Që të mandatohej kryetar, Ramës i duheshin fajtorë imagjinarë
“Më tepër flasin për moralin ata që s’e kanë” - Sokrati -
Si delirant, Edvin Rama nuk mendoi se mund t’i humbte zgjedhjet. Prandaj disfata e tërboi më tepër. I mësuar të vidhte votat e bashkisë, s’i thirri mendjes të harronte si mushka Valarénë. Që në fillim ai s’u bë kryetar t’i shërbente PS-së, por ta përdorte këtë si mburojë për mëkatet e tij. Edhe sekserët që e vunë në krye, menduan t’u mbante në shpinë mëkatet. Ndoshta prandaj kongresi i jashtëzakonshëm zbuloi që PS-ja ka mbetur parti e mëkatit. E ardhur nga legjionet e krimit komunist, ajo është endé peng e luftës së klasave. E papenduar për zullumet, është bërë simbol i shpifjes, akuzave false dhe “justifikimit” të çdo padrejtësie. Edukuar me frymë pushteti absolut, nuk po pranon humbjen, as verdiktin final të institucioneve për zgjedhjet, as barazínë e saj para ligjit me kundërshtarët. E mësuar t’i çmonte disfatat si fitore, çdo garë të humbur elektorale, e damkos si të manipuluar. Kjo mëkatare, kur bie nga “fiku”, mallkon edhe elektoratin e vet. Por, meqë demokracia i ka “shkelur bishtin”, përpiqet të shtiret si e reformuar, liberale, novatore, konstruktive, etj. PS-ja është përshtatur nga halli me demokracinë. Ajo ka mbetur endé te kënga “Është lufta finale!...”. Ndoshta prandaj nuk pranon të distancohet nga krimi komunist. Nuk u kërkon të falur viktimave. Nuk e njeh rolin prej shërbestareje ndaj sovranit. Mësuar të sundojë pa kundërshtarë, ndjek gjurmët e “nënës” në urrejtjen pa arsye ndaj gjithkujt që nuk i bindet.
Edhe pse shkaktar kryesor i humbjes së zgjedhjeve, Ramën e futën të rikandidojë për kryetar partie falangat e vjetra të krimit. Por Ramës, që të dilte i pafajshëm, i duhej doemos një fajtor. U mendua ta sajonte atë brenda partisë, por iu kujtua që e kishte personalizuar tepër fushatën. Mallkoi komisionerët e vet, por i dolën aq të shumtë, sa duhej të fajësonte gjithë partinë. Të gjithë këta mëkatarë kishin mbrojtur me besnikëri të vërtetën. Heshti. U end nëpër botë të gjente mbështetje, por kudo i kthyen shpinën. Në fund hëngri turpin me bukë dhe vrapoi të blinte nëpër komuna e bashki kongresmenë, nostalgjikë të enver qafirit dhe të qelepirit. I joshi ata me poste, me prona, me falje mëkatesh. I dëndi me shpresa, me lajka, me krekosje se gjoja tek ata ishte shpëtimi i PS-së. Porositi lakejtë të përzgjidhnin delegatë më “kërriçat”, ndërkohë që vetë montoi akuza të rënda ndaj mazhorancës. Meqë i duhej të largohej si humbës, u vetëshpall fitimtar. Fajtor i padyshuar për humbjen, u mburr që e kishte nxjerrë partinë forcë të parë. Dhe iu kthye frymës së luftës klasore. Nisi të gjente kudo armiq. Ngjalli frymën e përjashtimit, sidomos tek të korruptuarit e pushtetit vendor. Dhe u kap pas hallkës kryesore të fenomenit. Nxorri, në fund, shkaktare të “humbjes” së tij të djathtën. E akuzoi si manipulatore, kur gjithë institucionet e zgjedhjeve e shpallën këtë unanimisht fitimtare. E damkosi si të korruptuar, meqë Ramën nuk ka se ku ta zërë qeni. Simbol i mentalitetit diktatorial, autoritarizmin e fshehu prapa nevojës për disiplinë. Rama doli, pra, një despot liberal, më i rrezikshëm se ata, që mbjellin terror të hapur. I tërbuar nga e vërteta e humbjes, sajoi historinë e fitores plebishitare. Fjalimi i tij në kongres ishte apologjia e një mëkatari, që, për t’u shpëtuar akuzave për fajin e humbjes, akuzon si kriminel viktimën. I trembur nga humbja, ulëriti ta shpëtonin nga ankthi i largimit fatal nga posti. Dhe liberali Ramë nisi t’i shihte si armiq gjithë sa guxuan të kandidonin për kryetar. Prandaj, në vend që t’i falënderonte për shpirtin demokrat dhe guximin qytetar, i detyroi të largoheshin nga gara, duke e paravendosur fitoren e vet me puthadorët. Dhe i ftoi “partnerët” t’i binin daulles, kur Rama të votëbesohej si kryetar i përjetshëm, meqë doli një humbës i pagabueshëm. Fjalimi i tij stalinist ishte plot shpifje, akuza të paqëna, akte krimesh elektorale, atentate politike me njerëz të inkriminuar, etj. Të gjithë qënkëshin kundër këtij njeriu, që nuk i njohu një gabim të vetëm vetes. Në sallë zëri i tij buçiti si klithma kërcënuese e “qoftëlargut”. Ajo përloti gjithë nostalgjikët enveristë dhe tmerroi ata që endé nuk e dinin ç’është pushteti i një diktatori të zemëruar. U duk një çast sikur njerëzit, të terrorizuar, u futën nën tokë dhe në tribunë mbeti vetëm qafa e gjatë e një “xhirafe” të plagosur nga kërkesa e elektoratit për dorëheqje. Përballë gjithë armiqve imagjinarë qëndronte i zverdhur në fytyrë “fitimtari” hakmarrës, që donte zgjedhje të parakohshme dhe bojkotim të parlamentit nga deputetët e peshuar prej tij me “kandar floriri”. Të gjithë e ndien veten një çast armiq të këtij misionari hipokrit, që i kishte mashtruar, kur deshi ta zgjidhnin dhe tani po i kërcënonte ta mbanin me çdo kusht në krye të partisë. Armiq u ndien aty edhe gazetarët, gjithë punonjësit e televizioneve private e shtetërore. Armiq u shpallën ata që kërkuan transparencë. Armik u akuzua gjithkush që guxoi të mendonte se mund t’i zinte “padishahut” vendin. Armiq u ndien edhe gjithë deputetët, që prisnin të kryenin detyrimin ndaj elektoratit duke hyrë në parlament. Por armiku më i madh, më i pafalshëm, ai që duhej përndjekur katër vjet në pushtet ishte mazhoranca. Si kishte guxuar kjo manipulatore të fitonte zgjedhjet para këtij misionari, që nuk i njihte kufij të majtë, a të djathtë elektoratit shqiptar? Si u fituakan kështu zgjedhjet para këtij Stalini, që kishte sajuar gënjeshtrën e bukur të “Politikës së re”?
Pra, Rama! Ky idealist i pilafit dhe liberal despot, ky anarkist mashtrues e misionar gënjeshtar, ky artist i shpifjes dhe ideator i bunkerizimit të mendimit të lirë, brenda një partie, që ka nevojë për frymëmarrje, po përjeton sot çastet e vështira të atyre mëkatarëve, të cilët, për t’iu shmangur akuzave, sajojnë manipulatorë zgjedhjesh dhe hedhin mbi ta, jo vetëm veset e veta, po dhe gjithë mëkatet, që kryejnë në emër të ambicies së tyre të pakufishme për pushtet absolut!...