"Që të mos lëshojnë atë karrige që u ka zënë sytë dhe veshët"
Ne shqiptarët vazhdojmë të jemi fanatikë të historisë dhe të kaluarës sonë. Kjo tregohet më së miri në lëvizjet e fundit të partive të vogla të kampit opozitar, për t'u rigrupuar në një koalicion opozitar brenda opozitës. Dhe e dini pse janë fanatikë për të respektuar historinë dhe të kaluarën e vendit tonë? Për të treguar që të zgjedhurit tanë bashkohen vetëm atëherë kur atyre nën të ndenjura u vihet një karrige e butë dhe ngrohtë. "Jo të nxehtë, si Gërdeci i harruar". Por ndonjë post ministror.
Këtë ndikim në politikë-bërje politikanët tanë e kanë të trashëguar nga periudha e lavdishme e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Kur bashkimi i zonave të Tiranës, Durrësit dhe i disa viseve të tjera të Shqipërisë së Mesme iu bashkuan trungut të mëmëdheut, atëherë kur Esat Pashë Toptanit iu ofrua posti i ministrit të Punëve të Brendshme në qeverinë e Ismail Qemalit.
Pra, politika jonë ka mbetur disi mbrapa në mentalitet. Mentalitet jo i hijshëm për një vend që aspiron "integrimet" dhe përparimin. Që rrallë se do t'i afrohet ndonjëherë vendi ynë me këtë klasë politike të vjetruar dhe të dalë mode e boje. Në momentet kur Shqipëria ka nevojë për një stabilitet politik, politikanët bëjnë të kundërtën për t'u shtrënguar fort mbas karriges së tyre të butë dhe të ngrohtë. Ndërkohë që shqiptarët nuk kërkojnë asgjë, veçse me ato pak të ardhura të arrijnë në fund të muajit. Por kanë harruar shqiptarët që politika jonë ka ngelur në kohën e Esat Pashë Toptanit, por me ca Esat Pashanjë modernë, të vjetruar, konsumuar, dalë boje.
E kështu politikanët tanë kanë goxha kohë që çahen dhe përçahen me një periudhë pushimi 45-vjeçare komuniste. Vetëm e vetëm që të mos lëshojnë atë karrige që ua ka zënë sytë dhe veshët. Ndërkohë që populli vazhdon ta vuajë akoma pa pushim e pareshtur këtë përçarje, e cila nuk bën asgjë tjetër por veç ua shton mjerimin.