E Diel, 1 Nëntor 2026

Qejfli, muzikant, jurist, presidentNga Enver RobelliI kulturuar, i arsimuar, dikur merakli në femra, sot burrështetas proevropian dhe luftëtar kundër korrupsionit: Kryetari i ri i Kroacisë, Ivo Josipoviç, është një tip politikani krejt tjetër nga ko

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Qejfli, muzikant, jurist, presidentNga Enver RobelliI kulturuar, i arsimuar, dikur merakli në femra, sot burrështetas proevropian dhe luftëtar kundër korrupsionit: Kryetari i ri i Kroacisë, Ivo Josipoviç, është një tip politikani krejt tjetër nga kolegët e tij në Ballkan

1. Vera “PobjeDA”

Edhe në çastin e triumfit më të madh në karrierën e tij politike Ivo Josipoviç mbajti një qëndrim të përmbajtur. Derisa qindra simpatizantë të Partisë Socialdemokrate të Kroacisë (SDP) brohorisnin emrin e presidentit të ri kroat, emrin e Ivo Josipoviçit, ai doli para grumbullit të njerëzve në selinë e shoqatës së gazetarëve në Zagreb dhe pa asnjë emocion i falënderoi zgjedhësit, duke apeluar për durim. Pastaj të pranishmëve Josipoviç u tha se festa do të fillonte tek pas mesnatës. Ishte ende e diel, 10 janar, kur Josipoviç foli për herë të parë pas fitores në zgjedhjet presidenciale. Anketat e para (exit polls) tregonin qartë se Josipoviç do të jetë kryetar i Kroacisë në 5 vitet e ardhshme. Por, sipas ligjit, komisioni i zgjedhjeve në Kroaci nuk ka të drejtë të publikojë rezultatet para mesnatës. Për këtë arsye profesori i drejtësisë Ivo Josipoviç me çdo kusht dëshironte të respektonte ligjin, ndonëse gjithçka dihej, por prapë ai nuk ia lejonte vetes luksin e kremtimit. Pikërisht pas mesnatës, në minutat e para të ditës së hënë, komisioni zgjedhor konfirmoi fitoren e Josipoviçit. Dhe festa filloi. Vera derdhej nga shishet që bartnin etiketën “PobjeDA” (Fitore). Më vonë festa vazhdoi në një lokal të njohur të Zagrebit, në “Stari fijaker”, dhe mes shumë festarëve dallohej presidenti i deritanishëm Stjepan Mesiç.

2. Drejtësi sociale

Para se të festonte, presidenti i ri Ivo Josipoviç i tha disa fjalë të mira, disa fjalë që publiku në Ballkan s’është mësuar t’i dëgjojë. Kur fitojnë në zgjedhje politikanët e vendeve të tjera të ish-copëzave të Jugosllavisë, atëherë ata menjëherë e shurdhojnë publikun me fraza të qullura për patriotizmin, madhështinë kombëtare, historinë, heronjtë nacionalë etj., etj. Ivo Josipoviç foli për të ardhmen e Kroacisë, ai tha se do të punojë për drejtësi sociale. Ai nënvizoi se Kroacia duhet të bëhet vend, ku puna paguhet dhe krimi ndëshkohet. Presidenti tha se Kroacia duhet të luftojë plagën e hapur të korrupsionit. “Nuk do t’ju zhgënjej”, - kjo ishte fjalia e fundit e Josipoviçit në fjalimin e parë pas fitores në zgjedhjet presidenciale. Në raundin e parë të zgjedhjeve, i cili u mbajt më 27 dhjetor, të gjithë kandidatët, gjithsej 12, kishin premtuar se do të luftojnë korrupsionin. Vetëm dy kandidatë u kualifikuan në raundin e dytë, Ivo Josipoviç dhe Milan Bandiç, ky i fundit kryetar shumëvjeçar i Zagrebit. Zgjedhësit të dielën i besuan Josipoviçit dhe premtimeve të tij se do të luftojë korrupsionin. Fitorja e Josipoviçit tregon, para së gjithash, një gjë: Në Kroaci nuk fitohen më zgjedhje me parulla patriotike, por me programe për luftë kundër krimit financiar, kundër ekonomisë së zezë, kundër mashtrimit.

3. Kuqalosh - dhe katolik?

Zgjedhësit nuk i besuan Milan Bandiçit, një arrivisti të suksesshëm nga Bosnjë-Hercegovina, i cili falë talentit të tij politik në vitin 2000 u zgjodh prefekt i Zagrebit. Bandiç ka merita të mëdha për modernizimin e shumë lagjeve të Zagrebit, për rregullimin e rrugëve, shesheve, parqeve, për zgjerimin e rrjetit të transportit publik etj. Por, zgjedhësit nuk kanë harruar edhe skandalet e Bandiçit. Në vitin 2002 ai ishte ndalur nga policia derisa po voziste i dehur tapë. Me atë rast ishte përpjekur të ikë nga vendi i ngjarjes dhe kishte tentuar t’u japë ryshfet policëve. Pasi u bënë publike këto detaje, Bandiç dha dorëheqje, por shpejt u kthye në postin e prefektit, sepse premtoi se do ta respektojë ligjin. Ky premtim i tij qe i kotë, sepse mediat vazhduan ta akuzojnë për përfitime, për korrupsion dhe pranim ryshfeti. Meqë Kroacia që nga shpallja e pavarësisë nuk ka pasur drejtësi vërtet të pavarur, asnjëherë nuk janë zhvilluar hetime kundër Bandiçit. Ndër aferat më argëtuese për publikun ka qenë ajo me nevojtoret publike. Vartësit e tij për dy WC kishin paguar 211 mijë euro. Skandale të tilla ia bllokuan rrugën Bandiçit drejt Pantovçakut, selisë së presidentit kroat. Kishte edhe arsye të tjera që çuan në humbjen e tij: Bandiç kandidoi kundër vullnetit të partisë. Deri në fillim të nëntorit ai ishte anëtar i Partisë Socialdemokrate. Kur Bandiç vendosi të kandidojë kokë më vete dhe hapur shprehu zemërimin kundër partisë që kishte vendosur ta dërgojë në garë Ivo Josipoviçin, atëherë u dëbua nga partia. Sidomos në dy javët e fundit, mes raundit të parë dhe të dytë të zgjedhjeve për president, Bandiç humbi busullën politike. Deri dje socialdemokrat, ai gjatë fushatës doli dhe apeloi që kroatët të votojnë kundër Kroacisë së kuqe. Një i kuq (i rrejshëm?) agjitonte kundër të kuqve, kundër shokëve të tij. Këtë propagandë nuk e hëngri shumica e qytetarëve kroatë. Bandiçit nuk i ndihmoi as demonstrimi i një aleance gjysmëpublike me Kishën Katolike, e cila shpesh përzihet në politikë në Kroaci. Të dielën e kaluar, në ditën e raundit të dytë të zgjedhjeve, gjatë ose pas meshave priftërinjtë herë hapur dhe herë fshehur apeluan te zgjedhësit që votën t’ia jepnin Bandiçit. Po ashtu Bandiç mburrej se e ka mbështetjen e veteranëve të luftës. Madje doli edhe një shoqatë e ish-luftëtarëve shqiptarë të Kroacisë, e cila e përkrahu Bandiçin. Mediat austriake raportuan për këtë kuriozitet shqiptar me ton humori. Nga ana tjetër Ivo Josipoviçi gjatë fushatës gëzoi mbështetjen e gjeneralit Rrahim Ademi, i cili ka merita të mëdha për luftën kroate kundër agresionit serb. Për dallim prej shumë gjeneralëve rrahagjoksë kroatë, të cilët me vite u përpoqën t’i iknin drejtësisë, e cila i fajësonte për krime kundër serbëve kryesisht të moshuar, Ademi shkoi vullnetarisht në Hagë. Pastaj Tribunali i OKB ia delegoi rastin gjyqësisë kroate, e cila gjeneralin e lindur në Kosovë e shpalli të pafajshëm.

4. Drejt Brukselit

Presidenti i ri Ivo Josipoviç ka premtuar se do të jetë prijatar i anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian në vitin 2012. Politikanët në Zagreb kanë edhe dy vjet përpara për të reformuar shtetin, tëholluar administratën dhe për të ndërtuar një sistem gjyqësor vërtet të pavarur. Sipas Kushtetutës kroate presidenti nuk ka shumë kompetenca. Por, në dhjetë vitet e fundit Stjepan Mesiç ka dëshmuar se kryetari mund të shndërrohet në instancë morale dhe të jetë zë i rëndësishëm kritik dhe luftëtar për interesat e qytetarëve. Përndryshe Mesiç pas fitores në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 vetë kishte hequr dorë prej shumë kompetencave, të cilat presidenti autokrat Franjo Tuxhman ia kishte qëndisur vetes në kushtetutë. - Kroacia ngaherë është nisur në rrugën e gjatë drejt Brukselit. Këtë rrugë e kanë hapur presidenti Mesiç, i cili menjëherë pasi mori postin i largoi nga funksionet disa gjeneralë të diskredituar të ushtrisë kroate dhe liberalizoi debatet publike. Merita të mëdha për rrugën evropiane të Kroacisë ka edhe ish-kryeministri Ivo Sanader. Ai luftoi klanin antievropian të Tuxhmanit në Bashkimin Demokratik Kroat (HDZ) dhe ndihmoi në arrestimin e gjeneralit Ante Gotovina. Kështu Sanader ia hapi portat Kroacisë drejt BE. Por, Sanader, i cili karrierën e tij publike e kishte nisur duke i shitur revistave kroate fotografi të femrave cullak, nuk u tregua i vendosur për të luftuar korrupsionin. Madje në shumë afera korruptive përmendet emri i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij. Në korrik të vitit të kaluar ai papritmas dha dorëheqje. Në gjashtë muajt e fundit pasardhësja e tij në post, Jadranka Kosor, i hapi shtegun drejtësisë për të hetuar shumë afera. Gjatë kësaj kohe u godit edhe rrethi i Sanaderit. Dhjetëra menaxherë të ndërmarrjeve shtetërore janë arrestuar, kundër një ministri është ngritur aktakuzë, kundër një tjetri po zhvillohen hetime. Drejtësia kroate ka vënë nën thjerrë Fondin e Privatizimit, Hekurudhat e Kroacisë, ndërmarrjen për menaxhimin e autostradave (HAC), disa fakultete të Universitetit të Zagrebit, përfaqësitë diplomatike në Libi, ku një diplomat ka importuar alkool me qëllim përfitimi, dhe në Nju-Jork, ku ambasadori ka harxhuar dhjetëra-mijëra dollarë në kazinotë e Las Vegasit. Shumica e politikanëve të Kroacisë tashmë e kanë të qartë: Vendi nuk mund të anëtarësohet në BE pa u pastruar nga aferat, skandalet, mashtrimet, manipulimet e tenderëve. (Do të ishte mirë që sivjet secili ministër i qeverisë së Kosovës të vijë disa ditë në Zagreb - për të kuptuar se si duhet të pastrohet oborri para se të kërkohet hyrja në BE). Në Kroaci mbetet ende shumë punë për t‘u bërë. Për këtë është i vetëdijshëm presidenti i ri Ivo Josipoviç. Në intervistën dhënë gazetës “Jutarnji list” ai tha: “Mendoj se çdokush e ka të qartë se dikush që është përgjegjës për afera duhet të largohet nga funksioni zyrtar”.

5. Biografia

Presidenti i ri kroat është 52-vjeçar. Ka lindur në Zagreb, por familja e tij rrjedh nga Bashka Voda, një lokalitet afër Makarskës, në breg të Adriatikut. Kushërinjtë e tij në Bashka Voda kanë treguar për mediat e Zagrebit se Ivo Josipoviç që në moshën 10-vjeçare ishte ndër më të mirët në lojën e shahut. I mposhtte të gjithë, përfshirë edhe babain e tij Ante. Në Universitetin e Zagrebit Josipoviç studioi drejtësi. Njëkohësisht ai përsosi talentin e tij për muzikë, në Akademinë e Muzikës në Zagreb u arsimua për kompozitor. Është autor i dhjetëra studimeve juridike dhe ka specializuar e ligjëruar në disa universitete perëndimore, po ashtu është autor i mbi 50 veprave muzikore. Aktualisht Josipoviç është duke punuar në një operë për John Lennonin. Josipoviç ka përfaqësuar Kroacinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Me autorizim të Këshillit të Evropës ka inspektuar burgjet në Ukrainë, Mongoli dhe Azerbajxhan. Kolegët e tij nga Fakulteti Juridik në Zagreb tregojnë së Josipoviç si student dhe asistent ka qenë “magnet i femrave”. Njëri prej miqve tregon se Josipoviç kishte tri përparësi, të cilat prej femrave vlerësoheshin shumë: “Ishte i ri, i bukur dhe kishte shumë interesa”. Miku i tij i ngushtë Ivan Shimonoviç, i cili aktualisht është ministër i drejtësisë, thotë se Josipoviç ka ruajtur raporte të mira edhe me ato femra, me të cilat ndahej pas lidhjeve të shkurtra. “Nuk di si ia dilte të kishte sukses, kjo duhet të jetë një lloj magjie e tij. Përherë ka qenë i përzemërt me femra, madje edhe kur ndërpriste lidhjet me to mbetej në raporte të mira, miqësore”. I shkathtë në shah, qejfli i jetës, talent i muzikës, jurist i pasionuar, e tash edhe president. Ivo Josipoviç tani vetëm duhet të politizojë me takt. Por, kjo as që duhet t’i thuhet një muzikanti. Takti është një ndër parakushtet themelore për të qenë muzikant i mirë. Edhe jurist. Edhe president. Ivo Josipoviç është një tip politikani krejt tjetër nga kolegët e tij në Ballkan. Ai është, në fakt, fytyra evropiane e Kroacisë. Josipoviç është i martuar dhe ka një vajzë. Flet anglisht dhe gjermanisht.

6. Kryetari dhe rajoni

Për dallim nga presidenti i deritanishëm Stjepan Mesiç, i cili nuk ka ngurruar të thotë mendimin e tij edhe mbi zhvillimet në vendet e tjera të Ballkanit, madje Mesiç hapur ka kritikuar tendencat e serbëve të Bosnjës për shkëputje territoriale, kryetari i ri Ivo Josipoviç do të jetë me gjasë më i përmbajtur me deklarata. Pas zgjedhjes Josipoviç deklaroi se do t’i ndihmojë Bosnjës, por nuk do të përzihet në punët e brendshme të këtij shteti. Josipoviç do të përpiqet të normalizojë raportet me Serbinë, të cilat javëve të fundit janë acaruar për shkak se Kroacia para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë ka paraqitur argumente të fuqishme në favor të pavarësisë. Arsyeja e dytë e keqësimit të marrëdhënieve mes Zagrebit dhe Beogradit është vizita e presidentit Stjepan Mesiç në Kosovë para disa ditësh. Sulmet e kryetarit serb Boris Tadiç kundër Mesiçit tingëllojnë mjaft hipokrite dhe joparimore. Para Mesiçit në Prishtinë qëndroi kryetari i Sllovenisë Danilo Türk, por nga Beogradi nuk u dëgjua asnjë zë kritik kundër kësaj vizite. Me sa duket Beogradi e ka gjithnjë e më vështirë të pajtohet me faktin se Kroacia si shtet anëtar i NATO-s i lejon vetes të zhvillojë politikë të pavarur në planin e jashtëm.
Një ndër arsyet pse Josipoviç mund të jetë më i kujdesshëm me deklarata të ashpra kundër Serbisë janë interesat ekonomike. Për ekonominë kroate tregu serb është shumëfish më i rëndësishëm se sa ai i Kosovës. Shumë firma kroate viteve të fundit kanë investuar në Serbi, prandaj presidenti i ri, i cili ka thënë se do të angazhohet në nxjerrjen e Kroacisë nga kriza, do të përpiqet që me politikën e tij të forcojë dhe jo të dobësojë pozitën e këtyre ndërmarrjeve në shtetin fqinj, pra në Serbi. Kriza mbarëbotërore financiare e ka goditur rëndë edhe Kroacinë. Borxhi i jashtëm i këtij vendi ngaherë ka kaluar 40 miliardë euro, papunësia ka arritur në 16 për qind, në sezonin e kaluar turistët e huaj kanë harxhuar më pak para në bregdetin kroat. Sa i përket Kosovës presidenti i ri Josipoviç do të mbrojë njohjen e pavarësisë, por prej tij nuk pritet ndonjë angazhim më i madh. Reagimet e opinionit kroat kundër vizitës së presidentit të deritanishëm Mesiç në Kosovë kanë qenë tejet negative. Që nga shpallja e pavarësisë Kosova i ka humbur dy vite të arta për të forcuar marrëdhëniet me Kroacinë. Ndonëse me këtë vend ekzistojnë kontakte të rëndësishme në nivel njerëzor dhe institucional, duke pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e shtresës së arsimuar në Kosovë ka studiuar në Zagreb ose në qytete të tjera kroate, autoritetet e Kosovës kanë dështuar në shfrytëzimin e këtij potenciali. Mbetet të shihet dhe të shpresohet se në këtë drejtim ndoshta do të ndryshojë diçka pozitivisht me fillimin e punës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zagreb. Përfaqësia diplomatike e Kosovës pritet të nisë punën zyrtarisht këtë javë.

“Koha Ditore”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›