë, ku u mblodhën rreth 20,000 njerëz – një turmë madhështore po të gjykosh nga moti i acartë i së hënës në darkë.
Mërzia në Sheshin Pushkin ishte më e errët sesa festimet për fitoren e Putinit, ishte një atmosferë e nderë.  “Po, mërzia u bë më radikale” u shpreh Vladimir Ryzhkov, një ish deputet. “Nëse themi se kishte shpresa në dhjetor, që shteti duhet të futej në ndonjë lloj dialogu apo negociate, tashmë e kuptojmë se autoritetet janë thjesht shpërfillëse ndaj kërkesave tona”.
U shtua tensioni atë natë protestash në Moskë, për faktin se sheshi u mbush me trupa të armatosura dhe batalione policësh. Kjo gjë zbuloi në njëfarë mënyre paranojën e Kremlinit. Boris Nemstov, prej një kohe të gjatë një politikan liberal, më tregoi se protesta ishte “e suksesshme, duke e gjykuar nga sasia e trupave të armatosura që janë këtu”. “Duket qartë që ata kanë frikë nga ne”.
Fakti që demonstrata ishte një sukses mbetet e paqartë, ashtu siç është edhe e ardhmja e opozitës ruse.
Kur mbaroi protesta, pothuaj të gjithë u kthyen në shtëpi, por një grup prej qindra vetësh drejtuar nga Navalny dhe Uldatsov ndenjën akoma, duke iu afruar edhe më shumë shatërvanit në qendër të sheshit.
Pas një ore, u arrestuan më shumë se 200 prej tyre.
Ndonjë përshkallëzim mund të rezultonte antiproduktiv. Nëse ky është drejtimi i protestës, mund t’i kthehet ditëve të ashtuquajturës strategji e vitit 2009, kur qindra njerëz mblidheshin më 31 të çdo muaji në sheshin Triumfalnaya të Moskës, vetëm që të shtyheshin, të goditeshin dhe të arrestoheshin nga policia.
Ishte një grup i besueshëm, por me pak pjesëtarë. Një nga përpjekjeve më të mëdha të opozitës gjatë javëve para zgjedhjeve parlamentare ishte regjistrimi dhe trajnimi i mijëra monitoruesve vullnetarë për zgjedhjet. Pjesa më e madhe e vëzhguesve ishin shpërndarë nëpër pikat e votimit në Moskë dhe prania e tyre donte të thoshte se autoritetet nuk mund të falsifikonin rezultatet në kryeqytet, me të njëjat metoda të ashpra që vunë në përdorën në dhjetor. Autoritetet shfrytëzuan më shumë teknika dredharake kësaj here, si të ashtuquajturët karuselë votuesish që udhëtuan nga njëra pikë votimi tek tjetra me autobusë të marrë me qira.
Megjithatë, këto u kombinuan me faktin që Putini vetë është shumë më popullor se Rusia e Bashkuar si parti, gjë që do të thotë se niveli i falsifikimit, edhe pse ende i dukshëm, ishte më i ulët sesa në dhjetor. 
Ditën e mërkurë Liga e Votuesve, një grup civil i formësuar prej disa gazetarëve të shquar dhe shumë figurave të tjera publike, shpalli se analiza e tyre për votat sugjeronte që edhe me “sistemin” mashtrues, Putini fitoi 53%. Ndërkaq, Golos, grupi më i respektueshëm i monitorimit të zgjedhjeve parashikoi se Putin do fitonte të paktën 54%.
Ajo që është krejtësisht e qartë për të gjithë është se protestuesit kanë hyrë në një periudhë të re dhe krejt të paqartë. Këtë javë, Boris Akunin, një autor i librave me detektivë dhe një nga themeluesit e Ligës së Votuesve, më tregoi se “euforia 3 mujore” po mbaron bashkë me “ndonjë iluzion se ky regjim duhet ndryshuar vetëm me protesta paqësore”.
Ujërat mund të qetësohen për ca kohë, tha, jo për shkak të “kapitullimit të opozitës, por për shkak të një riformësimi të brendshëm psikologjik kundrejt një trajte të ndryshme veprimesh”. Se ç’formë mund të marrë, kjo gjë do të shihet të shtunën, kur organizuesit e protestave të marrin aprovimin nga zyra e kryebashkiakut për një tjetër demonstratë të madhe në Moskë, kësaj here në rrugën kryesore tregtare në Arbat Novy. Beteja në vazhdim për përfaqësim politik, shprehet Akunin, do të jetë “e gjatë, e vështirë dhe pa asnjë fjongo të bardhë apo balona”.
Përktheu Rudina Dahri

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›